E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëri-BE prezantojnë strategjinë e reformave

01/06/2005  Buxheti i Shtetit duhet të ketë të specifikuara shpenzimet që do të shkojnë në favor të reformave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Prezantimi i strategjisë “Konsolidimi i Sistemit të Planifikimit të Integruar” nga Kryeministri Fatos Nano me praninë e komisionerit të BE-së, Lutz Salzman, kishte si objekt koordinimin e të gjitha strategjive shqiptare dhe atyre të huaja në fuksion të integrimit të vendit. Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, pavarësisht nga situata zgjedhore në Shqipëri, qeveritë e ardhshme duhet të sigurojnë një “harmonizim sa më të plotë të procesit të buxhetit dhe proceseve të planifikimit. Në 2006, është planifikuar një përfshirje e plotë e investimeve publike në buxhetin afatmesëm, principe këto që do të reflektohen edhe në Ligjin e ri Organik të buxhetit, që do të miratohet së shpejti. Ne, gjithashtu, vlerësojmë se procesi i integrimit evropian nuk mund të jetë më një proces i veçantë e paralel me axhendat e tjera, por të përfshihet organikisht në SKZHES dhe në planifikimin buxhetor afatmesëm”. Ndërsa nga ana e tij, ambasadori Salzman ka theksuar se “të gjithë donatorët do të mbështesin politikisht dhe financiarisht këtë strategji pas zgjedhjeve. Kjo strategji do të përmirësojë administrimin e qeverisejes dhe do të sigurojë transparencë te qytetarët në lidhje me përdorimin e fondeve publike”. Pavarësisht hartimit të kësaj strategjie, çështja ngelet te zbatimi i saj. Ndërkohë që nga ana e kreut të qeverisë është dhënë garancia se “ne duam që ky proces të mos lëkundet, prandaj konfirmoj angazhimin tonë të plotë, në dobi të institucioneve demokratike, të shtetit ligjor dhe të mekanizmave institucionale që rrisin përgjegjshmërinë dhe kontrollin ndaj qeverisjes. Ne jemi të vendosur të përshpejtojmë progresin ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe për këtë kemi projekte ambicioze edhe në drejtim të modernizimit të shpejtë e të qëndrueshëm të administrimit publik”, tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›