E Diel, 1 Nëntor 2026

NUREMBERG 1946: Göring kundër Jackson

29/01/2005  

Historiani kundërrymë, David Irving, na përshkruan në librin e tij, "Nuremberg: Beteja e fundit", gjyqin më të famshëm të shekullit të Njëzet, atë të mbajtur kundër niveleve të larta naziste në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Më poshtë po përcjellim një pjesë nga ky libër

Jackson: "Göringut i lejohet të na mbushë me predikime, dhe kështu që ai bëhet gjithnjë e më shumë arrogant. Po të vazhdojmë kështu, do t'u bëjmë vendeve tona më shumë keq se mirë".

Me flokët e krehura prapa kokës, sytë krenarë dhe në qëndrim sfide, Göring u drejtua me hap të sigurtë drejt podiumit. Tashmë i kish vlerësuar kapacitetet e kësaj gjykate. E dinte se Jackson, prej vitesh i larguar nga manovrat e sallave gjyqësore, do të ndodhej në vështirësi në këtë proces, ku çdo fjalë duhej të përkthehej në anglisht. Göring në fakt kishte një njohje të caktuar të anglishtes dhe kjo i jepte një avantazh taktik

"Gjithçka ka shkuar për mrekulli", komenton hidhur Jackson, disa ditë më pas, "deri në momentin kur Göring u ngjit në bangon e të akuzuarve. E dinim se kjo do të ishte beteja më e vështirë. Shtypi e ka përkufizuar gjithmonë si palaço, por në realitet bëhet fjalë për një njeri të vendosur dhe mjaft të rafinuar". Göring nuk kishte dyshime se cili do të ishte fati i tij dhe nuk tentonte t'i përmirësonte gjërat. "Preferoj më shumë të vdes si luan, sesa të largohem si lepur", u përsëriste mbrojtësve të vet. Një mëngjes, meqenëse kish ardhur me vonesë, u kërkoi falje me zë të lartë të pranishmëve, duke u thënë se ishte vonuar nga mjekët për një analizë gjaku. "Por do të më marrin akoma shumë gjak", shtoi plot haré, me bindjen se ekzekutimi do të kryhej me pushkatim. Sir Norman Birkett, duke e shikuar sallën nga bangoja, ku ndodhej ulur, e kuptoi se Göring ishte protagonisti i vërtetë i spektaklit dhe se e dominonte skenën. I kish ndjekur me shumë vëmendje dëshmitë kur ato kishin të bënin me të dhe kish fjetur kur nuk kishin të bënin me të. Askush nga të pranishmit, reflektoi juristi britanik, dukej se ishte në lartësinë e kapacitetit dhe të kompetencës së jashtëzakonshme të Göring dhe as të njohjes së thellë të dokumenteve që qenë kapur. Kur atë të mërkurë 13 mars 1946, Göring filloi të flasë në bangon e të akuzuarve, ndërtesa e tribunalit ishte mbushur sa kurrë më parë. Nuk kufizohej të mbrohej luani: linte të lirë oratorinë e shkëlqyer, pasuronte përgjigjet e tij me një dell spontan humorizmi dhe ngjallte shpërthime të qeshurash midis publikut të pranishëm në galeri. Shpresonte që në ndonjë vend, në pyjet përreth gjithë qytetit, e shoqja dhe vajza e vogël mund të ishin krenare për këtë shfaqje të fundit të tij. me anë të radios, miliona dëgjues dëgjuan fragmente të këtij deponimi. Në kampet e burgosjes të ndodhura në Britaninë e Madhe, në Amerika dhe në Evropën e çliruar, turma njerëzish u derdhën në të hapur për t’ju afruar aparateve të radios, nga të cilat vinte zëri i pangatërrueshëm i "Hermann". Ish të burgosur gjermanë i kanë treguar më pas autorit të këtij libri se si ata dhe bashkëluftëtarët e tyre, në këmbë, kishin duartrokitur të mahnitur spektaklin radiofonik të Reichsmarschall, që luftonte për Gjermaninë. Një mjek i Luftwaffe, që grumbullonte pjesë shtypi për kolegët e tij oficerë të internuar në kampin anglez të Latimer, në Buckinghamshire, vërejti se falë këtij deponimi Göring kish rifituar pjesën më të madhe të prestigjit që kish humbur më parë.

