E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nëna e Mimozës, e përmalluar, pret të përqafojë për herë të fundit vajzën

08/06/2005  Në shtëpinë e Vajzës së masakruar, dhimbja tej përmasave të përballueshme

BILISHT - Ditën e hënë, vëllezërit, motrat, të afërmit, por edhe gjithë qyteti i Bilishtit, kanë qenë duke pritur kthimin në shtëpinë e prindërve, të trupit pa jetë të 32-vjeçares Mimoza Xhamia, e cila kishte lindur në Bilisht dhe ishte martuar në Durrës. Vejusha 32-vjeçare u gjet e vrarë dhe e djegur me vaj makine në Gracen, të Elbasanit, në datë 1 qershor nga shoferi i mësuesve të fshatit, në vendin e quajtur “Ara e Sallakut”. Dëshmitarët okularë thanë se u përballën me një pamje mjaft të tmerrshme. Mbi trupin e saj u gjetën ende të padjegura pjesë nga pantallonat e saj xhins dhe nga bluza, të cilat e bënin pamjen e dhe më tonditëse dhe të papërballueshme për dëshmitarët. Pikërisht këtë masakër çnjerëzore mbi trupin e Mimoza Xhamisë ishin duke pritur mes tmerrit dhe lotëve, nëna e Mimozës, Fetia, vëllezërit dhe motrat e saj, të afërm dhe bashkëqytetarë.

Masakra e Mimozës ndodhi tri vjet pas vdekjes së të shoqit, Pajtim Kola, 35 vjeç, që, siç thanë vëllezërit e Mimozës, kishte vdekur nga një aksident automobilistik, duke lënë kështu një fëmijë jetim 10 vjeç, të quajtur Françesko Kola.

Familja

Në shtëpinë e Mimozës, në Bilisht, ka rënë një gjendje e jashtëzakonshme tmerri dhe lotësh, që kanë përfshirë gjithë njerëzit e familjes. Vëllezërit dhe motrat, që gjendeshin aty e kishin të vështirë të flisnin, sespe, pas çdo fjale, gjendeshin nën një mallëngjim e dhimbje, tej përmasave që mund të përballojë njeriu.

Nëna e Mimozës, Fetia, 64 vjeçe, dukej edhe me e plakur, njësoj sikur të kishte kapëcyer të 100-at.

Mendimi se në shtëpinë e tyre do të hynte trupi pa jetë i Mimozës i vrarë me plumba dhe i djegur me vaj makine, ku 32-vjeçares i dukeshin edhe eshtrat, ishte një llahtar për të gjithë njerëzit e dashur të saj.

Nëna 64-vjeçare përsëriste herë pas herë se, “donte të shihte një orë e më parë Mimozën, sidoqë të ishte ajo, sepse e kishte marrë malli, sepse siç e qante ajo, “kishte patur një jetë të vështirë”.

Edhe pse Mimozës i kanë mbetur vetëm eshtrat, kjo nënë ishte e përvëluar për të puthur bijën e saj për herë të fundit, duke mallkuar dorën që i mori jetën dhe i dogji trupin vajzës së saj. Pas kësaj nëne nuk përmbanin dot veten vëllezërit dhe motrat, por edhe 15 nipër dhe mbesa të Mimozës.

Vëllai

Megjithë situatën e vështirë, vëllezërit e viktimës kanë pranuar që të flisnin për gazetën “Metropol” se si ata e mësuan lajmin për vdekjen e Mimozës.

Vëllai Valentini tregon se kishin dëgjuar se ishte gjetur një grua e vrarë dhe e djegur me vaj makine në Gracen të Elbasanit, por kursesi nuk kishin menduar se ishte e motra.

“Madje, nuk i kushtuam rëndësi pamjeve që jepte televizioni. Nuk kishim arsye të mendonim se ajo ishte Mimoza, sepse ajo ishte një vajzë që nuk kishte patur kurrë probleme, me askënd. Ishte një nga motrat tona më të dashura që bënte shumë si për ne, ashtu edhe për nënën, pas vdekjes së babait tonë në vitin 1986”, shprehet Valentino.

