E Shtunë, 31 Tetor 2026

NE HOÇISHT NJE JAVE PARA SHEN MERISE

Hoçishti është një fshat i madh,
i shtrirë mbi disa kodra të buta
që bien lehtë deri në anë të
lumit të Devollit. I kalojmë
shpejt ato 30 e ca kilometrat që na ndajnë
nga Korça dhe ja ku jemi mu në mes të
fshatit të mbarë. Neve, që vijmë, nga
vapa e kryeqytetit, na bëjnë përshtypje
fshatarët që kanë nisur që tani të bëjnë
gati drutë e dimrit. Vetë pamja e kërcunjve
të ngjall një ndjesi freskie, njësoj
sikur jemi në vjeshtën tonë të tretë dhe
jo në mes të muajit gusht. Kuriozohemi
kur shohim ndonjë oxhak që ka nisur që
tani të nxjerrë atë fjollën e hollë të tymit.
Hoçishti është një fshat që, nga pikëpamja
e fesë, është i ndarë më dysh. Gjysma
e fshatarëve janë ortodoksë dhe gjysma
tjetër myslimanë. Jetë e mot kanë pasur
një jetë të paqtë. Asnjë marrëzi inatçore
nuk ka mundur të prishë harmoninë e
këtij fshati të mbarë. Në Hoçisht na bën
përshtypje një kishë hijerëndë krejt në
qendër.
Në Shën Koll
Miku ynë i parë është Mina Plaku.
"Naçi", sikurse e thërrasim sapo jemi
miqësuar është një burrë i qeshur dhe i
gjindshëm. Me këtë mbiemër, sikurse do
ta marrim vesh më vonë, do të kemi ca
punë. Plaku, Temo, Tërpini, Eski, Afezolli,
Uçi, Turabi, Elmazi dhe të tjerë janë familjet
themeluese të fshatit. Qëndrojmë ca
kohë në hyrje të kishës së madhe. Ajo i
është kushtuar Shën Kollit, pikërisht atij
që më shumë e njohim si Santa Klaus apo
Plaku i Vitit të Ri. Shenjti përkujtohet çdo
6 dhjetor. Minai na thotë se janë dashur
plot 25 vjet për të ndërtuar këtë ngrehinë
prej guri gri. Paratë u mblodhën nga
emigrantët hoçishtarë andej nga fi llimi i
viteve ‘20 të shekullit të shkuar.
Një grua e imët vrapon që nga një
sokak i gurtë. Eshtë Jorgjeta, kujdestarja
e kishës. Nuk e marrim vesh mirë nëse
Jorgjeta është vërtet aq e imët sa na
duket, apo është fasada e kishës ajo
që na e bën gruan edhe më të vogël.
Besimtarja na fton të hyjmë në kishën e
madhe. Me një shpresë të vakët ndezim
nga një qiri me shpresën se mbase do të
na vejë mbarë në ditët që na presin. Më
vonë do të mësojmë se nëse diçka ka
vendosur të të shkojë ters nuk ka Shën
Koll të të shpëtojë. Jorgjeta na i rrëfen
me radhë kishat: Shën Jovani që është
në hyrje të fshatit, Shën Konstandini,
që është diku në një korije, Shëndëlliu,
që ka qenë një manastir i madh dhe të
tjerët me radhë. "Po të më dëgjoni mua
duhet të shkoni me se s‘bën në Strivaç.
Është vend i mirë, jo vetëm për punën
tuaj, por edhe për të gjitha gjërat. Kjo
"për të gjitha gjërat", na intrigon ca. Pa
ta provojmë njëherë. Mbase vendi i mirë
do të na gjejë shpëtim nga ndonjë hall.
Ndahemi me gruan e imët nën hijen e
disa gështenjave të vjetra.
Te mjekët e shenjtë
"Satrivaç" është transformimi i emrit
"Sveti Vraç", që në sllavishten e vjetër do
të thotë "Shën Mjeku", ose "Shën Doktori"
në gjuhën e sotme. Tradita e Hoçishtit
thotë se në këtë vend, ku dikur ka qenë
ndërtuar një paraklisë (kishëzë) kushtuar
binjakëve shenjtorë Kozma e Damian,
mund të të kalojnë të tëra dhimbjet, që
nga trupi deri te mendja. Shën Kozmai
dhe Shën Damiani janë shumë të njohur
në botën e krishterë. Ishin dy vëllezër
binjakë nga Siria, që iu kushtuan mjekësisë,
me qëllim që të lehtësonin dhimbjet
e njerëzisë. Nuk morën kurrë para për
shërbimet që bënë, pikërisht prandaj i
kanë quajtur edhe "anargjirët" (armiqtë
e parasë). Të dy patën një fund tragjik
në shekullin IV, në kohën e mbretërimit
të Dioklecianit. Të dyve iu pre koka pas
torturave të tmerrshme.
