E Diel, 1 Nëntor 2026

Nadal: Kam lindur kampion, por për të fituar gjithmonë lodhem

Në çdo cep të Madridit të sheh syri ndonjë tabelë publicitare me fytyrën e tij. Sepse Rafael Nadal është heroi i Spanjës, sidomos në këto ditë me turneun që po zhvillohet në kryeqytetin spanjoll. Është mbrëmje. Nadal nuk ka luajtur, sepse kundërshtari i tij e ka pranuar humbjen. Kështu stërvitet për më shumë se dy orë dhe pas saj, në vendin ku qëndrojnë zakonisht atletët të sheh syri një djalosh të qetë që firmos autografe dhe gjen kohën për t‘u siguruar që një raketë e tij t‘i shkojë mikut të Serxhio Ramos, mbrojtësit të Realit të Madridit dhe Kombëtares. Në Spanjë biomekanikët dhe profesorët e psikologjisë sportive mundohen të shpjegojnë sekretet e talentit të tij, ndërsa të pasionuarit thonë me zë të lartë se "Rafa mund të fitojë shumë Grand Slame". E në fakt, djaloshi 23-vjeçar, i cilësuar si sportisti më i mirë i vitit 2008 në kontinentin e vjetër, mund t‘ia dalë mbanë të jetë numri një në botë.

Rafa Nadal, a është i ndryshëm luku juaj jashtë fushës?

Në të vërtetë jam gjithmonë i njëjti.

Po për të gjithë je një lloj "doktor Yeykell dhe zonja Hyde"?

Më mungon vetëm që të më vini një personalitet të dyfishtë, pastaj jam në rregull.

Vendosmëria juaj gjithmonë i frikëson kundërshtarët?

Kjo është mënyra se si unë jam "gatuar", por si në rast fitoreje ashtu edhe në rast humbjeje sjellja ime mbetet e njëjtë.

E lehtë t‘i dëgjosh këto fjalë nga dikush që nuk humb kurrë?

Por unë e pranoj gjithmonë verdiktin në fushë dhe nuk nënvlerësoj kurrë asnjë njeri.

Asnjë, asnjë?

Që nga seti i parë. Çdo kundërshtar mund të surprizojë dhe unë nuk kam dëshirë që të humbas që nga seti i parë.

Kështu ke mësuar se parandalimi është kura më e mirë?

Për mua gjithmonë ka qenë kështu. Gjithmonë.

Edhe kur ishit fëmijë?

Sigurisht dhe në fakt fitoja gjithmonë. Nga kampion i ishujve Baleari, pastaj numri një i Spanjës kur isha 13 vjeç e kështu me radhë.

Fitoret tuaja tani janë normaliteti?

Që në fakt ka një çmim. Nuk është falas.

Ashtu? Dhe kush është çmimi?

Lodhja. Ajo nuk kursen askënd, madje as mua.

Roland Garros është afër, ju takon të fitoni?

Të gjithë e presin fitoren time, por nuk është e vendosur.

E di se çfarë ndodhi në vitin 1969?

Imagjinoj shumë gjëra, jo vetëm një.

Në tenis, një farë Laver, fitoi gjithë "Grand Slamet" e atij viti.

Unë luaj për të fituar turnetë ku marr pjesë. Të paktën përpiqem.

Jeni supersticioz?

Le të themi vetëm që, meqë fitova Melburnin, mund të arrij t‘ia dal mbanë këtë vit.

Na trego nëse Rafa Nadal lind apo bëhesh?

Mendoj se lind. Fenomenet nuk rriten. Apo e kam gabim?

Ju e keni çuar kufirin e tenisit më lart?

Po? Ku, në hapësirë?

Ky sport ju ka bërë më të shpejtë, më të fuqishëm. Ju jeni F1 i tenisit.

Më mirë të mos e diskutojmë. Kemi Alonson për këtë. Megjithatë, këto biseda më bëjnë për të qeshur. Do të kisha fituar vetëm sepse kam muskuj të fuqishëm?

Alonso, Gasol: cili është sekreti i kësaj Spanje që ka shumë potencë sportive dhe yje të rinj?

Po jetojmë një periudhë të shkëlqyer dhe jemi një brez me talente dhe fenomene. Jemi kampionë të Evropës.

Si mendoni, a do ta fitojë Barcelona Ligën e Kampioneve në Romë?

Shpresoj që po. Kemi kulturën e duhur sportive, që po jep frytet e saja në të gjitha llojet e sportit dhe kjo është një gjë shumë e bukur.

Le të rikthehemi sërish te ju: jeni përmirësuar teknikisht, pasi fituat Uimbëlldonin?

Për këtë nuk flisja kurrë më parë. Muskujt nuk mjaftojnë, fjala magjike është tenis. Po e përsëris, tenis dhe vetëm tenis.

Ishte e vështirë kur preve flokët?

Jo fare. Tani më duhet të shkoj. Kam lënë një ndeshje bilardoje pezull.

Por cili është sekreti yt?

Një jetë e qetë e rrethuar nga njerëz të besuar.

Jo seks dhe rok en‘roll?

Thashë qetësia, që do të thotë se gjërat bëhen me kufi.

4 Roland Garros

Rafael Nadal, 23-vjeçari nga Majorka, ka fituar katër herë Roland Garrosin, përveçse edicionin e fundit të Uimbëlldonit dhe Australia Open

Seka

23 vjeç

Më 3 korrik, Rafael Nadal mbush 23 vjeç. Është nipi i Miguelangel Nadal, një ish-futbollist. Është stërvitur nga xhaxhai i tij, Toni

6 Grand Slame të fituar

4 Roland Garros

1 Uimbëlldon

1 Australia Open

2005

Është cilësuar si viti i tij më i suksesshëm me 11 turne të fituara

203 km/h

Shpejtësia maksimale e goditjes



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›