Sipas asaj çka vëllai i Mimozës ka rrëfyer mes dhembjes mësohet se vetëm ditën e hënë në mbrëmje, rreth orës 20.00, atyre iu ka telefonuar e motra, Luljeta, e cila është e martuar në Durrës. “Ajo na vuri në dijeni se trupi i gjetur në Qafë Krrabë ishte i motrës tonë, Mimozës. Nuk donim ta besonim, por Luljeta mes të qarash ngulte këmbë se Mimoza kishte vdekur, se e kishte parë disa herë me radhë në morg dhe gjithnjë kishte parë se ajo ishte Mimoza. Luljeta kishte dyshuar që nga pamjet e transmetuara në televizion dhe bashkë me burrin e saj, Musain, kishin shkuar në morg rreth orës 06.30 të mëngjesit. Fatkeqësisht trupi pa jetë ishte i Mimozës. Pas kësaj caktuam njerëzit që do të shkonin për të marrë trupin e motrës, kurse ne të tjerët qëndruam këtu për të pritur njerëzit. Është e papërballueshme për të gjithë ne”, përfundon Valnetino.

Vëllai, Raimondi, tregon takimin e fundit dhe historinë e dhimbshme të Mimozës

“Telefonata ‘e ndarjes’ tri orë para vrasjes”

“Tashmë pas identifikimit, strukturat shtetërore duhet ta kenë më të lehtë për të gjetur autorët. Unë mendoj se ai që e ka vrarë nuk ka qenë një njeri i vetëm. Mimoza ishte mjaft e zonja dhe nuk e besoj që dikush i vetëm ta çonte deri te vendi i vrasjes. Nëse do të ishte kështu, askush nuk do t’ia kishte dalë dot mbanë. Vrasja duket qartë që është e tipit mafioz. Ne si familje nuk kemi patur asnjë mosmarrëveshje, kemi shkuar mirë me gjithë ata që na kanë rretuar”.

BILISHT - Ditën që ka ndodhur vrasja e Mimoza Xhamisë, i vëllai Raimondi ka patur një bisedë telefonike me të. Pak orë para se ajo të ndërronte jetë, të vëlliat i është dukur e qetë dhe pa probleme.

Në në intervistë për gazetën “Metropol”, Raimond Xhamia ka treguar gjithë jetën e së motrës dhe peripecitë që nuk i janë ndarë në jetën e saj jo shumë të lumtur, deri në ditën e vdekjes.

Kur keni kontaktuar për herë të fundit me motrën tuaj?

Kam patur një bisedë telefonike me time motër në datën 1 qershor. Ishte mjaft e qetë, nuk dallova asnjë shqetësim në zërin e saj, madje m’u duk mjaft e lumtur. Më tha se më kishte dërguar me shoferin e autobusit dokumentat mjeko-ligjore të spitalit, pasi unë isha operuar në Durrës. Kur më mori në telefon, ora ishte rreth 06.30 minuta. Ndoshta në atë kohë është nisur për në Tiranë, por nuk mund të them asgjë me siguri.

Sa kohë kishte motra juaj që jetonte në Durrës?

Mimoza, kishte 15 vjet që kishte shkuar në Durrës te motra Luljeta, e cila është martuar me një turk, të quajtur Musa. Familja e tyre ka një butik. Por megjithatë Mimoza vinte shpesh edhe në Bilisht, pasi në atë kohë nuk ishte martuar.

Si ka qenë jeta bashkëshortore e motrës suaj?

Kur u njoh me Pajtim Kolën, Mimoza ishte në Bilisht. Pajtimi ishte nga Fushë-Kruja, por jetonte në Durrës. Ai shkonte shpesh në Greqi për të punuar dhe për këtë arsye i takonte të kalonte nga Bilishti. Në këtë mënyrë u njoh me motrën tonë, të cilët më pas punuan bashkë edhe në Greqi. Pajtimi ishte një djalë i mirë dhe me motrën nuk pati asnjëherë kontradikta. Mimoza jetoi me të 10 vjet dhe nga jeta bashkëshortore patën një fëmijë, Françesko Kolën, i cili tashmë mbush 10 vjeç.

