Nafta “virxhin”, gjykata: Elezaj të dërgohet në spitalin e Burgut
Tiranë Të arrestuarit për kontrabandën e naftës “virxhin” janë njohur dje, në Gjykatën e Tiranës, me masën e sigurisë “arrest me burg”, të vendosur ndaj tyre katër ditë më parë. Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, tre furgona policie sollën 11 të arrestuar në ambientet e boshatisura të Gjykatës së Tiranës, pasi biznesmeni Hajri Elezaj ndodhet në reanimacionin e kardiologjisë, pas një problemi shëndetësor, të shfaqur mbrëmjen e së dielës. Familjarët dhe të afërmit e të arrestuarve nuk kanë munguar në asnjë moment në ambientet e jashtme të gjykatës, duke pritur përfundimin e seancës për njohjen e masës së sigurisë, e cila zgjati për rreth dy orë e gjysmë. Përgjatë kësaj kohe, gjyqtarja Blerina Muça ia doli t’u komunikonte të arrestuarve vendimin që ajo vetë kishte marrë, pak ditë më parë, për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg. Përveç biznesmenit Hajri Elezaj, pronar i kompanisë “Euroil”, e cila dyshohet se është organizatorja e skemës së kontrabandës së naftës ‘virxhin’, të gjithë të arrestuarit e tjerë kanë shkuar njëri pas tjetrit në sallën e gjyqit. Në prani të dy prokurorëve të çështjes, gjykata ka bërë njohjen e të arrestuarve, duke lënë më pas në fuqi vendimin e pak ditëve më parë. Nga masa shtrënguese e sigurisë “arrest me burg” nuk kanë shpëtuar as dy ish-punonjësit e Tatimeve dhe Doganave, të cilët akuzohen nga prokuroria për shpërdorim detyre. Inspektori i Tatim-Taksave të Fierit, Dashamir Kasaj dhe doganieri i kontrollit fizik në portin e Vlorës, Edmond Ferraj, nuk kanë bërë asnjë deklaratë në gjykatë, edhe pse më herët e kanë kundërshtuar arrestimin në ambientet e policisë. Në seancat që kanë zgjatur vetëm disa minuta, edhe të arrestuarit e tjerë, përfshi edhe tre pjesëtarët e familjes Fisheku, përveç gjeneraliteteve nuk kanë dhënë asnjë detaj tjetër para gjykatës. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Tiranës, mësohet se masa e sigurisë ndaj biznesmenit Hajri Elezaj, i cili ndodhet në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, është zhvilluar në prani të avokatit të tij. Gjykata ka administruar në cilësinë e provës kartelën mjekësore të biznesmenit, sipas të cilës ai rezulton i shtruar në urgjencës e kardio-kirurgjisë. Pasi janë njohur me këtë fakt, gjykata ka vendosur që biznesmeni i arrestuar t’i dorëzohet spitalit të Burgjeve në Tiranë, sapo të përfundojë trajtimin mjekësor në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Gjatë seancës që ka zgjatur deri rreth orës 12:30 të mesditës së djeshme, me gjykatën u përballën shoferët dhe punonjësit e tjerë të kompanisë “Fisheku”, që sipas prokurorisë ka kryer transportin e naftës ‘virxhin’ nga Ballshi, në depozitat e kësaj kompanie në Golem të Kavajës. Edhe këta të arrestuar, nuk kanë bërë asnjë deklaratë para gjykatës, por pasi janë njohur me masën që ishte caktuar, janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranës, për t’u shpërndarë më pas në dy paraburgimet e kryeqytetit.
11 Të arrestuarit gjatë operacionit për kontrabandën e naftës janë përballur dje me gjyqtaren, Blerina Muço, e cila u ka komunikuar masat e arrestit me burg, të marra në mungesë të tyre.
17 Mijë ton naftë “virxhin” dyshohet se është hedhur në tregun vendas, ku është shitur për benzinë, pas falsifikimit të dokumenteve që mbulonin eksportin e saj. Skema kap miliona euro fitime
Falsifikimet në kontrabandën e virxhinit
Sipas prokurorisë, 12 personat e arrestuar dhe dy të tjerë, të shpallur në kërkim, akuzohen si të përfshirë në skemën e kontrabandës së naftës ‘virxhin’ përgjatë viteve 2007-2009. Katër biznesmenët: Hajri Elezaj dhe Iljaz, Martin e Bajram Fisheku, sipas hetimeve të Prokurorisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë blerë naftë ‘virxhin’ nga kompania “Armo”, të cilën e kanë deklaruar për eksport, por ajo është përzierë me benzinën dhe është rihedhur në tregun e pakicës, ku është shitur si karburant. Në këtë veprimtari, të arrestuarit dyshohet se janë ndihmuar dhe nga punonjës të Tatimeve e Doganave, të cilët kanë kontrolluar bilancet dhe përpiluar fatura doganore për eksportin e naftës, në një kohë që nafta virxhin nuk është eksportuar. E gjithë skema është ngritur mbi fatura fiktive e dokumente të falsifikuara.