Gazetarët aleatë, të gjithë profesionistë, që mbushnin shallën e shtypit të gjykatës kishin mbetur pa mend. Deri në atë moment, siç vërejti më pas me përçmim Jackson, u kishin besuar zërave sipas të cilave Reichsmarschall nuk ishte gjë tjetër veçse një fanatik drogash, një relike njerëzore dhe një neurotik. Dita e parë e Göring në gjyq qe në të vërtetë një triumf për të dhe një humbje për akuzën, që rrezikoi të shikonte të rrëzohej e gjithë ndërtesa që Jackson dhe bashkëpunëtorët e tij kishin ngritur me mundim. Pak më vonë, i ulur në shtratin e qelisë së tij dhe duke tymosur pipën e tij të gjatë, Göring zgjati një krah dhe ia tregoi doktorit Gilbert: ishte i fortë si një gur. Gjithmonë duke nuhatur gjithçka përreth si qen gjuetie dhe gjithmonë në kërkim copëza lajmesh, të nesërmen, në drekë, Gilbert e pyeti Göring se si kish ndërmend ta përballonte argumentin e mizorisë së SS. "Duke thënë se nuk i kam marrë asnjëherë seriozisht këto zëra", u përgjigj Göring lehtësisht i zënë ngushtë. Por në mbrëmje, i kthyer në bangën e të akuzuarve, vërejti se gjykatësi zëvendësues John Parker, amerikan, i qeshte me dashuri. "Ky Göring është tamam një goxha tip", esklamoi avokati i Albert Speer. "Një Mordskerl, një vrasës i vërtetë!". Dhe Speer, i ngelur i befasuar nga ky sukses i Göring, u përgjigj se shpresonte të kishte nga Jackson rastin e ekzibicionit në një pyetësor të kryqëzuar.

I transmetuar drejtpërsëdrejti nga radiot e gjysmës së botës, dueli midis Jackson e Göring rifilloi të hënën, datë 18 mars 1946. Me flokët e krehura prapa kokës, sytë krenarë dhe në qëndrim sfide, Göring u drejtua me hap të sigurtë drejt podiumit. Tashmë i kish vlerësuar kapacitetet e kësaj gjykate. E dinte se Jackson, prej vitesh i larguar nga manovrat e sallave gjyqësore, do të ndodhej në vështirësi në këtë proces, ku çdo fjalë duhej të përkthehej në anglisht. Göring në fakt kishte një njohje të caktuar të anglishtes dhe kjo i jepte një avantazh taktik. I nervozuar nga rëndësia vendimtare e kësaj dite, Jackson u lëkund. Fillimisht kish vendosur të vinte Göring menjëherë në vështirësi, duke i folur për dekretet e tij antihebraike dhe koleksionet e tij pompoze të objekteve të artit, por në çastin e fundit, me një ndryshim të gabuar të programit, preferoi të futej në argumente më komplekse dhe të politikës së përgjithshme. "Pas jo më shumë se 10 minutash pyetje", vëren sir Norman Birkett në shënimet e tij, "qe e qartë se Jackson ndodhej nën mëshirën e Göring. I sjellshëm, dinak, orator i aftë, plot resurse, Göring e kuptoi menjëherë thelbin e situatës. U bë gjithnjë e më i sigurtë në vetvete dhe superioriteti i tij u manifestua dukshëm. Për pothuajse dy ditë e rrëmbeu skenën që askush të mos guxonte ta ndërpriste". Në vend që të mohonte fajet e atribuara nga, Göring ishte i lumtur t'i pranonte. Ishte "krenar" që kish shkatërruar Republikën e Weimar dhe anuluar opozitën parlamentare. Kjo taktikë e papritur mbrojtjeje, për të cilën Gilbert nuk e kish përgatitur, e kapi Jackson në befasi. Kur e kuptoi se Göring po lëshohej në një diskutim të gjatë, Jackson energjikisht e urdhëroi (siç do të vepronte sikur të ndodhej në një gjykatë të Nju Jork) të përgjigjej “po” ose “jo”. Por, pa gjykatësin Biddle të përkulej drejt Kryetarit, Lord Lawrence, dhe t'i pëshpëriste diçka. "Zoti Jackson", tha pas pak Lawrence, "Gjykata thekson se në përgjigjen e kësaj pyetjeje i akuzuari duhet të japë çdo shpjegim që e konsideron oportun". Göring ndriti nga lumturia. Në fakt, ai i Lawrence kish qenë një gabim fatal. Duke u menduar Birkett arriti në konkluzionin se sikur Lawrence të kish vendosur ndryshe dhe ta kish ndaluar Göring të zgjatej në monologje, procesi do të kish mbetur më shumë nën kontroll dhe Jackson do ta kish rifituar besimin në vetvete.

