Tre sherre mes PD dhe PS
08/06/2005 Afrimi i datës së zgjedhjeve ka rritur tensionin e fushatës. Dje janë regjistruar dhe tre incidente të tjera, dy në jug të vendit dhe njëra në Tiranë. PD dega Kuçovë, me anë të një deklarate ka njoftuar për grisjen posterave të kandidatit të PD-së në këtë qytet Aleksandër Melonashi, si dhe është dhunuar ndërtesa e njërit prej aktivistëve të PD-së, Çelnik Braho. “Agresorët kanë punuar të pashqetësuar nga forcat e policisë, saqë arritën jo vetëm grisën posterat, por edhe arritën të vidhnin banesën. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë në orën 04:45 minuta, nga anëtari i kryesisë së degës PD është njoftuar oficeri i rojes së komisariatit Kuçovë. Neglizhenca e punonjësve të policisë ka qenë edhe më e madhe saqë makina e grupit të gatshëm ka mbërritur në vendngjarje më shumë se një orë vonesë”, thuhet në deklaratë. Për këtë akt, dega e PD-së në këtë qytet akuzon kandidatin socialist, Bashkim Fino dhe aktivistët e PS-së. Ndërkohë, shtabi elektoral i zonës 100 në Sarandë njofton se është dhunuar anëtari i kryesisë së PD-së së këtij qyteti, Alqi Sterjo. PD në deklaratën e saj akuzon njerëzit e kandidatit socialist për këtë akt dhune. Njerëz të zv.ministrit Thoma Miço kanë keqtrajtuar dje anëtarin e kryesisë së PD të Sarandës, Alqi Sterjo. "Njerëzit e lidhur me zv.ministrin, kandidat në zonën 100 në Sarandë, kanë dhunuar barbarisht aktivistin e Partisë Demokratike, që punon për fushatën e kandidatit demokart në këtë zonë, Grigor Pasko, i cili ndodhet në spital”, thuhet në deklaratë. Incidenti i tretë është regjistruar në zonën 38 në Tiranë, ku, sipas një njoftimi zyrtar të PD-së, pas përfundimit të një takimi të kandidatit demokrat Ylli Pango, aktivistë të kundërshtarit të tij, Anastas Angjeli kanë, bllokuar rugën për disa minuta dhe kanë nisur të provokojnë pjesëmarrësit.