E Hënë, 2 Nëntor 2026

PR prezanton kandidatët në Laç

08/06/2005  Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka udhëtuar dje drejt Laçit, ku ka prezantuar kandidatin që do të garojë në listën shumememërore në zonën 17 në këtë qytet. Në prezantim merrte pjesë dhe kandidati i Partisë Demokratike në mazhoritar, Pal Dajçi. Gjatë fjalës së tij, Fatmir Mediu i ka bërë thirrje elektoratit të votojë në listën e mazhoritarit për kandidatin e Partisë Demokratike, ndërsa votat e proporcionalit t’i kalojnë Partisë Republikane. Mediu, gjatë fjalës së tij, ka përmendur se marrëdhënia e mirë mes dy partive të opozitës nuk është ndërprerë asnjëherë, duke premtuar se kjo lidhje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Duket se Partia Republikane është ndër më të favorizuarat e listës së proporcionalit në koalicionin e djathtë. Nga 100 emrat që kandidojnë në të gjithë zonat e vendit, 33 prej tyre janë anëtarë ose simpatizantë të PD-së. Kjo do të thotë që strukturat e demokratëve do të motivohen më shumë që votat e proporcionalit t’i adresojnë për kandidatin që mban siglën e PR-së. Ndërsa, për sa i përket partive të tjera aleate, ato kanë preferuar që në të 100 zonat e vendit të kenë kandidatët e tyre në proporcional.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›