Shenojne Bakaj e Vila

Elis Bakaj realizoi një gol me vlerë 3-pikëshe në Ukrainë dhe skuadra e tij, Çornomorec e Odesës doli e fituar 2-1 në ndeshjen shtëpiake ndaj Vorsklës. Në një përballje shqiptarësh, Bakaj shënoi në minutën e 76-të për 2-1, ndërsa më parë kishin shënuar Matos në 8’ për skuadrën e Odesës dhe Selin kishte barazuar në 50’ për miqtë. Bakaj realizoi vetëm 8 minuta pasi kishte hyrë në fushë në vend të Balashovit.
Në radhët e Çornomorecit luajti edhe mbrojtësi Kristi Vangjeli që mori karton të verdhë, ndërsa për Vorsklën në fushë ishin Armend Dallku (karton i verdhë) dhe Ahmed Januzi.
Emiliano Vila ka shënuar një gol të rëndësishëm për Janinën në kampionatin grek, ndonëse nuk arriti dot t’i jepte fitoren skuadrës së tij. Futbollisti i kombëtares shqiptare kaloi në epërsi vendasit në minutën e 59-të në ndeshjen ndaj Ergotelisit, por e papritura ndodhi në fund, pikërisht në sekondat e fundit të ndeshjes, kur skuadra mike edhe pse e mbetur me 2 lojtarë më pak në fushë, barazoi rezultatin. Jalusis ishte autori i golit, ndërsa të përjashtuar për Ergotelisin ishin Egutu Elizeh në 77’ dhe Sarris në 80’. Janina ndodhet në vendin e 12-të të kampionatit grek me 29 pikë, dy më shumë se Ergotelis. Superliga greke ka 16 skuadra gjithsej.