Prokuroria e Durrësit, ndjekje penale për firmën ku u aksidentua 21 vjeçari
Prokuroria e rrethit Durrës ka nisur procedimin penal kundrejt administratorit dhe drejtuesit teknik të firmës EHAD. Silvan Deda, 33 vjeç, me detyrë administrator si dhe Adriatik Hasa, 32 vjeç me detyrë dhe drejtor teknik, pranë kësaj firme, janë vënë në ndjekje penale pasi akuzohen për shkelje të rregullave të sigurimit në punë.
Kjo masë është marrë, pasi ditën e premte në lagjen numër 13, në Plazh Durrës dhe pikërisht në objektin 6katësh të firmës në ndërtim EHAD ka rënë nga lartësia, Sajmir Benja, 21 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në lagjen numër 18, Kënetë, Durrës i cili punonte aty si punëtor ndërtimi. 21 vjeçari Benja ka ndërruar jetë, rrugës për në spitalin e Durrësit, pasi dëmtimet e pësuara nga rënia në lartësi ishin të mëdha. Vdekja e 21 vjeçarit, Sajmir Benja është e dyta në harkun kohor të një muaji. Disa ditë më parë një tjetër punëtor nga Durrësi gjeti vdekjen gjatë kohës, që po punonte në katin e parë të një pallati, pas rënies së një pllake prej mermeri. Bëhet fjalë për 44 vjeçarin Fatmir Ymeri, babai i dy fëmijëve. Sipas grupit hetimor, 44 vjeçari humbi jetën ndërkohë që po punonte në një objekt shumëkatësh në lagjen numër 13, Plazh. Shkak për vdekjen e tij, u bë pasi nga lartësia u shkëput një pllakë mermeri duke i rënë në kokë. Ndërkaq, brenda këtij viti janë shënuar gjashtë raste të aksidenteve në punë me pasojë vdekjen e shtetasve. Një tjetër punëtor ndërtimi është aksidentuar, teksa punonte për ndërtimin e një pallati në lagjen 13 në plazh të Durrësit, në rrugën e Ish-frigoriferit. Këtë herë, viktima ishte 39 vjeçari Aleks Shkira, i cili u gjet i vdekur në një gropë me ujë pranë objektit ku ai punonte. Gjashtë, punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e mungesës së kushteve teknike në punë, ndërkohë që janë nxjerrë përpara drejtësisë, katër shtetas dhe vetëm njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa për tre të tjerët filloi ndjekja penale.