E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seriali i vjedhjeve në Tiranë, 8 minorenë në hetim

Fëmijët nga 11-16 vjeç akuzohen për vjedhje çantash, celularësh e parash nëpër rrugët e Tiranës. Policia arreston edhe tre të rinj të akuzuar për vjedhje

Tiranë Tetë minorenë dhe tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë, gjatë ditës së djeshme pasi akuzohen për një sërë vjedhjesh të ndodhura në Tiranë. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se u arrit kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i pesë minorenëve nga 12-16 vjeç, banorë të Bathores, të cilët akuzohen për një seri vjedhjesh në Tiranë. “Këta persona dyshohet se në kohë e vende të ndryshme në Tiranë, kanë realizuar vjedhjen me dhunë të çantave, celularëve dhe varëseve të disa qytetarëve. Në bazë të hetimeve të deritanishme është arritur të provohet se ata kanë marrë pjesë në së paku 3 vjedhje me dhunë të ndodhura në Tiranë” – bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për tre minorenë të tjerë nga Tirana, të cilët akuzohen sërish për vjedhje. Këta tre të mitur, u kapën pasi dyshohen se në Bulevardin “Bajram Curri”, në dyqanin e një kompanie telefonike, kanë vjedhur shumën e parave prej 51 300 lekësh. Ndërkohë, në sajë të një pune hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe më pas kapjen e Elvis Kurtit, 21 vjeç, banues në Tiranë. “Kapja e tij u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, janë autor të një sërë vjedhjesh motorash tip piaxho, të ndodhura në kohë e vende të ndryshme në Tiranë” – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Po ashtu, mesditën e djeshme është bërë i mundur arrestimin i Erald Isufajt, 27 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se në bashkëpunim edhe me një bashkëmoshatarin e tij, në rrugën “Ali Visha”, në Tiranë, kanë tentuar t’i vjedhin me dhunë varësen dhe një shumë parash prej 20 000 lekë një shtetaseje, banuese po në rrugën “Ali Visha”. Nga hetimet e deri tanishme rezulton se ky person është i implikuar edhe në një sërë vjedhjesh të tjera po më këtë tendencë. Për të 11 personat e ndaluar, Policia e Tiranës i kaloi materialet Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “vjedhjes”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›