E Diel, 1 Nëntor 2026

NDERKOMBETARE/ Kriza amerikane dhe kërkesat e Europës

Europa kuron plagët e saj,nxit Uashingtonin të zgjidhë krizën dhe kërkon masa të reja të sistemit për të larguar frikën e tregjeve të tronditura rëndë. 

 Dje në mëngjes, zëdhënësi i Komisionit Europian, Johannes Leitenberger, nxiti SHBA-në të merrte përsipër përgjegjësinë e saj për krizën financiare që ka tronditur ekonominë amerikane dhe atë botërore, e të vazhdojë me planin për shpëtimin e sistemit financiar, të bojkotuar nga Kongresi.
Dhe në hije, kryeqytetet europiane po përgatisin një seri nismash që do të zbulohen më saktësisht në ditët e ardhshme, për t’u ridhënë bankave dhe konsumatorëve më shumë besim.
Në mëngjes, Komisioni Europian konfirmoi se rregullat komunitare parashikojnë një shumë minimale prej 20 mijë eurosh për rimbursimin e depozitave në rastin e dështimit të një banke:
“Direktiva europiane, - shpjegoi Leitenberger, - parashikon garantimin e kthimit të 80 për qind të fondeve të depozituara për një shumë prej 20.000 eurosh. Kjo nuk i pengon shtetet e tjera të vendosin rregulla për një çmim tavan më të lartë”.
Një shumë që sipas burimeve komunitare, Brukseli duhet ta ngrejë deri në fund të vitit.
Ashtu si në nëntor, Komisioni duhet të paraqesë rregulla të reja për agjencitë e interesave, që përfunduan në shënjestër pas rënies së bursave, sepse nuk ishin kujdesur sa duhet për prodhimet financiare të të mëdhenjve të financës botërore.
Dje, ekzekutivi i BE-së miratoi një seri normash të destinuara të hyjnë në fuqi në vitin 2011, që do t’u imponojnë bankave miratimin e planeve anti-krizë, përgatitjen e simulimeve për kapacitetin e përballimit të emergjencës dhe detyrimit të sigurimit të kapitaleve.
Masat e tjera jo vetëm në nivel europian, kanë për qëllim të sigurojnë një përqasje sistemuese në rastin e krizave, janë duke u marrë para samitit të jashtëzakonshëm të vendeve anëtare të BE-së, të thirrur për të shtunën nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi.
Ndërkohë, federata bankare europiane ka theksuar se struktura tipike e kontinentit të vjetër apo banka universale është e fortë dhe se depozitat janë të sigurta. Sidoqoftë, bankierët europianë kanë kërkuar rregulla të reja për vlerësimin e gjendjes efektive të instituteve të kreditimit. Një ndërhyrje që ka për qëllim të qetësojë tregjet, që edhe dje ishin në vështirësi të madhe. Si në Irlandë për shembull, ku qeveria për t’i bërë ballë një vale paniku vendosi të sigurojë deri në vitin 2010 të gjitha llogaritë e depozituara në bankat e regjistruara në vend.
Masa u bë e nevojshme për shkak të goditjes së djeshme, e cila bëri që bursa të humbiste 12.7 për qind, duke nxitur miliarderët të tërheqin paratë e tyre. Edhe në Francë, qeveria vendosi të marrë një sërë masash të jashtëzakonshme që siguruan bankën Dexia. Dje, presidenti Sarkozi mblodhi zyrtarët e ekonomisë, institutet e kreditimit dhe krerët e bankave për të diskutuar për një plan emergjence. Qëllimi është që bankat të mos rrezikojnë më, që llogaritë të jenë të sigurta. Edhe në Spanjë, ministri i Financave, Solbes mori masa të siguronte të gjithë ata që kanë depozituar para në sistemin financiar iberik.

"La Repubblica"



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›