E Shtunë, 31 Tetor 2026

NYT: Papa Ratzinger në dijeni të skandaleve seksuale

Autori i Lajmit: Redaksia

Nju-Jork – Gazeta amerikane “The New York Times” ka rihapur një rast pedofilie të një prifti të Viskonsinit duke pohuar se drejtuesit e Vatikanit, duke përfshirë edhe Papa Benediktin XVI, nuk kanë ndërhyrë për të larguar nga kisha një prift të akuzuar për ngacmim seksual, dhe nuk kanë marrë parasysh as paralajmërimet e shumë peshkopëve amerikanë. Sipas gazetës, bëhet fjalë për të paktën 200 fëmijë shurdhë. Korrespodenca e brendshme mes peshkopëve të Viskonsinit dhe kardinalit Jozef Ratzinger tregojnë se prioriteti më i madh në atë moment ishte të mbronin Kishën nga skandali, shkruan gazeta. Rasti lidhet me një prift amerikan, Laurence Murphy, që kishte punuar në shkollën për fëmijët shurdhë nga 1950 në 1977. Nga korrespondenca e plotë e peshkopëve amerikanë dhe kardinalit Jozef Ratzinger, papës së ardhshëm të Kishës Katolike, rezulton, sipas gazetës, që në vend që të përjashtonin priftin, ata mendonin se prioriteti më i madh në atë moment ishte të mbronin Kishën nga skandali. Dokumentet janë bërë publike në sajtin e gazetës amerikane. Rregullat e kishës nuk kanë “penguar asnjëherë denoncimin e abuzimeve seksuale me fëmijët nga autoritetet hetuese”, - thotë ati Federiko Lombardi, duke përfaqësuar njëkohësisht dhe qëndrimin e Vatikanit. Nga ana e saj, gazeta e Vatikanit merr në mbrojtje Papën nga akuzat e NYT-së dhe i vlerëson ato si një “përpjekje për të goditur” Papa Benediktin XVI. Gazeta u referohet për këtë dosjeve sekrete të kishës. Kështu Ratzinger u informua për rastin, kur ishte shefi i Kongregacionit nga ish- arqipeshkvi i Vinskonsinit. Një veprim i brendshëm i kishës kundër priftit u bë megjithatë nga zëvendësi i Ratzingerit. Prifti, pas akuzave për abuzime, u vendos në një tjetër dioqezë, por aty lejohej të punonte me fëmijë. Ndërkohë sot ai ka vdekur.
Prifti në fjalë quhet Laurence C. Murphy, i cili punonte në një shkollë shurdhësh mes viteve 1950 dhe 1974. Më 1996 kardinali Ratzinger, nuk tha asgjë në lidhje me dy letrat e dërguara nga kryepeshkopi i Miluokit, Rembert G. Ueakland. Pas tetë muajsh, zëvendësi i tij, kardinali Tarcisio Bertone, sot sekretari i Shtetit të Vatikanit, nisi një proces sekret, që kërkonte largimin e atit Murphy. “Dua vetëm të jetoj atë që më mbetet nga dinjiteti dhe priftërimi im”, - shkruan pak çaste përpara vdekjes ai. Zëdhënësi i Vatikanit, Federiko Lombardi, thotë për “Times” se në këtë skandal kemi të bëjmë me një rast tragjik, që ka përfshirë viktima vulnerabël dhe që kanë vuajtur shumë nga ajo që ai ka bërë. Duke abuzuar seksualisht me fëmijët që nuk dëgjonin, ati Murphy ka thyer ligjin dhe ajo çka është më e rëndësishme besimin që viktimat e tij i kishin dhënë”.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›