E Diel, 1 Nëntor 2026

Naftëtarët: Të ikin ata që erdhën në fund

VLORE - Në ditën e dytë të grevës së urisë, 30 punonjësit e ndërmarrjes së nxjerrjes së naftës në Gorisht të Vlorës janë vizituar nga përfaqësues lokalë të Partisë Socialiste. 

Në vizitën e kryer për të mbështetur grevistët kanë marrë pjesë deputeti i zonës, Besnik Dervishi, kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika si dhe krerët lokalë të PS-së, Eltar Deda dhe Mëno Besimi. Ata kanë biseduar me grevistët rreth pretendimeve të tyre se reforma që është ndërmarrë në “Albpetrol” është politike dhe në të nuk janë respektuar kriteret e paracaktuara. Dervishi u ka bërë të ditur grevistëve se nga ana e Partisë Socialiste do të ndërmerren të gjitha hapat për mbikëqyrjen e kësaj reforme, ndërsa ka nisur puna për ngritjen e një grupi parlamentar, i cili do të analizojë punën e bërë për reformën në sektorin e “Albpetrol”. “Reformat duhen bërë patjetër, - ka thënë Dervishi, - por ajo që duhet pasur parasysh është respektimi i kritereve dhe ligjit, me qëllim të mos penalizohen ata që nuk e meritojnë, apo të politizohet”. Ai ka garantuar grevistët se Partia Socialiste do të bëjë të mundur që të rishikohen listat dhe të shqyrtohet gjithçka në bazë të kritereve duke biseduar dhe me përfaqësues të ndërmarrjes së naftës me qendër në Vllahinë. “Kush ka ardhur i fundit në punë, të iki i pari”, ka qenë kërkesa në unison e grevistëve. Ndërsa përfaqësues të ndërmarrjes janë shprehur se listat e shpallura do të rishikohen dhe një herë dhe nuk janë përfundimtare, sepse në to mund të ketë edhe gabime. “Janë marrë në punë dhe persona që kanë dokumente të falsifikuara të cilët, pas verifikimit si të tillë do të largohen nga puna”, janë shprehur ata. Kurse grevistët kanë pohuar se në punë janë marrë persona me dokumente të falsifikuara si dhe diplomë të falsifikuar, të cilët nuk janë prekur nga reforma. Punëtorët kanë pohuar se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.                             q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›