E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Ksamili do të jetë perla e Mesdheut

00/00/0000  Problemi i ndarjes së trojeve prioritet i PS në Sarandë

Kryeministri Fatos Nano u ka premtuar banorëve të zonës elektoarle numër 99, në Ksamil, zgjidhjen e problemit të ndarjes së trojeve. Kryetari i Partisë Socialiste, i cili është njëkohësisht dhe kandidat për deputet në këtë zonë, tha se “do t’i japim zgjidhjen e duhur problemeve të ndarjes së trojeve mbi bazën e regjistrimit të të gjithë familjeve, mbi bazën e matjeve topografike të kufijve dhe sipërfaqeve, në të cilat do të ndërtohet qyteza dhe komuniteti urban i Ksamilit, në përputhje me investime dhe projekte, që do ta bëjnë Ksamilin një qendër urbane, një qendër turistike, një qendër që do t’i ketë të zgjidhura problemet e furnizimit me ujë, problemet e shkollës, të qendrave shëndetësore, problemet e shesheve, të rrugëve, të parqeve”. Duke e cilësuar si një problem akut punësimin dhe mirëqenien për këtë zonë, Nano tha se “e mora përsipër këtë përgjegjësi, të kërkoj besimin dhe bashkëjetesën me ju vetëm me angazhimin e një zgjidhjeje të qartë, afatgjatë, të ligjshme, të të gjitha problemeve të jetës, të pronës, të mirëqenies, të punësimit, të zhvillimit të të gjitha potencialeve, që flenë në Ksamil”. Kryeministri gjithashtu ka premtuar zgjidhjen brenda pak javëve dhe reformës së tokës. Sipas tij, “në përputhje me ligjin 7501 dhe me ligjin e legalizimit, edhe për familjet e ardhura në këtë zonë, kjo duke respektuar interesat e pronarëve të vjetër, që në bazë të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, do të përfitojnë kthimin fizik ose kompensimin në natyrë, ose para, duke shuar konfliktet, duke harmonizuar nëpërmjet rolit të shtetit dhe të institucioneve të drejtësisë së tij interesat e marrëdhëniet midis banorëve të rinj, pronarëve të rinj, pronarëve të vjetër, banorëve autoktonë, si dhe duke krijuar një hapësirë ku lëvizin natyrshëm të gjithë, duke zhvilluar të gjithë potencialin për turizëm dhe për produkte e shërbime, që mbështesin zgjerimin e lëvizjeve turistike në këtë zonë me punën dhe iniciativën tuaj të ligjshme e të ndershme”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›