Nano fushatë në Elbasan
08/06/2005 Kryeministri dhe kryetar i Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë një takimi me banorë të rrethit të Elbasanit i ka premtuar atyre tapitë e shtëpive dhe pronave që kanë. Kryeministri, duke bashkëbiseduar me banorë në komunitetin e zonës informale të Elbasanit, ka prekur çështjen e legalizimit dhe mundësive të projektit që Qeveria ka hartuar për infrastruturën e kësaj zone informale. ”Gjatë mandatit tonë të ri, ne do të kryejmë regjistrimin e trojeve të vjetra në lagjen "Skënderbej", prandaj që sot u them banorëve të kësaj lagjeje ‘I gëzofshi tapitë e pronave tuaja’”, tha Nano. Duke kërkuar që qytetarët e rrethit të Elbasanit të votojnë për alternativën e majtë, Nano ka sulmuar dhe kreun e PD-së, duke iu drejtuar “me zgjuarsinë që ju karakterizon, nuk do të lejoni që asnjë qytetar dhe shqiptar i vërtetë në Qarkun e Elbasanit të çojë votën dëm në humnerën e Sali Berishës. Merrni pjesë në votime në mënyrë më masive se ndonjëherë tjetër”. Nano i ka premtuar banorëve të këtij rrethi se “ajri i Elbasanit nuk do të ndotet më nga askush. Të gjitha impiantet industriale të Elbasanit, nga ish-Metalurgjia e deri te fabrika e çimentos, po mbyllin vendosjen e filtrave që ndalojnë përfundimisht ndotjen e mjedisit dhe i kthejnë qytetit mushkëritë e pastra dhe gjelbërimin e përjetshëm”.