E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthehet votimi 4-3 në KQZ

19/05/2005  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon kërkesën e Shaban Memisë për gjobitjen e Edi Ramës

Poni: Socialistët nuk e kanë hequr ende shtëpinë bunker para Pallatit të Kongreseve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka pranuar të marrë në shqyrtim kërkesën e kandidatit për deputet të PD-së, Shaban Memia, i cili denoncoi si të njëanshëm heqjen e posterave elektorale prej Bashkisë së Tiranës. Në seancën e zhvilluar dje në KQZ është rikthyer votimi në dy blloqe kundërshtare. Kështu, Ilirian Celibashi, Dëshira Subashi, Tomor Malaj dhe Pandeli Varfi kanë votuar kundër kërkesës së Memisë, ndërsa Shpëtim Gjata, Klement Zguri dhe Dodë Prenga janë shprehur pro tij. Kundërshtarët e kërkesës janë shprehur se KQZ mund të vihet në lëvizje prej partive politike, por jo prej kandidatëve për deputetë, që nuk janë regjistruar ende si të tillë në Komisionet Zgjedhore Zonale. Një veprim i tillë është cilësuar i rrezikshëm prej përfaqësuesit të PD-së pranë komisionit zgjedhor, Ferdinand Poni, pasi në rekomandimet e OSBE-ODIHR është thënë se KQZ duhet të gjejë konsensusin dhe jo të mbajë qëndrime të njëanshme.

Kërkesa

Duke përfaqësuar kandidatin e PD-së, Poni është shprehur se deri më tani Bashkia Tiranë ka ndaluar vetëm posterat e Shaban Memisë në zonën e Kinostudios, por jo të kundërshtarit të tij socialist, apo atij të LSI-së. Madje, si shembull Poni ka marrë dhe godinën e improvizuar prej socialistëve para derës së Pallatit të Kongreseve, e cila reklamon siglën e PS-së, duke kërkuar në një ambient publik votat e elektoratit. Mbi këto baza, Poni është shprehur se KQZ duhet të zbatojë kodin zgjedhor, duke e gjobitur Edi Ramën, për favorizim të njëanshëm të një force politike, apo për diskriminim për bindje politike. Kodi në këtë rast parashikon një gjobë nga 100 mijë deri 500 mijë lekë. Poni ka hedhur poshtë argumentin e dhënë nga kundërshtarët politik të tij, që kanë theksuar se pa u publikuar vendet publike, ku do të vendosen posterat elektorale, nuk mund të nisë vendosja e tyre. "Kodi përcakton se brenda 10 ditë nga përcaktimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti, bashkitë dhe komunat duhet të deklarojnë vendet ku do të vendosen posterat. Deri sa nuk është dhënë përcaktimi, nuk mund të ketë as ndalim, pasi ka kaluar 10 ditë nga dekreti i datës së zgjedhjeve", tha Poni.

Kundërshtimi

Gjatë debateve të zhvilluara, Celibashi është shprehur se KQZ nuk mund të vihet në lëvizje nga një kandidat për deputet, që nuk janë regjistruar ende në KZZ, por vetëm nga forcat politike, apo kandidatëve që janë regjistruar zyrtarisht si të tillë. Ndërsa, gjatë mbledhjes është theksuar se deri sa nuk ka një publikim të vendeve ku do të vendosen posterat nuk mund të ketë një vendosje të tyre. Megjithatë, shumica e anëtarëve të KQZ-së nuk ka pranuar që të shqyrtojë thelbin e çështjes, duke kërkuar rrëzimin në parim të saj. Në votimin në parim, katër anëtarë të KQZ-së janë shprehur kundër kërkesës së Memisë, ndërsa vetëm tre kanë qenë pro tij. Ankesa e Memisë është e para për fushatën elektorale të këtij viti. Ndërsa pritet që debatet të jenë dhe më të ashpra.

Gati vendosja e minutazhit për spotet

Në datë 22 maj, KQZ do të vendosë për kohën që do të kenë partitë politike për të transmetuar spotet politike gjatë fushatës. Përfaqësuesi i PD-së, Ferdinand Poni, ka kërkuar që koha për partitë të ndahen në bazë të një sistemi proporcional, ku partia më e madhe e djathtë të ketë minutazhin sa të gjitha partitë e djathta së bashku. Po kështu do të veprohet dhe në krahun e majtë. Ndërsa për partitë joparlamentare, minutazhi do të jetë më i vogël, por jo i barabartë me partitë që janë në parlament. Megjithatë, për shkak të propozimeve të shumta të hedhura në mbledhje, nuk është arritur në përfundimin e formulës, duke e shtyrë mbledhjen për në javën e ardhshme. Menjëherë pas shpalljes së fushatës do të nisë dhe monitorimi i mediave, ku partitë kryesore do të paraqesin pranë KQZ emrat që do të bëjnë vëzhgimin e lajmeve dhe të spoteve televizive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›