E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta, pensione falas në shtëpi për banorët e Gërdecit



Pensionistët e fshatit Gërdec do ta marrin pensionin e tyre në shtëpi pa paguar asnjë tarifë transferte. Lajmi është bërë i ditur dje nga Posta Shqiptare, e cila ka vendosur t’ua dërgojë atyre pensionin në shtëpi deri kur fshati Gërdec të jetë rindërtuar dhe banorët t’i jenë kthyer jetës së tyre normale. Gjithashtu, Posta Shqiptare ofron transferta me zero komision të parave për banorët e Gërdecit, të cilët duan t’i çojnë ato jashtë Shqipërisë. Në vendimin më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Postave në favor të familjeve të Gërdecit, theksohet se banorët e këtij fshati do të mund të kryejnë transferta me zero komision nëpërmjet rrjetit Euro-Giro. Sipas Postës, ofrimi i këtij shërbimi është një akses i mirë, pasi të lënduarit e tragjedisë mund të shfrytëzojnë falas rrjetin Euro-Giro me 660 mijë zyra postare, kudo në botë. Të gjithë ata që kanë të afërmit e tyre jashtë Shqipërisë, miqtë, shokët apo dashamirësit, tashmë mund të çojnë para pa paguar komision. Kjo ndihmë për transferta falas të parave vjen pas një tjetër nisme që Posta ka ofruar për mbledhjen e fondeve për tragjedinë e ndodhur para 11 ditëve. Kompania ka ofruar një tjetër shërbim për qytetarët që kanë dëshirë të kontribuojnë për të lënduarit e tragjedisë dhe që banojnë në zona ku nuk ka rrjet bankar. Ata mund të transferojnë donacionet e tyre financiare në numrat e llogarisë së hapur nga qeveria pa paguar komision.

Ndarja e ndihmave, ankohen banorët e fshatit Marqinet

Tiranë - Banorët e Marqinet 1, një prej fshatrave të prekur nga shpërthimi i 15 marsit, ankohen për vonesa në shpërndarjen e ndihmave dhe fondit të emergjencës. Sipas tyre, ky proces nuk po kryhet me transparencë, por me ndihmat po abuzohet. Ndërkohë, pretendimet e banorëve hidhen poshtë nga drejtuesit e Bashkisë së Vorës. Ata shpjegojnë se shpërndarja e fondit të emergjencës për Marqinetin do të nisë ditën e premte. Sipas tyre nuk ka vonesa, por janë procedurat që kërkojnë kohë dhe që kanë sjellë situatën duke theksuar se nuk ka vend për abuzime. Gjithashtu, Bashkia e Vorës shton se ka përfunduar shpërndarjen e fondit të emergjencës për Gërdecin dhe për fshatin Marqinet 2.

Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile: ”Situata në Gërdec, nën kontroll”

Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile është shprehur me një deklaratë për shtyp se po ndjek me vëmendje maksimale situatën e deritanishme lidhur me ngjarjen e Gërdecit, në koordinim të plotë me autoritetet vendore të Vorës, Durrësit, si dhe institucione të tjera. Nga të dhënat e deritanishme, në ditën e njëmbëdhjetë të operacionit, Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile bën të ditur se ecuria e operacionit të kërkim-shpëtimit “Gërdeci 08” ka qenë e kënaqshme, duke sjellë lehtësimin e situatës dhe përmirësimin e ndjeshëm të situatës në zonën e operacionit. Situata e sigurisë në zonën e operacionit është e qetë dhe pa probleme, ndërkohë që ruajtja e zonës vazhdon edhe gjatë natës. Nga të dhëna të tjera të operacionit rezulton se janë grumbulluar 825 predha të paplasura, rreth 5000 predha të plasura dhe janë kontrolluar 900 ha territor. Që në ditët e para dhe në vazhdim, fëmijëve të grupmoshave të ndryshme iu sigurua arsimi në shkollat e zonës dhe në kopshtin “Soros”, si dhe transporti dhe personeli shoqërues nga Drejtoria Arsimore. Përsa i përket shërbimit mjekësor, ai është në funksion të plotë 24 orë me mjek, infermier, si dhe me të gjitha medikamentet e nevojshme për trajtimin e rasteve të evidentuara. Në gatishmëri janë gjithashtu grupet e psikologëve dhe punonjësve socialë të ardhur nga shoqata të ndryshme.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›