E Diel, 1 Nëntor 2026

Telemedicina troket në Shqipëri

Telemedicina mbërrin në Shqipëri, ndërsa një nga qytetet kryesore të saj, Durrësi, konsiderohet të jetë qendër e fuqishme e telemedicinës në Ballkan në të ardhmen e afërt. Një grup ekspertësh amerikanë dhe kosovarë kanë mbërritur këto ditë në vendin tonë për të prezantuar pranë autoriteteve shëndetësore shqiptare idenë e një projekti për zbatimin e telemedicinës në 14 spitale rajonale të vendit, të cilat janë inspektuar prej tyre. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i spitalit të Durrësit, Bashkim Shehu, ndërsa delegacioni ka zhvilluar takime me të gjithë drejtuesit e spitaleve ku mendohet të zbatohet projekti, përfshirë dhe ministrin e Shëndetësisë Nard Ndoka me këshilltarët e tij. Durrësi, me një spital modern që ofron kushte për një aplikim më të afërt në kohë të telemedicinës, është vlerësuar nga delegacioni i ekspertëve si një nga qytetet që do të jetë në pararojë të këtij projekti të rëndësishëm, që gjithsesi tingëllon disi utopik për vendin tonë, ku shpesh edhe godinat spitalore përballen me mungesën e energjisë elektrike. Dhe në rast se një ndërprerje energjetike do të ndodhte ndërsa në spital kryhej një operim në distancë, komunikimi virtual mes kirurgëve do të ndërpritej dhe pasojat mund të ishin fatale për jetën e pacientit. Megjithatë, përparimet në teknologjinë kompjuterike sot dhe shpresa se kriza energjetike të paktën do të përjashtojë nga efektet e veta godinat spitalore ku do të zbatohet projekti i telemedicinës, i bëjnë optimistë zyrtarët e shëndetësisë. As. prof. dr. Rifat Latifi, kreu i delegacionit, u shpreh gjatë një takimi me drejtuesit e lartë të Durrësit, prefektin e qarkut dhe kryetarin e bashkisë, se Durrësi do të jetë një qendër shumë e fuqishme e telemedicinës, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. Kjo pasi spitali i Durrësit ka të gjitha kushtet që do t‘ia mundësojnë këtë status. Latifi, një nga mjekët më të njohur të Qendrës Shëndetësore Universitare të Arizonës në SHBA beson se telemedicina do të ketë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në nivel ndërkombëtar. Në krahasim me Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit, Kosova është një hap përpara në drejtim të zbatimit të telemedicinës. Atje ekziston një rrjet i saj dhe teknicienë të rrjetit janë pjesëtarë të grupit të ekspertëve që do të kryejë instalimin e pajisjeve në spitalet e vendit tonë. Në fund të muajit qershor të këtij viti, projekt-propozimi për futjen dhe zbatimin e mjekësisë virtuale në Shqipëri do të dorëzohet në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe pranë donatorëve të ndryshëm për të thithur fondet e nevojshme për realizimin e tij. Gjatë takimit me krerët e pushtetit në Durrës, Latifi dhe ekspertët e tjerë thanë se presin një mbështetje teknike nga USAID-i, ndërkohë që fonde u janë premtuar edhe nga kreu i dikasterit të Shëndetësisë, Ndoka, me të cilin është firmosur një marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja e nënshkruar zyrtarizon fillimin e një ere të re në cilësinë e shërbimit shëndetësor që do t‘u ofrohet pacientëve shqiptarë, aq shumë të etur për cilësi dhe përkushtim gjatë shërbimit të bluzave të bardha ndaj tyre. Konsultat dhe operimet në distancë nga mjekët më të mirë të botës së përparuar këtej dhe përtej oqeanit do të sigurojnë këtë pritshmëri të shqiptarëve, po deri atëherë duhet pritur për ecurinë e projektit që kërkon fonde, infrastrukturë dhe specialistë. Për këtë qëllim, Rifat Latifi nga Kosova dhe një nga ekspertët më me emër të telemedicinës në Shtetet e Bashkuara deklarojnë domosdoshmërinë e specializimit të personelit. Për mjekë vendas dhe teknicienë kompjuteri në projekt parashikohet ndjekja e një specializimi trejavor. Telemedicina, që ka nisur ditët e fundit të diskutohet në tryezat e specialistëve dhe pushtetarëve në Shqipëri, sipas delegacionit do të nisë të japë frytet e saj të dukshme gjatë vitit 2009.

Ǒështë telemedicina

Telemedicina është bashkimi i teknikave mjekësore dhe informatike që mundësojnë kurimin e një pacienti në distancë ose më thjesht ofrimi i shërbimeve shëndetësore në distancë. Në kuadrin e diagnostikimit, është e mundur për një mjek të gjejë diagnozën mbi një pacient që nuk ndodhet në të njëjtin vend me mjekun, nëpërmjet transmetimit në distancë të të dhënave të prodhuara nga instrumente diagnostikuese. Një nga aplikimet më të zakonshme të telemedicinës është "second opinion", që në shqip do të thotë "opinion i dytë". Në disa vende të botës janë aplikuar me sukses edhe ndërhyrjet kirurgjikale në distancë. Në këto ndërhyrje, mjeku specialist krijon një kontakt vizual dhe zanor me sallën e operacionit dhe "komandon" mjekët që ndodhen në sallë për çdo veprim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›