E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjigandi aziatik dhe Shqipëria



Nga Fatmir Kovaçi

Pjesëmarrja e Kryeministrit shqiptar në Forumin Ekonomik të Azisë 2009 duhet përshëndetur nga opinioni ynë publik. Dikush u shpreh: “Tani e gjeti të shkojë në Kinë?!” Nuk ka shprehje më tipike të mendësisë komuniste kjo frazë. Mundësitë për të sjellë kapital dhe për të rritur gjasat për vende të reja pune duhen parë kudo ku ato na shfaqen. Prandaj dhe pranimi nga Kryeministri Berisha i ftesës së bërë nga homologu i tij kinez ia vlen të shihet pikërisht në optikën e mundësive që duhen gjuajtur për të thithur investimet e huaja tek ne. Sa më shumë kapital i huaj të vijë tek ne në këto kohë të vështira, aq më shumë do të qëndrojë larg nesh kriza. Nga ana tjetër, shumëkush e di dhe madje edhe këtu tek ne njerëzit janë ndërgjegjësuar, se prej disa vitesh vende si Kina dhe India po diktojnë në ekonominë botërore. Kina me një industri në rritje galopante dhe që ofron produkte nga kompjuterat deri tek brisqet e rrojës me një kosto gati dy herë më të ulët se produktet e ngjashme evropianoperëndimore. India me produktet e saj nga industria farmaceutike tek programet kompjuterike. Futja e këtyre vendeve me tregje gjigande natyrshëm në vendimmarrjen më të lartë ekonomike të planetit (Grupi i njëzet vendeve më të zhvilluara, G-20) u dëshmua si e suksesshme në samitin e Londrës të datës 2 prill 2009. Interesat sidomos të kapitalit kinez për zgjerim dhe pika referimi në Evropë duhen përfillur dhe konsideruar nga komuniteti ynë i biznesit. Edhe pse ekonomia botërore është në krizë, Kina ia doli që për muajin mars 2009 të kishte një nivel rekord në sasinë e kredive të dhëna nga sistemi i saj bankar. Ky tregues u dha zemër bursave aziatike të fitonin pikë. Në këtë prizëm, është mirë që qeveria jonë, në personin e kreut të saj ndodhet e pranishme këto ditë në Forumin e Azisë. Mund të krijohen kushte dhe shanse që të intensifikohen bindshëm shkëmbimet e biznesit, por sidomos idetë dhe planet për investime thelbësore në Shqipëri nga ana e kapitalit kinez. Komuniteti i biznesit në Kinë, për shkak të specifikave të zhvillimit kapitalist të këtij vendi gjigand, është shumë pranë dhe ndikohet shumë nga qeveria kineze. Kështu që takimi i Kryeministrit Berisha me homologun e tij kinez mund të jetë ogurmirë. Prej një raporti mirëbesimi dhe diskutimesh për sipërmarrje me interes reciprok mund të kemi një përsëritje të kontratave në miliarda euro që patëm dy vitet e fundit në fushën e energjisë me kompanitë e vendit fqinj, Italisë. Prandaj dhe duhet parë me shpresë nga Kina. Ia vlen të shikojmë mundësitë e marrjes së investimeve kudo ku ato shfaqen. Nëse kemi një hotel pesyjesh “Sheraton” në Tiranë, kjo i takon frymës investuese të një sheiku arab. Fryma investuese e sipërmarrësve kinezë mund t’i sjellë Shqipërisë shumë kapital dhe avantazhe të tjera. Një tjetër prurje dhe shans për vendin tonë në Forumin Ekonomik të Azisë është së atje ndodhen të pranishme shumë nga kompanitë më të mëdha të globit. Të tilla si “Google”, “Deloitte Touche”, “Microsoft”, “Tata Group”, “Ericsson”, “Royal Philips Electronics”, “Samsung”, “Toyota Motor Corporation” apo grupe bankare të fuqishme si “Bank of America Merril Lynch”, “HSBC Bank”, Banka për Zhvillimin e Azisë etj. Sikur një nga këto banka apo grupe të pranojë t’i japë Shqipërisë hua një kredi prej disa qindra milionë eurosh, gjasat për të vuajtur pasojat e krizës zvogëlohen edhe më shumë tek ne. Prandaj vizita disaditore e Kryeministrit shqiptar në Azi duhet parë pikërisht nga këto mundësi investimi dhe lidhjesh afatgjata për Shqipërinë. Ajo nuk është as një vizitë turistike (sikurse në mënyrë të papërgjegjshme dhe aspak të informuar u shpreh ndonjë media), as edhe një vizitë thjesht kortezie. Gjigandi kinez mund të sillet nëpërmjet saj më pranë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarët ia vlen ta dinë se nga bashkëpunimi ekonomik me Kinën vendi ynë do të ketë vetëm përfitime.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›