E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta që po i bën naftën ekonomisë

Tiranë- Në 5 dekadat e fundit bota është përballur disa herë më kriza nafte. Më e madhja ishte ajo e vitit 1973, e cila gati e dërrmoi ekonominë botërore, duke injektuar një recesion global, që zgjati më shumë se një dekadë. Ne ekonomitë kapitaliste të perëndimit rritja mesatare ekonomike u përgjysmua, ndërsa në ish bllokun e varfër komunist kriza e naftës thelloi edhe më shumë mjerimin.

Madje disa ekonomistë thonë se ajo ishte shkaku kryesor i rënies së komunizmit në vendet e lindjes. Krizat e naftës historikisht janë pasuar nga efekte të forta në ekonominë globale. Jo rastësisht recesioni më i madh që që nga lufta e dytë botërore u parapri nga një tjetër krizë nafte, ajo e vitit 2008, ku çmimi arriti rekordin historik prej 147 dollarë për fuçi.

Pak muaj më vonë tregjet financiare, fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas në Europë, ranë në kolaps. Rezultati ishte një krizë shtaërruese për botën, e cila ende nuk ka fund. Por teksa ekonomia përballet me krizën, nafta po kërcënon sërish. Në tregjet ndërkombëtare çmimi i arit të zi është rritur me mbi 15 për qind krahasuar me fillimin e vitit. Tashmë është e sigurtë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmimi i naftës do të vendosë fatin e zgjedhjeve presidenciale, ndërsa në rang global ai do të përcaktojë se sa do të zgjasë kriza dhe dhimbjet që  ajo ka sjellë. Nafta mund të shndërrohet në Greqinë e re të ekonomisë botërore.

Deri tani ende jo, por nëse konflikti mes Perëndimit dhe Iranit do të përshkallëzohet duke kërcënuar ngushticën e Hormuzit, nafta mund të paralajmërojë fundin e rigjallërimit global.

Stagflacioni i frikshëm

Pikërisht tani ekonomia shqiptare përballet me shumë rreziqe njëherësh; rrezikun e një përkeqësimi të mëtejshëm të krizës së eurozonës, atë të thellimit në rënien e kërkesës agregate e madje edhe shthurjes financiare të qeverisë. Por asnjë nga këto nuk është më i frikshëm se sa rritja e çmimit të naftës. Kjo në dy drejtime.

Së pari çmimi i lartë i naftës mund të zhysë sërish ekonominë e drobitur europiane në recesion. Dhe tani as kryeministri nuk ka më dyshime për atë se çfarë ndodh në Shqipëri kur ekonomia e BE-së është në krizë. Dërgesat e emigrantëve do të bien edhe më shumë, ndërsa bizneset shqiptare do të përballen me kërkesë më të ulët për eksporte.

Së dyti, përtej pasojave që vijnë nga jashtë, shtrenjtimi i naftës gjeneron efekte zinxhir edhe nga brenda. Në pikat me pakicë, tashmë çmimi po i afrohet nivelit 200 lekë për litër, një kufi i cili shkatërron fillimisht besimin e konsumatorëve, por jo vetëm. Biznesi po përballet me rritje të kostove, të cilat do të përcillen më vonë në çmimet e produkte finale që blejnë konsumatorët. Inflacioni tani qëndron në nivele të ulëta, për shkak të rënies së çmimit të artikujve ushqimor në tregjet globale. Por kjo tendencë do të ndryshojë nëse çmimi i naftës qëndron në nivele të larta dhe qytetarët shqiptarë mund të përballen me një tjetër krizë çmimesh si ajo e vitit 2008.

Në kohë  normale rritja e çmimit të naftës shoqërohet gjithmonë me inflacion masiv. Por në kohë krizash, ajo mund të krijojë skenarin më të frikshëm për një ekonomi, stagflacionin. Një situatë kur çmimet në treg rriten edhe pse ekonomia është në krizë dhe papunësia qëndron në nivelet të larta. Efektet e rritjes së inflacionit në kushtet kur fuqia blerëse e qytetarëve shqiptar kanë rënë mund të jenë shkatërruese për ekonominë. Dhe ky nuk është një skenar imagjinar. Bota e ka provuar dy herë. Lufta e Yom Kippurit në vitin 1973 mes Izraelit dhe vendeve arabe shkaktoi stagflacion global për dy vite me radhë 1974-1975. Revolucioni iranian i vitit 1979 solli të njëtën gjë në vitet 1982-1984, ndërsa pushtimi i Kuvajtit në verën e vitit 1990 e zhyti botën në recesion.

Prodhimi pa vlerë

Ndonëse i vetmi vend në rajon që prodhon naftë, Shqipëria sërish është importuese neto e karburanteve. Vitin e kaluar, importet për këtë zë ishin 960 milionë dollarë, ose gati 9 për qind e prodhimit kombëtar. Eksportet ndonëse në sasi thuajse të barabarta me importet, në vlerë ishin për të njëtën periudhë 417 milionë dollarë ose 2.3 herë më pak, pasi Shqipëria shet naftën e saj me çmim të ulët dhe ble shtrenjtë nga jashtë. Deficiti vjetor i karburanteve luhatet nga 500 deri në 540 milionë dollarë, shifër kjo gati sa 5 për qind e Prodhimit kombëtar. Kjo do të thotë se për cdo rritje me 10 për qind të cmimit të naftës në tregjet botërore, kostot shtesë që paguan ekonomia shqiptare janë sa 0.5 për qind e Prodhimit të Saj.

Por përkeqësimi i bilancit tregtar nuk është goditja e vetme që jep nafta në ekonomi. Shtrenjtimi i karburanteve rrit kostot për biznesin. Në kushtet kur kërkesa në treg ka rënë për shkak të krizës, rritja e kostove mund të tkurr më shumë prodhimin, investimet e reja, por edhe konsumin e qytetarëve. Në finale rezultati është tkurrje e kërkesës agregate dhe ngadalësim i rritjes ekonomike. Për vite me radhë ekonomistët i kanë studiuar gjatë efektet që çmimi i naftës ka në rritjen ekonomike.

Shumica e tyre kanë dalë në përfundimin se një rritje me 10 për qind e çmimit të karburanteve, e ul rritjen ekonomike të një vendi mesatarisht me 0.2 për qind, në varësi të strukturës së ekonomisë. Por përtej shifrës së saktë të kostove, e sigurtë është se cmimet e larta të naftës parlajmërojnë kohë të vështira përpara për ekonominë e brishtë shqiptare.

Klodian Tomorri

Shkrime të tjera me interes:

  1. Çmimet kërcënuese, nafta shkon drejt 200 l/litër Tiranë- Ekonomia globale po kërcënohet nga një tjetër goditje që...
  2. Rritje dramatike e çmimit të naftës, kërcënohet ekonomia Tiranë- Që prej fillimit të vitit çmimi i naftës në...
  3. Nafta po shteron? Asgjë për tu shqetësuar, e prodhojmë nga bakteriet! Karburanti bio është cilësuar si një zgjidhje e mundshme për...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›