E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano në 2015 jemi në BE

19/05/2005  Kryeministri Fatos Nano ka rikujtuar dhe një herë se me miratimin e Strategjisë Kombatëre për Zhvillim dhe me zbatim të saj brenda vitit 2015 Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjatë prezantimit të Strategjisë Rajonale për Qarkun e Durrësit kreu i ekzekutivit shqiptar tha se “kjo strategji, drejt vitit 2015, i cili për ne dhe për rajonin është një vit ambicioz, një vit i arritjes në tërësi i standarteve të integrimit në BE-së, nuk mund të krijohet papritmas, nuk mund të krijohet në boshllëk, nuk mund të krijohet pa këtë eksperiencë, vuajtje dhe arritje shumë të rëndësishme kombëtare dhe lokale të shqiptarëve, të përfaqësuesve dhe të sipërmarrëseve të kombit shqiptar në demokraci”. Duke u ndalur në problemet që mbart qarku më i madh në vend pas atij të Tiranës, Nano ka nxjerë si një shqetësim që mund të kthehet në një nxitje zhvillimi fenomentin e banorëve të ardhur në zonat informale të këtij qarku. Sipas tij, “procesi i legalizimeve duhet të jetë një nga korridoret në të cilat të zbatohet dhe strategjia për zhvillim. Kjo strategji krijon kushtet që të hartohen projekte për t’i shndërruar të ardhurit rishtas nga një barrë për buxhetet dhe potencialet e zhvillimit që administroni në nivel rajonal në një nxitje për zhvillim, në resurse të reja, në sipërmarrje të reja, në përfshirje të komuniteteve të reja, në iniciativat dhe projektet për zhvillim të qëndrueshëm”. Ndërsa me Rezolutën e miratuar nga Kongresi amerikan për Shqipërinë ai tha se "Rezoluta e SHBA thekson që Shqipëria duhet të zhvillojë zgjehdje të lira dhe të ndershme dhe unë e përgëzoj. Ajo i drejtohet të gjithëve dhe qeveria gjen rastin të theksojë se me të njëjtin angazhim do të përsërisë se për ne është i rëndësishëm standarti i zgjedhjeve dhe prandaj jemi të bindur dhe për rezultatin pozitiv të tyre".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›