Si ka vdekur kunati juaj?

Tri vjet më parë, Pajtimi humbi jetën nga një aksident automobilistik. Fill pas kësaj ngjarjeje, motra e Durrësit, Luljeta, e punësoi në butikun e saj. Françesko Kolën, të birin e Mimozës, e morën vëllezërit e Pajtimit, në Greqi, me qëllim për të mos vështirësuar jetën e motrës tonë, por edhe të fëmijës. Familja e bashkëshortit të motrës sonë ishte mjaft e mirë dhe ne mbajmë të njëjtat lidhje edhe sot e kësaj dite.

Kur e keni takuar për herë të fundit motrën tuaj, keni vënë re ndodnjë problem tek ajo?

Siç iu thashë, unë jam operuar në Durrës, u shtrova në spialin e këtij qyteti në datë 1 nëntor dhe dola që andej më 27 nëntor të vitit të kaluar. Gjatë gjithë kësaj kohe Mimoza më ka ndenjur te koka. Ishte një motër mjaft e dhimbsur. Nuk më tha kurrë se kishte ndonjë problem me ndokënd. Por as që dallohej ndonjë gjë e tillë tek ajo.

Kush dyshoni se mund ta ketë vrarë motrën tuaj?

Tashmë pas identifikimit, strukturat shtetërore duhet ta kenë më të lehtë për të gjetur autorët. Unë mendoj se ai që e ka vrarë nuk ka qenë një njeri i vetëm. Mimoza ishte mjaft e zonja dhe nuk e besoj që dikush i vetëm ta çonte deri te vendi i vrasjes. Nëse do të ishte kështu, askush nuk do t’ia kishte dalë dot mbanë. Vrasja duket qartë që është e tipit mafioz. Ne si familje nuk kemi patur asnjë mosmarrëveshje, kemi shkuar mirë me gjithë ata që na kanë rretuar.

Ju jeni 10 fëmijë, cila është gjendja juaj ekonomike?

Gjithë jetën kemi vuajtur. Duke qenë 10 fëmijë e kemi ndjerë varfërinë më shumë se të tjerët, por gjithnjë kemi jetuar me punën tonë. Babai, Fetiu, punonte në minierën e bakrit në Bitinckë, por më 8 prill 1986 u aksidentua rëndë dhe pas dy muajve më 8 qershor vdiq. Mbetëm vetëm me nënën. Ishim të vegjël dhe njëkohësisht ishim 10 fëmijë. Babait nuk i lidhën asnjë pension. Për të na rritur ne, nëna u detyrua të dilte në pension të parakohshëm, por nuk përfitoi dot as pensionin e bashkëshortit të saj. Për rrjedhojë, varfëria na ndoqi në çdo hap. Edhe sot e kësaj dite, tre nga vëllezërit janë pa shtëpi dhe jetojnë me qira. Kemi jetuar shpesh në Greqi si emigrantë. Edhe motra Mimoza për këtë aryse shkoi në Durrës për të punuar.

Apeli i të afërmve të Mimozës

“Jemi gati të vritemi, për të gjetur vrasësin”

BILISHT – Të 9 vëllezërit dhe motrat, dy xhaxhallarë të saj, 15 nipër dhe mbesa, të afërm dhe bashkqytetarë të Mimozës, i bëjnë thirrje policisë, prokurorisë, Kryeministrit, Presidentit dhe gjithë institucioneve shtetërore të gjejnë sa më parë autorët e këtij krimi makabër, pasi, siç u shprehën ata, janë të gatshëm të bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjetur vrasësin e motrës së tyre edhe sikur asnjëri prej tyre të mos mbetet i gjallë.

Për shtetin, thanë ata, nuk është e vështirë të gjejë autorët.

Mosgjetja e vrasësve do të thotë se akti është i tipi mafioz, ku mund të jenë implikuar edhe segmente të shtetit. Nëse ndodh kështu, vëllezërit e Mimozës janë gati të vriten të gjithë vetëm e vetëm që të gjejnë autorët e masakrës.

