E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e “kafkave të thyera”



Nga Nebil Çika

Duket qartë se aksioni politik i opozitës në këtë fushatë elektorale është krijimi i situatës konfliktuale si mundësi destabilizimi në prag të zgjedhjeve. Opozita ka rritur dukshëm tonet agresive, ndërkohe që në skalionin e parë të fushatës së saj janë thirrur emra të njohur për ashpërsi komunikimi dhe trend destabilizues në politikëbërjen e tyre. Erion Braçe dhe Kastriot Islami po konturohen aktualisht si “pararoja” politike të z. Rama në fushatën e sapunisur elektorale. Të dy njihen për agresivitetin ekstrem politik, gjë që paralajmëron një fushatë të egër nga ana e PS-së dhe satelitëve elektoralë të saj. Jo rastësisht z. Rama ka thirrur “nën armë” kontigjentin më agresiv të përfaqësimit politik të partisë së tij. Bashkë me Ramën ata përbëjnë një treshe destruktive, të aftë për të krijuar situata e vatra tensioni që kërcënojnë seriozisht qetësinë e fushatës elektorale dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Por, jo vetëm kaq, i gjithë skenari politik i PS-së për zgjedhjet duket se synon dhunën dhe konfliktualitetin si mënyrën tradicionale të të bërit politikë nga e majta shqiptare. Para disa ditësh, kreu i opozitës organizoi një takim me ish-ushtarakë e policë të liruar, të cilëve u kërkoi “të ruanin votat e PS-së”. Në çdo vend demokratik një veprim i tillë do të konsiderohej i pranueshëm, pasi nënkupton ngritjen e strukturave paramilitare paralele me institucionet kushtetuese, një veprim sa antidemokratik, aq edhe antikushtetues, gjë që në Shqipëri trajtohet ende si normalitet. Duket se fushata e opozitës në të gjitha aspektet, politikë, media dhe terren do të mbështetet te agresiviteti, gjë që shprehet tek mbështetja tek “të fortët” e z. Rama. Hije të së kaluarës konfliktuale të politikës shqiptare bëhen konkrete vetëm për faktin se në krye të fushatës së PS-së është vënë Kastriot Islami, politikani që asnjëherë nuk e ka fshehur urrejtjen ndaj antikomunistëve dhe demokratëve. Mjafton të kujtojmë deklaratat e tij në Parlament në vitin 1995, kur kërcënonte kundërshtarët politikë se do “t’u thyejmë kafkat” politikë që u konkretizua në 97-n me djegie për së gjalli, vrasje e krime të tjera, për të kuptuar se çfarë simbolizon qenia e tij në krye të fushatës së PS-së. Për z. Braçe nuk ka nevojë për koment, pasi ai përfaqëson në gjithë qenien “kastravecin” politik, gjë që e ka dëshmuar në çdo fjalë apo sjellje publike. Por për çfarë i duhet z. Rama një politikë kaq konfliktuale dhe një falangë elektorale kaq agresive? Për të kuptuar këtë duhet t’i hedhim një sy historisë politike e elektorale të PS-së. Si trashëgimtare politike dhe gjenetike e Partisë Komuniste, PS-ja e ka pasur të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të përshtatet me mënyrën demokratike (me votë) të marrjes së pushtetit. Në këta 19 vjet të pluralizmit politik në Shqipëri PS-ja nuk ka marrë apo ka mbajtur asnjëherë pushtetin me votën e lirë. Pas rënies nga pushteti në vitin 1992, nuk mbahet mend ndonjë moment që pushteti i PS-së të jetë legjitimuar. Rikthimi në pushtet me dhunën e armëve, pas revolucionit të vitit 1997 (i paralajmëruar nga Kastriot Islami) u pasua nga zgjedhjet e dhunshme e të manipuluara të vitit 2001, ku spikatën manipulimet me listat e zgjedhësve dhe fenomeni “Dushku”, për ta dorëzuar atë pas përpjekjeve të dështuara të dhunës dhe manipulimit dhe presionit ndërkombëtar në vitin 2005. Pra, duket qartë se PS-së i mungon jo vetëm tradita, por edhe besimi, madje edhe mendimi që pushteti mund të merret edhe me votë. Në këtë këndvështrim, duket se politika që zoti Rama po u ofron shqiptarëve në këto prag-zgjedhje, është sa malinje aq edhe e rrezikshme. Nuk ka dyshim se situata e vë kryetarin e PS-së përballë tri alternativave: të fitojë, të prishë ose të justifikojë humbjen e zgjedhjeve. Nëse për alternativën e parë z. Rama ka pak apo aspak shanse, dy të tjerat janë të realizueshme, pasi edhe përvoja nuk i mungon, dhe të detyrueshme, pasi përndryshe i duhet të largohet nga kreu i PS-së, për këtë nuk i mungon. Fiksimi te “kartat e identitetit” shpreh realisht frikën e tyre nga humbja si pasojë e zhvleftësimit të një prej armëve tradicionale të tyre për marrjen e pushtetit, manipulimit me listat e zgjedhësve apo certifikatave të falsifikuara. Duket qartë se opozita nuk e dëshiron suksesin e këtij procesi për arsye se përfundimi i tij kufizon mundësinë e justifikimit me teorinë e vjetër të manipulimit, por edhe shkaqet për një destabilizim të mundshëm të procesit zgjedhor, një alternativë që historia afatshkurtër e pluralizmit shqiptar nuk na lejon ta nënvleftësojmë. Gjithsesi, rikthimi te politika e “kafkave të thyera” përbën një kërcënim serioz për zgjedhjet dhe krejt standardet demokratike të Shqipërisë. Kjo situatë përbën një kambanë alarmi për pjesën e përgjegjshme politike të vendit, institucioneve e përfaqësuesve ndërkombëtarë, si dhe opinionit e elektoratit shqiptar. 1997-a, por edhe historia e gjysmëshekullit të kaluar të së majtës shqiptare, është e mjaftueshme për të marrë me mend se çfarë janë të aftë të bëjnë ata për pushtetin. Situata bëhet edhe më alarmante nëse nuk do të harrojmë të llogarisim edhe rrezikun që vjen nga papërgjegjshmëria më shumë se politike e drejtuesit aktual të PS-së dhe i krejt të majtës ish-komuniste shqiptare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›