Por për shkak të vendimit të Lawrence rruga e mundimshme e Jackson nuk pati fund. Ditën tjetër, e martë 19 mars, falë edhe fatalizmit të tij, Göring reagoi akoma më fuqimisht ndaj seancës së pyetjeve, Disa akuza kundër tij bazoheshin në dokumente gjermane që diskutonin nëse banorët e fshatrave qenë të autorizuar t’i linçonin pilotët aleatë të goditur dhe të hedhur me parashutë, pasi kishin mitraluar popullsinë civile apo trenat e pasagjerëve. Jackson e sulmoi ashpër Göring në këtë pikë, megjithëse njëri nga bashkëpunëtorët e tij e kish këshilluar të mos e prekte këtë çështje jokomode: "A kishin mitraluar avionët aleatë civilët e pambrojtur?". Dhe gjykata ka mundësi e ndante këtë shqetësim, aq sa në fund të procesit (ashtu si në rastin e Katyn) vendimi përfundimtar në ngarkim të Göring nuk do t'i referohej kësaj akuze. Përplasja që pasoi midis Jackson e Göring është pjesë e mësimit që është e mundur të nxirret nga ky proces: gjendet thelbi i konfliktit midis ambientit të dhembshur e të rregullt e një avokati provincial me jakë të kollarisur dhe botës marramendëse, arrogante dhe përbuzëse e gangsterit në uniformë që ish bërë. Jackson ishte në fund të fundit një njeri i thjeshtë me nivel mesatar kulturor, një avokat i panjohur nga Nju Jorku, të cilit mbështetjet politike i kishin mundësuar ngjitjen deri në Gjykatën e Lartë. Por, i ngjitur në këtë kolltuk të lartë, kish harruar artin e të pyeturit dhe gjatë zhvillimit të proceseve, që i ishte dashur të bënte, ishte hedhur në sofistikimin e vazhdueshëm të limosjeve juridike.

