E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta e ARMO-s do të tregtohet edhe një vit

10/01/2009  Ruli: Masa mbrojtëse për të kufizuar pozitën dominuese të ARMO-s

Nafta D2 e cilësisë së dobët do të vijojë të tregtohet edhe gjatë 2009-s në treg. Ndërsa nafta e së njëjtës cilësisë e importuar nga jashtë nuk lejohet prej 1 janarit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, theksoi se këto masa janë marrë për të mos bllokuar punën në sektorin e nxjerrjes së naftës në vend, i cili ka punësuar rreth 6 500 persona. Gjithashtu, sipas Rulit, kompania ARMO e privatizuar pak kohë më parë do të furnizojë shoqëritë e tjera, që do të kenë më shumë avantazhe.

Arsyet

Kjo masë është detyrim ndaj angazhimeve për ruajtjen e mjedisit që Shqipëria ka në kuadër të integrimit në BE. Por sipas ministrit Ruli, me shtyrjen për një vit i lihet më shumë kohë investitorit privat të bëjë investime për të rritur cilësinë e naftës vendase. “Nafta shqiptare me përmbajtje të lartë squfuri nuk ka treg jashtë vendit. Me investimet e duhura teknologjike që janë parashikuar në kontratën e shitjes së ARMO-s, brenda një viti ajo mund të përpunohet për të nxjerrë nënprodukte brenda standardeve të pranueshme mjedisore”, - tha Ruli. Sipas kreut të Energjetikës, ky vendim favorizon kompaninë ARMO, por do të ketë masa balancuese që të mos abuzohet me pozitën dominuese. “Fakti që kemi një prodhues të vetëm, potencialisht krijon pozicion dominues. Por me aktet nënligjore që do të nxjerrë Qeveria, si dhe me ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës nuk do të ketë abuzime”,- tha ministri Ruli. Nafta e prodhuar nga ARMO zë vetëm 19 për qind të totalit të konsumit. Konsumi i naftës në vendin tonë në total arrin në 420 mijë ton në vit. Nga këto, 340 mijë ton është nafta e importit dhe vetëm 80 mijë ton është ajo e prodhuar në vend nga kompania ARMO.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›