"O Pepi!", thërret Naçi në hyrje të
Satrivaçit. Pepi është njëri nga kujdestarët
e vendit të shenjtë. Pepi del me të
shpejtë dhe kështu shpëtojmë nga disa
qen të mëdhenj që po na shihnin me
ëndje. Në oborr të paraklisës ka mbetur
ende një njollë e madhe gjaku. Disa
çaponj pule a gjeli janë ende të varur në
vendin ku zakonisht bëhen kurbanet.
Tradita e do që nëse ke ndonjë hall duhet
të therësh diçka. Më 1 korrik në këtë
vend bëhet një festë e madhe ku marrin
pjesë besimtarë të të dyja besimeve
nga i gjithë vendi. Bashkë me Naçin dhe
me Pepi epitropin shkojmë në kishëzën
e dy shenjtorëve mjekë. Më shumë se
kishë na duket si një shtëpi e hijshme që
pret vizitorë. Dikush prej nesh është me
pantallona të shkurtra. Ai del menjëherë
jashtë. Në mur është varur një rregullore
që nuk i lejon të tilla gjëra.
Si kemi ndezur dy qirinj, pra si na janë
bërë dy halle më pak, ulemi e kuvendojmë
një copë herë me Pepi epitropin. "Ky
është vend i mbrekullive bre - na thotë
Pepi - nuk dua t‘ju thom ato që i kam me
të dëgjuar. Do t‘ju rrëfenj vetëm ato ku
kam qenë dëshmitar vetë. Para disa kohësh
unë kisha turnin të rinja këtu. Vjen
me makinë një familje nga Pendavinji,
burri, gruaja dhe vajza. Vajza qe fare e
re, 23 vjeç, por e paralizuar. E vunë një
herë në oborr jashtë, pastaj e shpunë
brenda. Kaluan një natë këtu. Do ti më
të nesmen, vajza u ngrit në këmbë! Këtë e
kam parë vetë. Madje ay, i jati deshi të na
qeraste me se s‘bën. Pas dy javësh kanë
ardhur këtu dhe kanë therur një shqerkë.
Një herë tjetër më kujtohet që ardhi një
vajzë që kishte ikur nga mendtë. Qe nga
Bitncka ajo. Historia që më thanë qe
kështu. Një shkues e kishte lidhur këtë
vajzën me një djalë që rrinte në Amerikë.
Të rinjtë u njohën dhe u dashuruan dhe
do martoheshin, po do ti që djali u lidh
me një tjetër! Kjo gjë e tronditi vajzën,
ajo u çmend, madje u bë edhe agresive.
I bindej vetëm një xhaxhai që ish i fortë,
polic. Edhe këtë e prunë këtu. Vetëm
një natë kaloi dhe u shërua. U bë sikur
kishte qenë përpara. Histori të tilla këtu
ka shumë, por unë po ju them vetëm ato
që kam parë vetë. Se mos thoni pastaj…".
Ndahemi me Pepin. Ai shkon të rrijë
në një si hotel të vogël. Për të gjithë ata
që duan të shërojnë trupin a mendjen
dhomat e Stërvaçit janë gati. Askush nuk
duhet të hezitojë, vetëm mos harroni
kurbanin. Pa dalë ca gjak nuk bëhet gjë.
Me "djalkën" avokat
Pandushi është një fëmijë i mbarë.
Eshtë djali i Naçit, tashmë shokut tonë.
Eshtë pezmatuar se këtë vit ka marrë një
nëntë. Ai ka dy dëshira, e para të bëhet
futbollist (mban në dorë një byzylyk të
Milanit) dhe e dyta, por kjo kur të rritet
edhe ca, të bëhet avokat. Ne marrim
frymë të lehtësuar kur mësojmë se djali
nuk do të bëhet gazetar. Kështu na thonë
gjithandej ku shkojmë. Me Pandushin
shkojmë të takojmë gjyshi Naumin. Ky
është një plak i fi sëm që fl et me shumë
terezi duke i peshuar fjalët. Historitë e
gjyshit shkojnë që nga lufta italo-greke e
deri në kohët e demokracisë. "E di si ka
qenë Hoçishti, more djema - na thotë - i
gjithë me kalldrëm. Unë isha fëmijë. Me
sandalle shkonim edhe në dimër, ftohtë
bënte, por nuk mbaj mend ndonjëherë të
më jenë lagur këmbët. Pastaj mbaj mend
Manastirin e Shëndëlliut. Një gjë e madhe
me 41 dhoma për tërë besimtarët. E
prishën në kohën kur nisi ateizmi. Mbaj
mend se te Shën Jovani ka qenë edhe
një rrap i madh kush e di se sa shekuj
kishte ay. Nuk e pritnin dot dhe e kanë
hedhur në erë me dinamit. Mbaj mend
se një nga pleqtë e fshatit, që shquhej për
humor, pat thënë atëherë: E ç‘presim ne
nga ky që kemi vënë në krye. Po ky është
qymyrxhi, ay të presë pemë do! Në fakt,
fshati ynë është dalluar për prodhimin
e qymyrit në të gjithë këtë zonë. Pa jemi
shquar edhe për këngën. Shumë nga
këngët që quhen korçare kanë lindur në
këto anë, ose janë përpunuar këtu nga
bashkëfshatarët tanë". Gjysh Naumi e ka
mbiemrin Plaku, dhe me këtë fjalë lidhet
një histori e gjatë, shumë tragjike dhe e
mistershme.
