E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano fton Metën në PS

25/05/2005  Kreu i PS sulmon LSI nga zona ku do të kandidojë kryetari i saj Ilir Meta

"Eja në shtëpi, të ikurit të qetësohen dhe të mos mohojnë shtëpinë e lindjes"

Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka ftuar Ilir Metën për t’u rikthyer në PS pikërisht në vendlindjen e kreut të LSI-së. Duke e cilësuar ndarjen e socialistëve si një veprim prej inateve, Nano ka ftuar përfaqësuesit e LSI të kthehen në partinë ku kanë “lindur” dhe të mos kalojnë në mbështetje të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. “Meta nuk iku nga liria, pasi ajo nuk i mungonte, ai iku sepse iu tremb asaj, por u deh pa pirë raki, ai u largua si djali që largohet nga shtëpia i inatosur dhe duhet të kthehet pranë familjes të madhe, ndaj po u ulë në prehrin e Sali Berishës, nuk ka më punë me ju dhe më të ardhmen”, tha Nano.

Thirrja

Kryetari i PS-së i ka bërë thirrje mbështetësve dhe krerëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim të qetësohen dhe të kthehen në PS. “Eja në shtëpin e lindjes, të ikurit të qetësohen dhe të mos mohojnë shtëpinë e lindjes, prandaj ju them sot edhe atyre në emrin tuaj dhe gjithë socialistëve, pasi duke bashkuar votat me Berishën do t’ju ndëshkoj edhe ju historia. Edhe kur skrapallinjtë inatosen, e kanë vendin pas babajit e nënës dhe nuk mund të jenë pre e inatit skrapallinjtë në gjirin e Berishës”, tha Nano, duke iu drejtuar Ilir Metës nga vendlindja e tij gjithashtu dhe zona elektorale. Në Skrapar, Nano ka mbërritur rreth orës 11.30 minuta, ku ka zhvilluar dhe një miting në sheshin “Riza Cerova”. Në hapjen e fushatës elektorale, Nano ka prezantuar kaniddatin për deputet, Adnor Shameti, i cili në këtë rast do të konkurroj me kreun e LSI-së, Ilir Meta. “Jam krenar që jam në Skrapar, në bastionin socialist, ndaj ju jeni lokomotiva, të cilët keni mbështetur PS që nga ’97, kur Berisha desh lëshoj Shqipërinë në pragun e humnerës. Duke hipur në të pa njohur kemi ndenjur edhe në shteg të gabuar, por ja që sot jemi me zemër të përtërirë dhe me moral të fortë”, tha Nano.

Takimet

Kreu i PS-së dje ka zhvilluar takime me elektoratin e Çorovodës, Poliçanit dhe Beratit. Gjatë fjalës së mbajtur në këto takime, Nano ka theksuar se, për katër vjetët e ardhshëm, PS do të rrisë numrin e sipërmarrjeve, kreditimin dhe subvencionimin e fermerëve dhe blegtorëve, kredi me interesa të ulëta në ngritjen e plantacioneve të frutave dhe vreshtave, serave, si dhe do të dyfishojmë kapacitetet e përpunimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Ndaj, ai ka kërkuar mbështetjen për kandidatët e kësaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›