NJE POPULL QE KERKON VETEVENDOSJE!
Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Këto dy emra do të kujtohen në çdo 10 shkurt! Prej Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, 10 shkurti 2007 do të përkujtohet gjithnjë nga shqiptarët! Ata janë dëshmorët më të fundit, dy prej mijërave shqiptarë që për disa dhjetëvjeçarë po bien në Kosovë për një qëllim: Që populli të vetëvendosë për fatin e tij!
Rënia e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si edhe plagosja, keqtrajtimi dhe burgosja e shumë të tjerëve më 10 shkurt 2007, ka një specifikë të vetën. Ajo nuk u krye prej serbëve, armiqve disa-shekullorë të shqiptarëve, por prej atyre që e kishin nën kujdestari Kosovën, që ishin zotuar që gjëra të tilla të mos përsëriteshin më në këtë vend. Dorasit e masakrës së 10 shkurtit ishin policia e UNMIK-ut, të po asaj agjencie të OKB së sot e kësaj dite vazhdon të mbajë një pozicion neutral mbi statusin e Kosovës, pra nuk dëshiron ta njohë vullnetin e popullit të Kosovës. Edhe pas kësaj njolle të pashlyer në veprimtarinë e OKB-së, kreu i saj, Ban Ki Muni, vazhdon diplomacinë e tij "të paanshme", për ta kthyer Kosovën nën Serbi. Sa larg ndodhet OKB e sotme prej parimeve të vetë dokumenteve të saj dhe frymës së shkolonizimit që e bënte dikur të pranonte si anëtarë me dhjetëra shtete të reja që hidhnin tutje barrën e rëndë të pushtimit, shfrytëzimit dhe skllavërimit nga të huajt!
Kur kujton atë çfarë ndodhi dy vite më parë, më shumë dëshpërim të shkaktojnë veprimet e atyre qeveritarëve dhe politikanëve shqiptarë që nxituan t‘i jepnin legjitimitet veprimit të policisë së UNMIK-ut. Të pashlyeshme nga kujtesa janë fjalët e zëdhënëses së Kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lamës, se ndërhyrja e policisë së UNMIK-ut ishte proporcionale dhe profesionale. I bukur proporcionalizëm dhe profesionalizëm: plumba metali të veshura me një cipë gome të shkrehura në një largësi të vogël mbi trupat e qytetarëve të paarmatosur, që kërkonin të marshonin në rrugët e qytetit të tyre, për të kërkuar të drejtat e tyre.
Pa përmendur gazin lotsjellës apo edhe shkopinjtë e gomës që shkruanin mbi trupa njerëzish nenet e Rezolutës 1244 që i jepte UNMIK-ut sovranitet mbi Kosovën. Pse nuk u mundësua që ushtarët vrasës rumunë ta shpjegonin vetë para gjykatësve profesionalizmin e tyre, por u lanë të iknin, ndoshta edhe duke u përgëzuar për punën e tyre? Duket që profesionalizmin e kishin mësuar në shkollat e Çausheskut! Sidoqoftë turpi më i madh u mbetet atyre qeveritarëve dhe politikanëve të Kosovës, që certifikuan këto veprime të policisë së UNMIK-ut, kundër njerëzve të thjeshtë të popullit të Kosovës, qytetarëve të njëjtë që sot u lypin votën. Sa qesharake që tingëllojnë sot "këshillat" që Lëvizja Vetëvendosje! të kthehet në një parti politike. Në një parti politikanësh që të ndajë pazaret e pushtetit me politikanët e tjerë që përkrahën gjakosjen e saj dikur! Shpresojmë që edhe institucioni i EU-LEX-it të ketë nxjerrë mësimet e veta nga kjo ngjarje dhe policët e tij të mos kenë ndërruar vetëm stemat në xhaketat e tyre, por edhe mendësitë e trashëguara kur i shërbenin UNMIK-ut!
Më 10 shkurt 2009, asgjë nuk ka përfunduar. Është e vërtetë që pavarësia e Republikës së Kosovës është shpallur dhe njohur nga vendet më të fuqishme perëndimore me peshë në politikën ndërkombëtare, ashtu sikurse nuk njihet dhe refuzohet prej Serbisë dhe disa shtete të tjera të fuqishme. Vazhdon përpjekja për fuqizimin e institucioneve të pavarura shtetërore të Kosovës, për ruajtjen e integritetit territorial të vendit, fitimin e sovranitetit, si edhe për zhvillimin shoqëror-ekonomik, në mënyrë që nga pavarësia dhe liria të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit dhe jo vetëm udhëheqësit politikë, apo të dërguarit ndërkombëtarë që fshihen pas akronimeve në gjuhë të huaj dhe imunitetit prej ligjeve të shtetit të Kosovës. Në ballë të këtyre përpjekjeve mbeten bashkërrugëtarët dhe bashkëluftëtarët e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, të grupuar rreth Lëvizjes Vetëvendosje!
Çdo vit, përkujtimet e 15 Janarit (masakra e Reçakut) 10 Shkurtit, 17 Shkurtit, 5 Marsit (rënia e Adem Jasharit dhe e familjes së tij), 10 Qershorit (Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit), 12 Qershorit (çlirimi i Kosovës nga Serbia), 7 Shtatorit (Kuvendi i Kaçanikut), 28 Nëntorit, dhe i datave të tjera domethënëse të lëvizjes çlirimtare dhe shtet-formuese të Kosovës, duhet të jenë raste për meditim. Jo vetëm për të nderuar dëshmorët, flijimet e privimet e tjera të këtij populli tragjik, por edhe për të vlerësuar arritjet dhe përvijuar vizionet dhe rrugët e së ardhmes, në mënyrë që asnjë kontribut i dhënë për pavarësinë dhe zhvillimin e kombit të mos humbasë dhe që ideali i lirisë të mos vdesë kurrë në zemrat e shqiptarëve.