Tragjeditë e familjes Plaku
Gjyshi i mban mend mirë, fare mirë
vëllezërit Plaku, që i kishte kushërinj.
"I kishim shtëpitë ngjitur dhe kishim
shumë shkuarje", thotë. Kjo historia e
vëllezërve Plaku mund të jetë njëra nga
më tragjiket e periudhës së komunizmit.
I pari që u vra në rrethana të mistershme
ishte Jorgo. Ky kishte mbaruar shkollën
e Fulcit në Tiranë. "Në 1941 - na thotë
gjyshi - Jorgo ishte këtu në fshat. Meqë
rrahu fort një karabinier që po vidhte
qershi në kopsht u bë ilegal". Jorgo që
rrahu karabinierin u bë një nga drejtuesit
kryesorë të lëvizjes NAÇL, ishte komisari
i çetës "Fuat Babani". U vra në rrethana
misterioze në afërsi të Voskopojës në
dimrin e 1944. Më vonë u mësua se
Jorgo u ekzekutua me urdhër të krerëve
komunistë. Shumë vetë e kanë dëshmuar
këtë më e para nga të gjitha kompozitorja
partizane, Dhora Leka, e më pas shumë
të tjerë. Gjyshi e ka takuar vetë një qymyrxhi
nga Hoçishti, i cili kishte takuar
andej nga vitet ‘50 një të internuar në
Mamurras. Ky kishte qenë korrieri që
kishte çuar nga Skrapari letrën, e cila
kishte vendosur ekzekutimin e Jorgos.
Por fatkeqësitë nuk kishin si të sosnin
në familjen Plaku. Një familje me prona,
emër dhe tradita, goditet edhe një herë.
Kalo Plaku, vëllai i Panajotit ishte një
ndër nxënësit e shkollës amerikane bujqësore
të Kavajës. Në fi llim arriti të ishte
Zëvendësministër i Bujqësisë, pastaj, me
nisjen e fermave u bë drejtor në Sukth.
"Pas një debati për mbjelljen e patates
në ato anë andej nga 1955 - na thotë
gjyshi - duket se Kalua u vu në shënjestër.
Vetëm një dhallë ka pirë atë ditë që vdiq.
Të njëjtën dhallë piu dhe shoferi, po ky
shpëtoi pasi u përpëlit ca kohë. Nuk
kishte dyshim se e kishin helmuar…".
Panajot Plaku ishte vëllai i dy të
parëve. Kishte qenë anëtar nga të parët
e grupit komunist të Korçës. Pas lufte
kishte arritur të bëhej zëvendësministër
i Mbrojtjes dhe Ministër pa Portofol.
Ishte anëtar i KQ të PPSH-së. Më 1957-
ën pas të famshmit plenum të Tiranës,
Panajoti nisi të ndihet në rrezik. Dy
vëllezër i ishin vrarë në mënyrë enigmatike,
a ishte radha e tij? Kështu vendos
të arratiset, që nga Qafë-Thana për në
Jugosllavi. Lajmi atëherë bëri bujë të
madhe. Panajoti punoi do kohë në një
institut në Beograd. Vdiq papritur më
1966. Shumë vetë besojnë se u helmua
nga Sigurimi i Shtetit. Kushërinjtë në
Hoçisht janë fare të bindur për këtë.
Nuk kishte mbaruar me kaq për
"Pleqtë", sikurse i thonë në Hoçisht
atyre që mbajnë mbiemrin Plaku. Koço
Plaku, ishte njëri nga nismëtarët e
shfrytëzimit të naftës në vend. Andej
nga Vlora kishte arritur të nxirrte një
prodhim me të cilin krenohej tërë Shqipëria.
Mirëpo, ishte vëllai i Panajotit
dhe kjo do t‘i kushtonte shumë rëndë.
