NBA San Antonio kualifikohet ne finale

E vjetra San Antonio është tashmë në finalen e Konferencës Perëndimore. E udhëhequr nga veteranët Dankën, Parker e Xhinobili, Spërsat ia dolën të fitonin për herë të katërt radhazi ndaj Klipersave, 102-99 në ndeshjen e luajtur në Los Anxhelos.
Tim Dankën shënoi 21 pikë dhe kapi 9 topa në tabela, ndërsa Parker dha 5 asistë, por ishte loja kolektive që shpërbleu përpjekjet e San Antonios.
Për Klipersat, Kris Pol shënoi 23 pikë si dhe shërbeu 11 asistë, por kalifornianët e rinj nuk patën përvojën e duhur në përballje të tilla plej ofi në NBA. San Antonio ka arritur tani 18 fitore radhazi, 8 prej të cilave në plej of, ndërsa në finale do të ndeshet me fituesin e çiftit Oklahoma-Lejkërs.
Në një tjetër pallat sporti, Lebron Xhejms ishte në formën e tij më të mirë, ndërsa Majemi Hits fituan ndeshjen e katërt të gjysmëfinaleve të Konferencës Lindore në fushën e Indianës, 101-93. Tani, plej ofi është në barazim 2-2 dhe skuadra nga Florida ka epërsinë e faktorit fushë. Xhejms shënoi 40 pikë, kapi 18 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë si dhe “vodhi” 2 topa.
Majemi ishte në humbje deri në pushim (46-51), por kaloi në epërsi në përfundim të çerekut të tretë (76-67). Në formë, edhe Duejn Uejd që shënoi 30 pikë, kapi 9 topa dhe shërbeu 6 asistë.
Për Indianën nuk mjaftuan 20 pikët e Deni Grejnxhërit, ndërsa Hibert kapi 9 topa në tabela si dhe Xhorxh dha 5 asistë. Majemi e dinte se nuk duhej t’i lejonte vetes një humbje tjetër, pasi vetëm 8 skuadra kanë arritur të përmbysin diferencën 1-3 gjatë gjithë historisë. Ndeshja e pestë do të luhet më 22 maj në Majemi.