E Diel, 1 Nëntor 2026

Naço: Fshehtas, do votoja pro Vishës. Islami: Qëndrim personal, jo politik

Share

Votimi i dy ditëve më parë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Parlament, ndonëse shkaktoi konfuzion të madh dhe debate në sallën e Kuvendit, duket se realisht nuk ka arritur të prodhojë ndryshim të aleancave në politikë. Kjo për faktin se deputeti Kastriot Islami dhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, e kanë shpjeguar votën e tyre pro kandidatit të mazhorancës, Elvis Çefa, si një zgjedhje personale, të pavarur dhe pa prapamendime sa i përket lidhjeve me shumicën parlamentare. Në një prononcim për Shqip, ish-deputeti Islami theksoi se e kishte parë këtë votim, si një zgjedhje normale personale, nisur edhe nga pozita e deputetit të pavarur që ka në Kuvendin e Shqipërisë. Të njëjtin qëndrim shprehu dje edhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Sipas tij, votimi për Elvis Çefën ishte aq spontan, saqë po që se ai do të kishte votuar në mënyrë të fshehtë, do të kishte votuar kandidatin e opozitës, Ardian Visha. Votova për Çefën sepse pashë që ishte e vetmja kandidaturë, nisur nga fakti se opozita nuk lejoi votimin me kuti. Po të kishte pasur një votim normal me kuti, do të votoja për Ardian Vishën, duke qenë se për shumë vite kam qenë prokuror dhe e njoh personalisht kandidaturën e PS-së, theksoi ministri Naço. Sipas tij, opozita kishte një plan të caktuar për të mos lejuar në sallë një votim normal, nisur nga fakti se nuk kishte votat e duhura për ta shpallur kandidaturën fituese. Madje Naço thekson se opozita kërkon të krijojë një situatë të tillë bllokuese edhe për çështjen e Presidentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›