E Diel, 1 Nëntor 2026

NBA humbin Majemi e Lejkers

Oklahoma e tregoi veten si një nga skuadrat më të forta të NBA-t. Nën udhëheqjen e superyllit Kevin Durant, skuadra që ka emrin “Thandër”, pra “Rrufeja”, goditi fort plazhet e Jugut amerikan duke mundur bindshëm Majemin me rezultatin 103-87.

Në këtë fitore, Durant ishte lojtari më i mirë në parket me 28 pikë të shënuara dhe 8 asistë për shokët e tij të skuadrës. Ibaka e ndihmoi duke kapur 10 topa në tabela, madje duke shënuar edhe 18 pikë e duke qenë thuajse i pagabueshëm në gjuajtje.

Një mbrëmje jo e mirë për yjet e Majemit. Duejn Uejd shënoi 22 pikë, por humbi 6 topa, ndërsa Lebron Xhejms realizoi vetëm 17 duke dhënë edhe 7 asistë.

Edhe të mëdhenjtë e Kalifornisë u thyen mbrëmjen e djeshme, sërish në fushën e tyre. Në “Stejpëlls Sentër”, Lejkërsat morën leksion nga Memfis, 96-102 dhe nuk bëri dobi fakti që Pau Gasol e fitoi duelin me të vëllanë, Mark.

Lojtari më i mirë i kampionatit, Brajant nuk arriti të shkëlqente me vetëm 16 pikë të shënuara, dhe Liqenasit u udhëhoqën nga Bajnum që shënoi 30 pikë, ndërsa Gasol kapi 14 topa në tabela dhe shënoi 16 pikë.

Për fituesit, Rudi Gej realizoi 18 pikë, Randolf kapi 12 topa në tabela, ndërsa Konlej shërbeu 8 asistë.

Në ndeshjet e tjera, bien në sy 4 kohët shtesë në Atlanta-Jutah që u fitua nga vendasit 139-133 dhe fitorja e Bostonit ndaj Uashingtonit, 88-76. Çikago kryeson renditjen me 40 fitore e 10 humbje, duke siguruar që tani vendin për në plej of.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›