Hedhjet dhe pritjet e Göring e bënin nervoz Jackson. Si një dem i provokuar nga toreadorët, vazhdonte të hidhej në çdo drejtim të mundshëm. Nuk pranonte që një i pandehur të refuzonte t'u përmbahej rregullave të lojës, rregulla të mirëpërcaktuara nga gjendja e tyre: fitimtari nga njëra anë, i mundur nga ana tjetër. Nga ana e tij, Göring dukej se e kish vendosur ta tallte Jackson dhe t'i shkatërronte prestigjin: e ndihmonin në këtë detyrë gjuha therëse dhe indiferenca ndaj vdekjes. Kur Jackson, duke tentuar me dëshpërim të shpëtonte diçka nga një dokument i vitit 1935 i konsideruar gabimisht nga bashkëpunëtorët e tij si provë e planit nazistë për militarizimin e Renanisë, një vit më parë se të ndodhte një gjë e tillë, Göring me ton të prerë u tall me të, duke i thënë se nuk kujtonte t'i kish parë ndonjëherë përpara luftës planet sekrete të komandave të larta amerikane të botuara në shtyp. Të qeshura të mbytura kumbuan në të gjithë sallën. Jackson hoqi kufjet nga veshët dhe i përplasi në bango. Pastaj me përulësi u kërkoi gjykatësve ta vinin në rregull të pandehurin, duke u thënë se duhej t'u përgjigjej pyetjeve dhe të mos kalonte në diskutime shterpë. Por Lawrence vendosi që përgjigjja e Göring ishte e pranueshme. Duke mos dashur të dorëzohej dhe të futej në polemika, Jackson e përsëriti me forcë dhe për një kohë të gjatë se procesi do të dilte nga kontrolli në qoftë se të akuzuarve u jepej shumë hapësirë. "Përgjigjja e Göring", u shpjegoi në vijim prokurorëve të tjerë, "kish qenë e pacipë e agresive dhe Gjykata duhej të kish përdorur çekiçin e saj". Të gjithë u bindën se Göring e kish fituar raundin. Siç referoi më pas një gazetar anglez, Jackson e kish shpëtuar nga gongu. Mbledhja e asaj mbrëmjeje midis krerëve të kolegjeve të akuzës ofroi momente me interes të madh dhe kështu u shpreh Jackson: "Arroganca e Göring gjatë seancës së sotme konfirmoi atë që kundërshtarët e këtij procesi kanë theksuar gjithmonë: Në qoftë se u jepet këtyre zotërinjve mundësia e të folurit, ata do të përfitonin për të bërë propagandë dhe transformuar gjithçka në një farsë. Kur unë kundërshtova qëndrimin e Göring dhe i kërkova gjykatës ta urdhëronte të përgjigjej në mënyrë të përgjegjshme [Gjykatësi Biddle] i pëshpëriti diçka në vesh kryetarit të trupit gjykues dhe menjëherë gjykata e hodhi poshtë objeksionin tim me iniciativën e saj, pa pritur as mendimin e mbrojtësit të Göring. Në qoftë se bën qejf si kësaj radhe, Göring do t'i nxisë të akuzuarit e tjerë të sillen si ai. Nuk kam dëgjuar asnjëherë që një kundërhetim të mund të kryhej kështu. Dëshmitari duhet të jetë i detyruar t'u përgjigjet pyetjeve, duke e shtyrë çdo shpjegim në një moment të dytë (në një seancë të mëpasme pyetjesh). Nuk është e mundur të kryhet një kundërhetim, nëse gjykata nuk mban nën kontroll dëshmitarin dhe Göring e ka kuptuar se e ka vënë gjykatën në litarë". Më pas, gjithmonë e më i irrituar për débâcle e tij, propozoi të mbyllej menjëherë kundërhetimi i Göring. Por Maxwell Fyfe i tmerruar, u shpreh kundra: "Ta lësh tani do të interpretohej si një fitore e pengimit taktik të Göring".

"Göring i lejohet të na mbushë me predikime", replikon Jackson, "dhe kështu që ai bëhet gjithnjë e më shumë arrogant. Po të vazhdojmë kështu, do t'u bëjmë vendeve tona më shumë keq se mirë". Lidhur me këtë pikë, prokurori britanik u shpreh dakord: "Duhet t'i shpjegojmë gjykatës se kemi përballë një politikan ekspert, që do ta ulë poshtë procesin në qoftë se gjykata nuk do të bashkëpunojë me ne. Pasoja mund të jetë katastrofike". Pastaj sugjeroi t'ua drejtonte këtë paralajmërin "vetë gjykatësve tanë", duke shtuar: "Veç të tjerash, Komisioni Aleat i Kontrollit ka frikë se kjo seancë pyetjesh e Göring mund të restaurojë prestigjin nazist, duke shkaktuar kështu një dëm të madh". "Ky", bie dakord Jackson, "është një aspekt themelor i procesit, për sa i përket arritjes së objektivit". Këto dhe pika të tjera të përmbledhjeve stenografike dokumentojnë në mënyrë të detajuar faktin që gjykata nuk ishte gjë tjetër veçse një instrument politik dhe se sa pak hapësirë i ishte lënë paanshmërisë. "Göring i lejohet", vazhdoi Jackson, duke iu drejtuar kolegëve të tij në një shpërthim tjetër zemërimi, "të bëhet një hero nazist, që ka kurajon të kundërshtojë Shtetet e Bashkuara. Kjo do të tërheqë mbi të admirimin e nazistëve të mbetur gjermanë dhe do të mundësojë të influencojë mbi qëndrimin e të akuzuarve të tjerë, duke i shtyrë të veprojnë njëlloj.

