E Diel, 1 Nëntor 2026

Nanos ia kërkova unë takimin në Vjenë

Kryeministri: Nuk e shmangia dot, ka kontribut të çmuar. Pakti 20-vjeçar? Sajesë e medias

Nuk ka asnjë marrëveshje të lidhur mes meje dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë takimit që zhvilluam në Vjenë. Kjo ishte deklarata që bëri Kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp, pas kthimit nga udhëtimi i tij nëpër Europë, që si pasojë e problemeve ajrore zgjati gjashtë ditë. Duke u ndalur në takimin që ai zhvilloi në kryeqytetin e Austrisë me ish-kryeministrin, Fatos Nano, Berisha theksoi se ai kishte shumë arsye, por nuk kishte të bënte me lidhjen e marrëveshjeve për situatën politike në vend. Fillimisht kreu i qeverisë bëri të qartë se ky takim ishte kërkuar nga ana e tij, para së gjithash në ndjenjë respekti ndaj ish-kryeministrit, i cili kishte pasur kontribut të çmuar në nisjen e rrugës për integrimin e vendit. “Në Vjenë do të ftoja liderin historik të së majtës për një takim, i cili kishte disa arsye. I pari respekti im për kundërshtarin mbetet konstant, por dua të theksoj këtu se nuk mund ta anashkaloja pa takuar ish-kryeministrin Nano në këtë moment historik për vendin”, theksoi Berisha, duke quajtur sajesa të medias lajmet se mes tij dhe Nanos ishte lidhur një marrëveshje 20-vjeçare. Por nga ana tjetër, Kryeministri nuk harroi të përmendë edhe simbolikën e këtij takimi, i cili përkonte me takimin e Berishës me Nanon 20 vite më parë në Trieste të Italisë. “Duke takuar Fatos Nanon kam shprehur respekt për të majtën shqiptare dhe prandaj po bëj transparencën e këtij takimi, i cili zhvillohej në një darkë 20 vjet pas darkës që kemi pasur në Trieste”, theksoi Kryeministri. Po kështu, Berisha nuk pranoi se mes tij dhe Nanos ka pasur diskutime për kontributin e tij në situatën aktuale politike dhe se diskutimet e vetme kanë qenë ato që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Po kështu, në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha theksoi se ai kishte vlerësim të lartë për figurën e Nanos, si një njeri i cili e kishte transformuar Partinë e Punës së Shqipërisë dhe e kishte bërë PS-në një parti pjesë të Internacionales Socialiste. Po kështu ai vlerësoi Nanon edhe për dorëheqjen nga kryetari i PS-së, në vitin 2005, pas humbjes së zgjedhjeve, duke theksuar se me këtë veprim civil ishte vendosur një standard demokratik në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›