E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nuk kemi marrëveshje për proporcionalin

00/00/0000  Reagojnë të majtët për raportin e OSBE/ODIHR mbi “megadushkun”

Aleatët e Partisë Socialiste kanë akuzuar të djathtët për “Dushk”

Paralajmërimi i OSBE/ODIHR për pasojat që sjell një “megadushk” në Shqipëri është cilësuar si i pabazë dhe tepër i vonuar nga përafqësues të partive të majta në vend. Raporti i dy ditëve më parë të OSBE/ODIHR shpreh shqetësim për skemat që partitë e mëdha synojnë të aplikojnë për të fituar zgjedhjet e 3 korrikut, duke ndarë votat e elektoratit në vota për kandidatë dhe vota për subjekt. Një nga bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore, Elmaz Sherifi, duke iu referuar raportit, tha për “Metropol” se ky paralajmërim është tepër i vonuar për kushtet, në të cilat ka precipituar politika shqiptare. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe kryetarë të partive të majta, sipas të cilëve aktualisht nuk ekziston asnjë lloj bashkëpunimi mes partive të tyre dhe Partisë Socialiste për të konkretizuar atë që mund të cilësohej “Dushk”. Sipas tyre, është Partia Demokratike, ajo që ka konkretizuar me marrëveshje bahskëpunimin të tipit “dushk” me partitë e saj satelitare.

Socialistët

Çështja tejet e debatuar vitet e fundit në politikën shqiptare ngelet krijimi i një ligji sa më perfekt për zgjedhjet. Kritika e ndërkombëtarëve për të parandaluar implementimin e një strategjie, e cila do të vinte në pikëpyetje parlamentarizmin në Shqipëri është komentuar nga deputeti Elmaz Sherifi, si një mesazh, i cili nuk i nevojitet shoqërisë shqiptare në këto momente. Sipas tij, “Partia Demokratike ka qenë iniciatorja për të ndërmarrë ndyrshime në kodin e mëparshëm në një kohë që aktualisht po kërkohet të ndryshohet ajo që u kërkua me ngulm disa muaj më parë. Gjithashtu, mendoj se reagimi i OSBE/ODIHR është tepër i vonuar, por dhe i pamundur për t’u realizuar. Pasi kjo ka të bëjë me ndryshimin e gjithë sistemit elektoral në Shqipëri. Ky ndryshim nuk mund të realizohet, pasi do të kishim dhe një ndryshim të Kushtetutës, e cila e pranon që të votohet për 100 kandidatë në zonat elektorale, por të votohet dhe për partinë, duke nxjerrë 40 emra nga proporcionali. PS-ja nuk ishte dakord të bëheshin ndryshimet në kodin e mëparshëm, pasi dhe me atë kod dhe me këtë kod, ajo siguron sërish mazhorancën qeverisëse”.

Aleatët

Krerët e partive të majta, aleate me PS-në në “Koalicionin për Integrim”, shprehen se janë forcat e djathta të spektrit politik ato që po përgatisin “dushkun” në Shqipëri. Sipas presidentit të Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, “shqetësim i ndërkombëtarëve është i pabazë, pasi e vetmja parti që po përgatit “megadushkun” është PD-ja, së bashku me një parti satelitare të sajën. PAD-ja nuk ka ndërmend të bëjë asnjë dushk, asnjë gjethe dhe asnjë fletë”. Ndërsa sipas kryetarit të PAA-së, Lufter Xhuveli, “votuesit shqiptarë do të kenë dy fletë votimi, një për kandidatin dhe një fletë votimi për subjektin, do të thotë që ai është i lirë të shprehë vullnetin e tij dhe kjo është mënyra më demokratike. Termi dushk është futur në mënyrë spekulative për të ngushtuar hapësirat e partive politike. Aktualisht, në forcat e majta nuk po zhvillohet ndonjë “dushk“, e kundërta na rezulton nga forcat e djathta”, tha Xhuveli.Elmaz Sherifi

“Nuk është e mundur që dy muaj para zgjedhjeve të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, pasi kjo do të sillte një deformim të procesit. Raporti i OSBE/ODIHR është bërë në një kohë të papërshtatshme, pasi të dyja këto institucione kanë qenë të lidhura drejtpërsëdrejti me hartimin e kodit elektoral në Shqipëri.

Skënder Gjinushi

Korrektimet që propozohen të bëhen në kod janë të karakterit deformues dhe nuk mund të korrektohet në këto momente, por pas zgjedhjeve. Mbështes deklarimin e ambasadorit të BE-së se “nuk është koha për t’u marrë me këto gjëra, por është koha për fushatë. Lufta mbi proporcionalin do të sjellë fitues ato forca që kanë më shumë mbështetës.

Neritan Ceka

Është shqetësim i pabazë i ndërkombëtarëve, pasi e vetmja parti që po përgatit “megadushkun” në Shqipëri është Partia Demokratike së bashku me një parti satelitare të sajën. PAD-ja nuk ka ndërmend të bëjë asnjë “dushk”, asnjë “gjethe” dhe asnjë “fletë”. Votuesi ka të drejtë të zgjedhë kandidatin apo subjektin që dëshiron.

Lufter Xhuveli

Fakti që votuesit shqiptarë do të kenë dy fletë votimi, një për kandidatin dhe një fletë votimi për subjektin, do të thotë që ai është i lirë të shprehë vulnetin e tij dhe kjo është mënyra më demokratike. Nga pikëpamja ligjore, kjo gjë nuk përbën asnjë pengesë dhe në këtë mënyrë partitë mund të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›