Këtë pasdite, për një çast, pothuajse kam menduar se do të kish qenë më mirë t'i kaloje nën armë të gjithë këta njerëz në grup". Maxwell Fyfe qe më i fortë se Jackson. Kur qe radha e tij të drejtonte kundërpyetjet, bulëza djerse u shfaqën në ballin e Göring të ftuar që të përgjigjej lidhur me pushkatimin e 50 pilotëve britanikë që në mars 1944 qenë arratisur nga kampi i përqëndrimit i Sagan. Por edhe në këtë rast, siç e pranon më pas prokurori britanik, Reichsmarschall, u demostrua dëshmitari më i vështirë që kish pyetur ndonjëherë. Më pas, Maxwell Fyfe i bëri Göring një pyetje veçanërisht të hidhur: a ishte akoma besnik i Hitlerit, pavarësisht mizorive që kishin dalë ndërkohë? Pas një çasti ngurrimi, Göring u përgjigj se ishte detyrim, sipas tij, për të qenë besnikë në momente të vështira. Shtoi se me shumë probabilitet Hitler dinte për mizoritë më pak sesa dinte vetë ai. Ndërhyri atëhere akuzuesi sovjetik, që i kërkoi Reichsmarschall se përse nuk kish refuzuar t'i bindej Führer të tij. "Sikur ta kisha bërë", u përgjigj Göring, duke u kthyer në zakonin e tij të batutave me kripë, "nuk do të mund të preokupohesha për shëndetin tim".

"Kemi pasur vështirësi të mëdha me Göring", shkruan Jackson, disa ditë më vonë. "Është gjë e pabesueshme që gjykata akoma nuk e ka vënë në vendin e tij. Përreth një orë kam pasur sukses në marrjen e përgjigjeve të tij, por më pas më ka dhënë një përgjigje absurde dhe unë i kam kërcyer përsipër. Biddle u kthye menjëherë nga kreu i trupit gjykues dhe në thelb i tha që ta linte që ai të përgjigjej si të donte. Kështu Lordi mori vendimin dhe kjo, me një individ të markës Göring, qe katastrofale. Për dy ditë nuk kemi marrë përgjigje, por vetën leksione. Më së fundi, situata është bërë e padurueshme dhe kryetari tha se i ishte lejuar të bënte shumë llogje. Tashmë dëmi ishte bërë". Me Göring më së fundi të vënë nën kontroll nga Sir David, Jackson mori frymë. "Më në fund e kemi vënë përfund", i shkruan John Mçloy. "Ama ka qenë një betejë e gjatë, e vështirë dhe shumë propagandë e kotë është derdhur mbi Gjermaninë". Dhe pastaj shton: "Kishim aq shumë dokumente kundër tij, që më së fundi e kemi vënë përfund. Besoj se tashmë është i mbaruar". Pas këtij episodi, por ndoshta edhe më parë, u asistua në një luftë të pamëshirshme midis Jackson dhe anëtarëve amerikanë të gjykatës. Kur u desh të kërkohej një banesë e re në Nyremberg, gjykatësi Biddle u kujdes që ajo të mos ishte shumë afër asaj të Jackson. Vlerësimi i tij më pak më ofensiv ndaj Jackson (që në fund ishte akuzuesi i vetë vendit të tij në procesin më të rëndësishëm të shekullit) ishte se përpara se të dëgjonte të tjerët kishte nevojë për një grusht në kokë.

