E Shtunë, 31 Tetor 2026

NBA fitojne Lejkers dhe Majemi

Goditja për tre pikë e gabuar nga Harrington kur kishin mbetur vetëm 2 sekonda nga mbyllja e sfidës, i kushtoi Denver Naxhets humbjen 93-89 në shtëpi përballë Los Anxhelos Lejkërs. Mungesa e saktësisë në momentin më të rëndësishëm, zbehu paraqitjen e Harrington, me 24 pikë. Por, në fund, diferencën e bëri dyshja Bajnum-Brajant, me 22 dhe 20 pikë secili, ndërsa për Lejkërs edhe Po Gasol realizoi 14 pikë dhe regjistroi 17 pritje nën tabelë. Denver humbi mbi të gjitha edhe prej dëmtimit në gju të Mozgov.
Majemi Hit triumfoi 99-79 me Filadelfian, pavarësisht se LeBron Xhejms realizoi vetëm 19 pikë. Ylli I skuadrës nga Florida ishte sërish vendimtar, mbi të gjitha në periodën e katërt të lojës. Për Majemin, Duajan Uejd realizoi 26 pikë në 33 minuta, ndërsa shifra dyshe regjistruan edhe Bosh, Çalmers, Miler dhe Kol.
Një tjetër supersfidë ishte ajo ndërmjet Boston dhe Nju Jork Niks. Mbrojtja e Sëlltiks bëri diferencën në fitoren përfundimtare 91-89, duke bërë që bardhjeshilët të regjistronin fitoren e shtatë në tetë ndeshjet e fundit. Pothuajse gjatë gjithë ndeshjes Bostoni ishte në disavantazh, megjithatë Pirs me 30 pikët e tij bëri të mundur përmbysjen, duke I shkaktuar Majk D’Antonis humbjen e 11-të në 13 ndeshjet e fundit.
Në sfidat e tjera, fitojnë Orlando Mexhik (102-94) me Klivland, Oklahoma Siti Thandër (101-94) Memfis Grizëls, Detroit Pistons (88-80) me Miluokin. Dallas Maveriks u mposht me rezultatin 98-87 nga Indiana, ndërsa Uashingtoni humbi 106-89 me Toronto Reptors.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›