Te Sotiri, në ditën e emrit
Në shtëpinë e Sotir Temos është
ditë vizitash. Kujtohet emri i Shën
Sotirit. "Raqi" sikurse i thonë të gjithë
në fshat, na pret në krye të shtëpisë së
tij të ndërtuar nga babai që më 1933.
"Babai qe këpucar, këpucët që bënte ay
ishin me namë në Tiranë e në Korçë", na
thotë Raqi, duke shfl etuar një album të
vjetër fotosh.
Raqi e ka një lidhje të fortë me
"Pleqtë". Motra e tij ishte martuar me
Koço Plakun, ekspertin e naftës. Raqi
ishte komunist, madje edhe në shkollën
e lartë të PPSH-së. Më 1974 Kiço, Plaku,
së bashku me dy të tjerë u dënua me
vdekje: pushkatim. Varri i tij ende nuk
është gjetur. "E mbaj mend takimin tim
të fundit me tim kunat, Kiçon - thotë
Raqi duke folur ngadalë - ishim në Patos.
Fjetëm në një dhomë atë natë. Ay e
dinte se nuk e kishte të gjatë dhe andaj
më tha: Më ki merak nusen time, motrën
tënde dhe djalin. Çfarëdo që të thonë
unë nuk jam fajtor. Më dha 12 mijë lekë
të vjetra për djalin dhe një studim për
naftën në zonën e Dumresë. Hera e fundit
që e pashë". Raqi me shkollë partie
e shtyu ca kohë në Lezhë ku punonte
si përgjegjës i SMT-së, pastaj ca nga ca,
e kaluan në punëtor, derisa një ditë i
thanë të kthehej në Hoçisht, në fshatin e
tij. "Historia më e bukur është se kur po
diskutohej në shkollë puna armiqësore
e grupit të naftës u ngrita e fola edhe
unë - thotë Raqi - si u thashë që jam
kunati i Koço Plakut, atëherë u ngritën
të tërë. U hodh në votë qëndrimi im në
parti. Dolëm barazim 16 me 16. Më e
forta është se mua m‘u desh që vetë të
votoja kundër vetes. Po, po, votova për
përjashtimin tim nga Partia. Nuk kisha
rrugë tjetër. Po më shpëtoi Fiqerete
Shehu, atëherë drejtoreshë e shkollës
dhe gruaja e Kryeministrit. Ajo dha
një votë më tepër. Kështu shpëtova, po
njolla në biografi më ngeli, Jo vetëm
mua, por të tërëve që kishin lidhje me
fi sin Plaku…".
Urata i shuar
Gjashtë vjet më parë kishim qenë
dëshmitarë të një ndodhie fort të bukur.
Ishte vjeshtë dhe kishte qëlluar Bajram.
Besimtarët myslimanë ishin mbledhur
në shtëpinë e Mondi efendisë që
ishte hoxha i fshatit. Në fi llim na bëri
përshtypje ky hoxhë i ri, që nuk dukej
edhe aq i sertë në zakonet e mikpritjes.
Nuk kaluan shumë dekika dhe në derë
u shfaq Papa Pandushi, prifti i fshatit.
Asokohe na pati bërë përshtypje një
fjali e uratës: Gëzuar e për shumë vjet
Bajramin, mua do të më falni për mungesën
e priftëreshës. Ju e dini asaj sapo
i vdiq i ati. Hoxhë Modni ishte ngritur
në këmbë duke bërë të tëra salltanetet
e duhura. Ishte shfaqja më e përkryer
e bashkëjetesës fetare. Edhe prift Pandushi
edhe hoxhë Mondi kishin qenë
shokë në shkollë të mesme. Të dy kishin
shpresuar të bëheshin aktorë. Pa kishin
luajtur bashkë edhe në grupet amatore
të estradës. Aktorë të mirëfi lltë nuk u
bënë. U bënë një lloj "aktori" tjetër,
klerikë. Kjo ishte historia e Pandushit
dhe e Mondit e parë para 6 vjetësh. Tani,
për fat të keq Pandi nuk jeton më. Një
goditje e fortë celebrale e ndau nga jeta.
Hoxhë Mondi, na thonë, se nuk merret
më shumë me punët e Perëndisë, ai
punon diku zyrtar në Bilisht.
Bëjmë një xhiro të fundit në fshat.
Kalojmë sheshin "Koço Plaku", pastaj
rrugën e re që sapo ka nisur të shtrohet,
pastaj shkojmë lart te shkolla që mban
emrin e Jorgo Plakut. Nga dielli që ka
nisur të zbresë kambanorja e kishës së
Shën Kollit është bërë edhe më vezullitëse.
Neve na duket se krejt fshati po
vezullon në atë moment.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›