"Mendoj se është ndodhur i lidhur duar e këmbë me një grua koti dhe të shpifur", i shkruan Biddle së shoqes, duke aluduar për sekretaren e Jackson, Elsie Douglas. "Ajo e ushqen, e përkëdhel, sillet si një grua poseduese dhe e aftë thotë vetëm po... nxjerr në pah anën e keqe të karakterit të Bob Jackson". Nga ana e tyre çifti Jackson e urrenin Biddle. Shumë herë këta i ftoi, siç e donte zakoni, në shtëpinë e tij, por ata e refuzuan ftesën.

Djali i Jackson, William, ia atribuonte ecurisë së pakënaqshme të procesit, pas duelit famëkeq Jackson-Göring, "mefshtësisë dhe dashakeqësisë së atij intrigantit Biddle" përveç dobësisë së kryetarit anglez të trupit gjykues, "ai tullumbaci i fryrë Lord Lawrence", siç përcillet qartë në letrën e tij të fundmarsit: "Procesi nuk ecën aspak mirë, kryesisht falë Francis Biddle, që ka marrë postin e Donovan në pozicionin e një biri kurve të klasit të parë. Është patologjikisht xheloz për babanë dhe del jashtë vetes boll që ta vërë në vështirësi. Xhelozia e tij filloi kur kuptoi se babai kishte një makinë më të madhe, një zyrë më të madhe dhe një shtëpi më të madhe. Por [babai] është superior ndaj Biddle që do të donte të ishte personazhi numër një dhe të merrte të gjithë meritën". Duke përshkruar duelin midis babait të tij dhe Göring, vazhdon kështu i biri i kryeprokurorit amerikan: "Konkluzioni është se ai [Biddle] ka arritur t'i imponohet kryetarit anglez të trupit gjykues, që është njeri me karakter të dobët, që t'i lejojë Göring të thotë atë që do, mbarë e mbrapsht. Kështu qe e pamundur për tim at ose për të tjerë të kundërpyesnin Göring, i cili, përkundrazi, e xhiroi seancën derisa ta transformonte në një glorifikim të Hitler e të regjimit nazist. Qe një gjë skandaloze dhe e turpshme, por anëtarët e trupit gjykues, që janë për më tepër budallenj, nuk e kuptuan se po fyheshin, por Biddle arriti atë që donte". Ngushëllimi i vetëm i Jackson qe vetëdija se të gjithë, sidomos shtypi, e dinin se cilat qenë motivet që shtynin Biddle: "Nuk është njeri i pranuar mirë këtu, siç nuk ishte në Uashington. Besoj se kësaj radhe e ka ekzagjeruar". Natyrisht që Biddle i shikonte gjërat ndryshe. Pak orë pas atij dueli, shkruan privatisht lidhur me poshtërimin e bashkatdhetarit të tij: "Sot Robert Jackson ka bërë një figurë të keqe gjatë kundërpyetjeve të Göring. Nuk e njihte argumentin dhe nuk kish studiuar dokumentet, mbi të cilat duhej të pyetej Göring dhe ky i fundit e vinte në lojë. Robert: “Kështu ju i mbanit sekret këto plane?'. Göring: I komunikonte vallë me radio planet e saj ushtria amerikane?'. Robert: 'Dëshimtari është ngurrues. Praktikisht është në mungesë dhe nuk u përgjigjet pyetjeve me një po e me një jo'. E të tjera. Në thelb na ka kërkuar neve gjykatësve ta mbrojmë. Lawrence më ka shikuar si për të më kërkuar ndihmë, por unë kam preferuar ta lë ta bëjë vetë detyrën e tij dhe kam heshtur. Shtymë seancën, por të gjithë mendonim se Göring e kish fituar garën e batutave me kripë: gjë që ishte e vërtetë". Gabimi i Jackson, vërejti Biddle, ishte se donte të sillej si At i Shenjtë, por nuk ishte e lehtë të sulmoje një gangster të vjetër si Göring, "individ i shkëlqyer dhe kontradiktor i denjë për shekullin e XVI-të". Göring dëgjonte me vëmendje pyetjet, fitonte kohën e nevojshme dhe pastaj përgjigjej rëndë. Kurse Jackson as nuk i dëgjonte përgjigjet. Varej krejtësisht nga shënimet e veta dhe ishte kujdesur ta thellonte çështjen siç duhej të bënte një akuzues përpara se të përballonte një kundërpyetje. Bashkëpunëtori i Jackson i ngarkuar me pyetjet, koloneli Amen, atë natë darkoi me gjykatësit. Kuptoi se Biddle, ashtu si Jackson, mendonte se kryetari britanik i trupit gjykues, Lawrence, ishte i dobët dhe i pavëmendshëm gjatë seancave: "Kemi nevojë për një drejtues", mendonte. "Unë po plas, Birkett është dakord, por heziton të flasë". Situata duket se po percipitonte. Amen, një prej njerëzve më të mirë që punonin për Jackson, ishte nervoz: shefi i tij, hungërinte ai, ishte i rrethuar nga "yes-men" dhe për këtë motiv nuk ishte dhe nuk ishte mirë në korrent lidhur me procesin. Pastaj dhe publiciteti ia kishte dhënë kokës: "Humbet terren", thoshte Amen, "dhe ka nevojë për ndihmë". Domethënë ishte e dukshme se dueli Jackson-Göring kish bërë copa gjykatë dhe akuzues. Të gjithë i kishin nervat e tendosura, nerva që qenë lodhur edhe nga zgjatjet e këtij procesi. Mungesa e shtyllës kurrizore të gjykatësve e kishte një efekt pozitiv, mendonte në mënyrë cinike William Jackson, i biri i gjykatësit: në fund të procesit nuk do të bënin gjë tjetër përveçse të dënonin pothuajse të gjithë të akuzuarit dhe më këtë procesi do ta "arrinte qëllimin e tij". Për dy javë, Jackson debatoi nën peshën e triumfit të Göring dhe të poshtërimit të vet. Më 30 mars, nga avioni që e çonte nga Nyrembergu në Paris, i shkruan së shoqes një letër të indinjuar: "Me vendimet e dobta dhe të paqarta, gjykata lejon që procesi të bëhet një bufonatë". E dinte mirë se detyra më e vështirë që e priste do të ishte debati final, por ishte e pamundur të parashikoje se kur do të arrihej në konkluzion. "Nga ana e akuzës, ekziston vullneti që të përfundojë brenda 1 korrikut. Sikur të kishim pasur një kryetar gjykate si gjykatësi Sears në vend të këtij... Oh, Zot!".

