E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Malaj: Liria ekonomike më e ulëta në rajon

Arben Malaj (Foto NOA)

Tiranë, 20 janar, 11:53, NOA - Liria ekonomike në vendin tonë, është e kufizuar, tha sot në një konferencë deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj.

Bazuar në raportin e lirisë ekonomike të vitit 2009, dhe keqpërdorimin që qeveria i bën këtij raporti, të shqetësuar për dështimet në elementet thelbësore të rritjes ekonomike, siç janë pronësia dhe mirëqeverisja, të shqetësuar për fushatat mediatike abuzive që tani kanë përfshirë edhe vetë Ministrinë e Financës, përgjegjësen për keqpërdorimin e fondeve buxhetore, në emër të grupit parlamentar të PS dëshiroj të theksoj:

Liria ekonomike e vendit tonë vazhdon të mbetet e kufizuar, ajo cenohet rëndë nga niveli i ulët i lirisë së pronës dhe niveli i lartë i korrupsionit. Liria e pronës është vetëm 30 për qind dhe liria e korrupsionit 29 për qind, ose niveli më i ulët në të gjithë vendet e rajonit.

Mburrja me lirinë fiskale është vetëm dekorative. Përkeqësimi i administratës fiskale, nepotizmi dhe emërimet militante, mbledhjet abuzive të të ardhurave, cmimet e referencës abuzive dhe korruptive, rimbursimet korruptive, i kufizojnë në maksimum impaktet pozitive të lirisë fiskale.

Sipas Malajt, “Shqipëria për shkak të uljes së nivelit formal të taksave vlerësohet se ka lirinë fiskale 92 për qind, por korrupsionin 29 për qind, ndërsa Danimarka një nga vendet më të zhvilluara dhe me politika sociale të harmonizuara e ka lirinë fiskale vetëm 35 për qind por lirinë nga korrupsioni 94 për qind”.

“Në vitin 2008, Forumi Botëror i Davos e rendit Shqipërinë në nivele shumë të ulëta për të konkurruar në ekonominë globale dhe klasifikoi qeverinë shqiptare si një nga më të korruptuarat në marrjen e vendimeve, si edhe një nga më pak transparentet në 134 vende të botës. Me këtë shkallë të lartë të korrupsionit dhe problemeve të pronësisë motori ekonomik i qeverisë Berisha vazhdon të nxjerrë tym ndotës në ambientin e biznesit shqiptar, sikur të punojë 100 për qind me naftë D2”, tha gjatë konferencës ai.

“Deformimi i sfidave të vendit, fshehja e dështimeve, fokusimi tek demagogjia dhe jo përgjegjësia e reformave afatgjata, vështirësojnë sfidat ekonomike të vendit”, përfundoi deklaratën e tij, deputeti i PS, Arben Malaj.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›