Shkurt rrethet
Fëmija 9-vjçar, prej një javë i zhdukur
MIRDITË - Ka kaluar plot një javë që 9-vjçari Olsion Gega nga Dardhazi i Fanit të Mirditës figuron i zhdukur dhe tashmë të vetmit njerëz që kontrollojnë për gjetjen e tij janë nëna dhe disa të afërm. Fëmija jetim u zhduk papritur kur pati shoqëruar xhaxhanë në bjeshkë me bagëti, ndërsa nga mali po kthehej për në shtëpi së bashku me qenin e tij. Kafsha mbërriti në banesë, por jo djaloshi, zhdukja e të cilit ra në sy vetëm kur u kthye xhaxhai i tij nga bjeshka.
Thuajse i gjithë fshati dhe policia kërkuan për ditë të tëra, por pa rezultat, ndërkohë që u tërhoqën për të mbetur në kërkim vetëm nëna e tij dhe fëmijët e tjerë. Askush nuk di të thotë për jetën e fëmijës, ndërsa zhdukja mbetet misterioze, pasi është kërkuar thuajse në çdo metër të malit nga ku mendohet të ketë kaluar fëmija.
Ka disa versione të hedhura nga fshatarët, të cilët thonë se fëmija mund të ketë mbetur pre e ndonjë grabitqari në mal, pasi ditën e zhdukjes së tij ka qenë shumë ftohtë dhe ka rënë dëborë. Mësohet se 9-vjçari kishte probleme me shqisën e dëgjimit, ndërsa rritej në gjendje të vështirë ekonomike së bashku me tre vëllezërit e tjerë tek xhaxhai i tij, pasi i ati, Pashk Gega, u aksidentua katër vite më parë. Ndërkaq, familjarët bëjnë apel për ndihmë për gjetjen e birit të tyre.
----------------------------------------------------------------------------
Arrestohen 28 femra si të dyshuara për prostitucion
GOSTIVAR - Brenda dy ditëve. policia maqedonase ka arrestuar 28 femra në lokalet e Gostivarit, të cilat janë vlerësuar si viktima të tregtisë së mishit të bardhë. Sipas policisë, vajzat janë të moshës nga 24 deri në 28 vjç dhe janë nga Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia. Ato janë prangosur në fshatin Ravenë të Gostivarit dhe fshatin Dabri Dallë. Në këtë aksion të policisë janë kapur edhe 9 femra të tjera mbi moshën 40 vjç, të cilat ushtronin profesionin e prostitutës. B.Berberi
-------------------------------------------------------------------------
Rrjeta e gjelbër kthen 273 emigrantë
GJIROKASTËR- Një tjetër operacion "Rrjeta e gjelbër" mbërthen një numër të madh klandestinësh që synonte largimin drejt Greqisë. 273 emigantë të paligjshëm janë kthyer mbrapsht vetëm brenda tri ditësh, në kuadër të operacionit të përbashkët shqiptaro-grek.
Burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër theksojnë se operacioni i 13-të i përbashkët është zhvilluar në bashkëpunim edhe me drejtoritë homologe të Janinës dhe Epirit në Greqi. Qëllimi i këtij operacioni ishte për "parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë së mundshme kriminale, trafiqeve të paligjshme, të qenieve njerëzore dhe bimëve narkotike, si dhe trafikimit të mjeteve motorike" që mund të zhvillohet nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek".
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se vetëm përgjatë tri ditëve të zhvillimit të tij, patrullat e policisë kufitare kanë kthyer mbrapsht 273 shtetas shqiptarë, që tentonin të hynin ilegalisht drejt Greqisë. Pjesa më e madhe e emigrantëve klandestinë janë kapur pranë vendkalimeve kufitare të Kakavijës në Gjirokastër dhe Tri Urave në rrethin e Përmetit, ndërsa edhe policia greke ka kthyer mbrapsht deportivë. Operacioni "Rrjeta e gjelbër" pasoi aksionet ndërkombëtarë të koduar "Ballkan Antitrafik" që policia e Gjirokastrës ka ndërmarrë gjatë viteve të kaluara në bashkëpunim me homologët e Janinës dhe Epirit.
--------------------------------------------------------------------
Gjendet një çantë me 1 kg kanabis
ELBASAN - Disa fëmijë zbulojnë një çantë me kanabis në një nga tunelet e ish-repartit ushtarak në vendin e quajtur "Teqja e Madhe" në periferi të qytetit të Elbasanit. Për çantën është njoftuar policia dhe efektivat kanë mbërritur në vendin ku ishte konstatuar çanta e braktisur në fund të tunelit.
Pas kontrollit u pa se brenda saj ndodheshin disa qese të cilat përmbanin bimë të thata, që dyshohet të jenë kanabis sativa. Në çantën sportive ndodhej një qese plastmasi ngjyrë rozë me 58 pako celofoni transparente, pesha e të cilave arrinte 131 gramë, ndërkohë në një qese të bardhë ndodhej sasia e bimëve të thata ngjyrë jeshile me peshë 882 gramë, po kanabis sativa.
Sipas hetimeve, sasia e drogës është vendosur në tunel nga persona që kanë pasur si qëllim shpërndarjen e saj. Fillimisht u hodh dyshimi për braktisje, por më pas, kur sasia e kapur rezultoi e një cilësie të mirë, nga hetuesit u përcaktua se droga ishte e fshehur. Po hetohet për gjetjen e pronarit të saj. B.Nergjoni
-------------------------------------------------
Grabitet dyqani në qendër të fshatit
ELBASAN - Dyqanet në komuna të ndryshme kanë qenë objekt i sulmit të vjedhësve. Kështu, një natë më parë, në komunën Lënije të rrethit të Gramshit u vodh një dyqan ushqimor. Nëpërmjet derës anësore të ndërtesës, persona ende pa emër kanë arritur të hyjnë e të nxjerrin nga aty 100 mijë lekë, 15 karta rimbushëse telefonike dhe një motor-sharrë. Dyshohet se autorët janë banorë të fshatit.