E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pango-Angjeli, replika për dhunë ndaj shtabeve

25/05/2005  Nisin përplasjet në kryeqytet

Kandidatët e zonës 38, në Tiranë, kanë shkëmbyer dje replika, ku kanë denoncuar për dhunë ndaj shtabeve të tyre. Kandidati i Partisë Demokratike në zonën 38, Ylli Pango, e ka konsideruar si një provokacion të rivalit të tij denoncimin e bërë nga kryetari i Njësisë Bashkiake Numër 3, Përparim Bodinaku, i cili pretendon se kandidati i PD-së ka ushtruar dhunë ndaj tij dhe personelit gjatë kohës që ka shkuar për të verifikuar listat e zgjedhësve. Me anë të një deklarate, Bodinaku shprehet se kandidati i PD-së ka tentuar të ushtrojë dhunë fizike ndaj tij dhe punonjësve të tjerë të Këshillit Bashkiak, gjatë një takimi që ishte lënë për verifikimin e zgjedhësve. Për këtë arsye, sipas deklaratës së Bodinakut, është bërë dhe kallëzim penal. Por deklaratat e kryetarit të Njësisë Bashkiake Numër 3 hidhen poshtë nga dekani i Fakultetit të Shkencave, Ylli Pango, i cili në një prononcim për "Metropol" shprehet se akuzat janë të pabaza. “Ne kishim lënë një takim në orën 12 me kryetarin e njësisë bashkiake numër 3 për verifikimin e listave. Unë kam lënë tre punonjëset e shtabit tim elektoral së bashku me juristen e Bashkisë dhe kam shkuar në hotel "Sheraton", në tryezën e ambasadorit Blackuill. Bodinaku ka ardhur rreth orës 14 dhe pasi ka ushtruar dhunë mbi Elsa Meksin, kryetaren dhe pjesëtarë të tjerë të shtabit tim elektoral, ka kërkuar nxjerrjen jashtë të tyre. Pra, enkas ai kishte lënë një takim në orën 12, për të inicuar një incident me porosi të shefit të tij", tha Pango. Më tej, kandidati i zonës 38 është shprehur se kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një provokacion i rivalit të tij politik. "Nuk mund ta përkufizoj si gjë tjetër, vetëm se një provokacion të ulët në prag të humbjes nga rivali im socialist në këtë zonë", tha Pango.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›