Nano përshëndet lirimin e Ramush Haradinajt
08/06/2005 Kryeministri Fatos Nano mirëpriti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish -Jugosllavi, me anë të të cilit i jepet e drejta e mbrojtjes në liri ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryeministri e vlerëson këtë si një hap të rëndësishëm që do të influencojë pozitivisht në mbarëvajtjen e proceseve të nisura në Kosovë, duke inkurajuar në të njëjtën kohë të gjithë shoqërinë kosovare për të vazhduar bashkëpunimin me këtë Gjykatë dhe me të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare. Kryeministri përshëndet këtë vendim si një shprehje e integritetit të Gjykatës, paanësisë dhe profesionalizmit të saj. Kryeministri vlerëson qëndrimin bashkëpunues të Haradinaj, në vijimësi të kontributit të tij për Kosovën gjatë kohës që ka shërbyer si Kryeministër dhe tani si kryetar i një force politike për ardhmërinë e saj. Ai vlerëson se ky moment është një arritje për Kosovën, e cila do të vazhdojë plotësimin e gjithë standardeve të një demokracie multietnike me status evropian. Po dje, Prokuroria e Hagës ka deklaruar se nuk ka asnjë ankesë mbi vendimin e marrë për lirimin me kusht të Haradinajt.