Kush ishte Mimoza Xhamia

“Ajo ndante në 10 pjesë, gjithçka që kishte”

BILISHT - Mimoza Xhamia, lindi më 2 janar të vitit 1972 në Bilisht. Ishte fëmija e shtatë që vinte në jetën e kësaj familjeje. Të afërmit thonë se ishte një vajzë e këndshme, mjaft e zgjuar dhe me kurajo.

Shkollën e mesme e mbaroi në gjimnazin e qytetit të saj të lindjes. Gjatë kësaj kohe përjetoi varfërinë.

Duke qenë vajzë, iu desh të ndihmonte nënën edhe për rritjen e dy vëllezërve dhe të një motre, që kishin ardhur në jetë pas saj. Për këtë arsye nuk pati asnjëherë kohë të argëtohej, nuk pati mundësi të vazhdonte as studimet e larta, sepse gjendja në periudhën e adoleshencës së saj ishte e vështirë.

Kjo jetë i kishte lidhur ngushtë dhjetë vëllezërit dhe motrat me një dashuri të jashtëzakonshme. Ndanin në 10 pjesë gjithçka që kishin.

Mimoza u nis në Durrës, thonë vëllezërit e saj, 15 vjet më parë. Ëndrra e secilit prej nesh, sqarojnë ata, ishte të shmangnim gjendjen e vështirë ekonomike, por kjo ëndërr e Mimozës nuk u realizua kurrë.

Në rrethana misterioze, ajo u gjet e vrarë dhe e djegur në fshatin Gracen të Elbasanit nën një pamje që për askënd nuk do të ishte e lehtë dhe që nuk do t’i shqitej nga kujtesa për një kohë të gjatë.

Nëna e Mimozës thotë se ishte një vajzë e mrekullueshme. Vdekjen e saj nuk do ta harrojë kurrë, ashtu siç nuk do të mund të harrojë asnjëherë vuajtjet e fëmijërisë së saj, të cilat e ndoqën deri në ditën e fundit të jetës.

Pritet konfirmimi i fundit nga analizat e gjakut

Identifikimi i kufomës i hap rrugë hetimeve

Precedentët e mëparshëm për vrasjen e bashkëshortit të 33- vjeçares për gjakmarrje si dhe shtatzënia e saj do të jenë disa nga pistat ku do të hetohet

ELBASAN - Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit kanë ngritur pistat e tyre të hetimimit në lidhje me ngjarjen e rëndë të vrasjes së gruas dhe më pas djegies së trupit në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë në vendin e quajtur Ara e Sallakut.

Mësohet se pritet vetëm konfirmimi i analizave të gjakut për të vërtetuar se trupi i pajetë i përket gruas 33-vjeçare banuese në Durrës.

Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se një ekip ekspertësh është në pritje të rezultatit përfundimtar, që do t’i japë emër kufomës së gjetur disa ditë më parë. Në këtë kohë janë ngritur planet e masave për të vazhduar hetimet në identifikimin dhe kapjen e autorit.

Precedentët e mëparshëm për vrasjen e bashkëshortit të 33- vjeçares për gjakmarrje si dhe shtatzënia e saj do të jenë disa nga pistat ku do të hetohet. Por ende askush nga familja e saj nuk është marrë në pyejte, pasi ekzistojnë edhe disa dyshime për identitetitn deri në konfirmimin e plotë edhe të grupit të gjakut.

Mësohet se hetimet janë përqëndruar në Elbasan, ku vetë prokurori i rrethit, Durim Bedini, ka marrë në dorë këtë çështje, e cila konsiderohet mjaft e rëndë. L.Lleshi

Familja Xhamia

Feti Xhamia, kryefamiljari

Fetie Xhamia, nëna

Sulejman Xhamia, i biri

Robert Xhamia, i biri

Merita Xhamia, e bija

Luljeta Xhamia, e bija

Rajmond Xhamia, i biri

Adrian Xhamia, i biri

Mimoza Xhamia, e bija

Artan Xhamia, i biri

Valent Xhamia, i biri

Donika Xhamia, e bija

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›