E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano prezanton kandidatin e Kavajës

06/06/2005  Kryeministri Fatos Nano, ka prezantuar dje në rrethin e Kavajës, kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, përballë kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Kandidati i zonës elektorale numër 48, është tenori Agim Hushi. Gjatë fjalës së tij, kreu i PS-së, Nano, ka sulmuar Berishën duke u shprehur, “4 korriku është dita jonë e parë pa Berishën dhe pa ankthet e tij. Për shkak të Berishës dhe të berishkave, këtu në Kavajë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë marrë pjesë në votime, vetem 1 ne 3 qytetarë të Kavajës. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Ju nuk duhet ta lejoni që të ndodhë më vjedhja e votës dhe frika për të votur për lirinë dhe demokracinë e qytetit”. Duke i kërkuar qytetarëve të Kavajës që të votojnë për kandidatin e PS-së, Nano tha se “vota e 3 korrikut, është shumë e rëndësishme që të mos humbasim më kohë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2007, dhe për ta bërë Shqipërinë realisht një hapësirë të re europiane, brenda 10 vjeçarit që jetojmë . Dita e fitores së 3 Korrikut, për shumicën e shqiptarëve, është fillimi i një etape të re zhvillimi cilësor, ku do të gjejnë zgjidhje problemet dhe mungesat e pa kapërcyera deri tani. Ne u garantojmë shqiptarëve, me punë dhe përkushtim, me ritëm dhe reforma, me miq e aleatë ne botën e përparuar, të përmbushim të gjitha angazhimet, nga dyfishimi i pagave deri te krijimi i 100 mijë vendeve të reja të punës, që nga ndërtimi i 470 km rrugë të reja moderne dhe deri tek dhënia falas e të gjithë librave për arsimin e detyruar 9-vjeçar”, tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›