Nano: Malajn, kandidat në Novoselë të Vlorës
29/03/2005 Kryeministri Fatos Nano ka prezantuar Arben Malajn, si kandidat në Novoselë, të Vlorës. Nano i ka kërkuar banorëve të votojnë për alternativën që i ofron PS-ja, si më e mira. Nano tha: "Unë e di që do ta votoni sërish, edhe kjo është një garë për sukses dhe meqenëse këtu në Novoselë synohen nivele të larta, unë nuk do ta quaja të çuditshme sikur Arben Malaj të votohej me 75 për qind të votave këtu". Gjatë vizitës së tij në Vlorë, Kryeministri Nano ka vizituar edhe fabrikën e re të prodhimit dhe përpunimit të vajit të ullirit, të ndërtuar në Novoselë nga sipërmarrja private e kësaj zone. Gjatë kësaj vizite, Nano nuk ka haruar të sulmojë dhe kundërshtarin e tij politik, Sali Berishën. Ai tha se "nuk kemi nevojë për përralla nga e kaluara, për ullirin si e bukura e dheut, që Berisha vazhdon t’ua tregojë Fatbardhpikaloshëve të vet. Ky njeri nuk duhet të kujtojë se Vlora dhe njerëzit e saj, do të harrojnë jo vetëm viktimat që shkaktoi qeverisja dhe regjimi i tij i mbrapshtë, por edhe masakrën në potencialet jetike të zhvillimit të vendit, siç ishte edhe masakra në ullinj, përreth 300 mijë rrënjë që ishin në prodhim, të cilët u përdorën deri edhe për dru zjarri", tha Nano.