Nga çdo cep i botës vërshonin letra të drejtuara në burg Reichsmarschall me mesazhe të tipit: "Mbaje kokën lart, Hermann!" e "Bravo, Hermann!". Por këto letra nuk ju treguan asnjëherë Göring. Edhe Jackson mirrte letra inkurajimi, por në një numër më të vogël nga Göring. Një beqare angleze i shkruan nga Brighton: "I nderuar zotëri! Në akuzat e tuaja ndaj të pandershmit Göring, njerëzit duket se harrojnë se firma e Paktit të Mynihut u filmua dhe unë e kam parë këtu në Brighton, në kinema Regent apo në kinema Savoy. Në kinogazetën British Gaumont apo Pathé. Në këtë film, Göring ndodhej në sfond, me uniformë të bardhë. Ecte lart e poshtë, duke qeshur me vete i kënaqur dhe duke mbërthyer duart i kënaqur. Nuk ishte gjesti i një njeriu që do paqen, por ai i një individi të shpifur që ka arritur të fusë në kurth një njeri të ndershëm e naiv si Kryeministri ynë i atëhershëm, që kur u kthye në atdhe u thirri njerëzve se kish siguruar paqen. Ju përshëndes, zotëri, sinqerisht dhe me simpati, duke qenë ju i impenjuar që të fusni në hekura të poshtrin Göring. Firmosur: A. Ferida Rassam (zonjushe)".

Fitorja e Göring sigurisht që nuk ka qenë vendimtare, por do ta persekutonte njëlloj Jackson gjatë të gjithë jetës së tij.

Përgatiti:

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›