E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik 2009 në Vlorë, asnjë përmirësim i kushteve higjieno-sanitare

Ujërat e zeza derdhen në det
Edhe këtë vit, plazhi i Vlorës do të jetë pjesë e problematikës. Uji i detit vazhdon të jetë i ndotur, ku veçohet për tu theksuar në këtë rast mosmarrja e masave për higjienën e tij. Ndotja e ujit është prezent prej dhjetëra vitesh sa vjen e shtohet për shkak të derdhjes së ujërave të zeza të njërës prej lagjeve më të mëdha të këtij qyteti. Atmosfera festive vetëm një javë më parë në plazhin e ri në qytetin e Vlorës, me rastin e hapjes së sezonit turistik, nuk ndikon aspak në kushtet se si do ta bëjnë plazhin pushuesit sivjet në detin rreth Vlorës. As masat e mira organizative tokësore në këto plazhe, me ngritjen e disa ËC publike buzë detit, gjë që duhet përshëndetur, nuk do ta përmirësojnë dot nivelin e ndotjes në ujin e detit që prej dhjetëra vitesh trumbetohet se është i ndotur. Përkundër punimit të rërës, që gjithashtu duhet përshëndetur, uji i detit edhe këtë vit do të ketë fatin e viteve të tjera, do të jetë përsëri i papastër dhe mund të krijojë probleme shëndetësor për ata persona, që do të preferojnë plazhet e qytetit për të kaluar verën e këtij viti. Bëhet më shumë fjalë për plazhin që shtrihet nga Skela, në Ujin e Ftohtë që është aktualisht edhe plazhi më i rrahur nga pushuesit. Shqetësimi më i madh, në këtë rast është derdhja e ujërave të zeza direkt në det. Duke qenë se në këtë hapësirë ranore, derdhen ujërat e lagjes më të madhe në këtë sezon, 10 Korriku, që gati trefishohet gjatë këtij sezoni, falë ardhjes së qindra mijëra turistëve vendas dhe të huaj, shqetësimi është i madh jo thjesht për erën e keqe dhe të padurueshme, që përhapet në këto hapësira, por edhe për ujin që ndotet dhe bëhet epiqendër e epidemive të ndryshme. Ka kohë, që përflitet për këtë problem por gjithë këmbanat bien në vesh të shurdhër. Duket, se edhe këtë vit veshët e Bashkisë së qytetit për këtë problem kanë qenë të pandjeshëm. Kjo, për faktin se në hapësirën ranore nga Skela në Ujin e Ftohtë derdhen direkt e në det, rreth 10 kanale të ujërave të zeza të kësaj lagje. Më të dukshme, këta janë në hapësirën pranë shkollës së Marinës, ku ka dyndje pushuesish, për vetë afërsinë e këtij plazhi me qytetin. Duke qenë se shumica e këtyre pushuesve vijnë pa makina dhe nuk e kanë mundësinë e shkuarjes në plazhet e Orikumit dhe të Radhimës, ata detyrohen të pushojnë në këtë plazh. Mirëpo edhe nga praktika e vjetshme dhe e viteve më parë, ndonëse janë të detyruar të rrinë aty, ata kanë hasur gjendje të mjerueshme të ujit të detit, të përzierë me ujërat e zeza që derdhen direkt e nga tualetet e lagjes në ujërat, ku ata janë të detyruar të lahen. Vjet në shumë raste, pushuesit përveç pakënaqësive të çastit u përballën edhe me sëmundje të ndryshme lëkure dhe mjekim në spital, gjë që nuk është çudi të ndodh edhe këtë vit, se në drejtim të higjienës së detit nuk është marrë asnjë masë, të paktën deri në këto ditë. Por, duket se nuk do të merren edhe në ditët në vazhdim. Pas interesimit tonë pranë Drejtorisë së Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bashki, mësohet se masat e ndërmarra më së shumti janë përqendruar tek prurja e rërës në këtë plazh, që gjithsesi është mirë, por jo zgjidhje. Ndërsa, sapo i pyet drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje, se çdo të bëhet me derdhjen në det të ujërave të zeza, të gjithë largohen duke ngritur supet. Kjo ndërmarrje duhet falënderuar që sivjet të paktën ka vendosur në distance të ndryshme nga njëra-tjetra shumë ËC publike, por kjo është vetëm për kalimtarët momentale dhe pushuesit ditor sepse ujërat e zeza të lagjes më të madhe në verë të qytetit, 10 Korriku do të vazhdojnë të derdhen në det dhe sipas zakonit do të bashkohen me derdhjet e anijeve të ndryshme dhe do ta ndotin më shumë detin, ku do të lahen qindra, mijëra pushues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›