Durrës, 31 familjet në vilat e Plazhit lënë banesat e amortizuara
Bashkia e Durrësit do të duhet të kërkojë një strehë të përkohshme për 31 familjet, që janë vendosur në dy objekte në plazhin e Durrësit. Çështja e kompleksit të vilave, në lagjen Nr. 13, të shfrytëzuara për dhjetëra vite si qendra rezidenciale të përkohshme për pushime 15-ditore, ka vite që ka tërhequr vëmendjen e bashkisë. Institucioni i Bashkisë, së fundi ka dhënë vendimin për lirimin e dy vilave, me sipërfaqe prej 309 m2 secila dhe që gjenden në sektorin Apollonia, në Plazh.
Godinat janë ndërtuar në vitet 1970, por pas viteve 1990, në këto vila nuk është vënë dorë fare me investime për rikonstruksion. Pikërisht në këtë periudhë janë vendosur edhe 31 familje, të cilët kanë mundur të qëndrojnë në këto objekte rezidenciale për pushues, duke u justifikuar me kartën e të pastrehëve. Bashkia ka theksuar, se në vilën numër 36, me vlerë fillestare të inventarit 76.173 mijë lekë, jetojnë 16 familje të pastreha, kurse në vilën numër 38 me vlerë fillestare të inventarit 76.174 lekë jetojnë 15 familje të tjera me status të të pastrehëve. Të dy vilat, tashmë do të kenë pronarin e tyre të cilët e kanë fituar fillimisht me anë të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave që në vitin 1993 dhe së fundi kanë gjetur mbështetje edhe në ministrinë e Ekonomisë e cila i ka në inventarë. Sektori i shërbimeve publike në bashkinë e Durrësit është shprehur se banorët nuk do të braktisen dhe se është realizuar një marrëveshje me pronarët e truallit, që të sistemohen qoftë edhe përkohësisht. Nga ana tjetër, bashkia ka thënë se moslirimi i dy vilave të ndërtuara 40 vite më parë, detyronte bashkinë të derdhte të gjithë detyrimin financiar që rridhte. Në plazhin e Durrësit janë disa objekte të tilla të pushtuara nga familje të të gjitha shtresave shoqërore, të pamundshëm ekonomikisht dhe financiarisht për të blerë një apartament të tyre. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, pas vendimit për tua kthyer pronarëve objektet e mësipërme ka thënë se askush nga familjet që ka jetuar deri tani në këto vila, nuk do të dalë jashtë, pasi fillimisht ata do të sistemohen me qira në të tjera apartamente dhe shumë shpejt do të kenë shtëpitë e tyre. Durrësi është ndër qytetet me më shumë probleme të strehimit, pasi numëron afro 6200 familje të pastrehë dhe se 2100 prej këtyre familjeve, jetojnë në banesat që tashmë u është mohuar ligjërisht e drejta e pronësisë mbi to.