E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet 8-vjeçari i mbytur në lumë

Palombarët e gjejnë pranë vendit të ngjarjes. Kushërira e tij 11-vjeçare arriti të dalë nga makina

Pas shumë kërkimesh është gjetur disa kilometra larg fëmija 8-vjeçar, i cili u mbyt dy ditë më parë në ujërat e lumit Tujan. Palombarë të RENEA-s, policë dhe banorë të zonës u përfshinë në kërkime për gjetjen e trupit të të miturit në ujërat e lumit të përfshira edhe nga rrjedha e fuqishme për shkak të reshjeve të dendura gjatë dy ditëve të fundit. Trupi i 8-vjeçarit u gjet pranë vendit ku ishte mbytur. Fillimisht, forcat e policisë kanë arritur të gjejnë në lumin Brar, të fshatit Tujan triçiklin, me të cilin është mbytur në lumë fëmija Elken Vodopi. Policia tha se ka ndeshur në vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së sasisë së ujit dhe faktit se ai është i turbullt nga reshjet e shiut. Prej mesditës së të dielës kur ndodhi ngjarja, policia është vënë në kërkim të 8-vjeçarit që u aksidentua me motorin triçikël, pasi hoqi frenat e mjetit. Sipas të dhënave nga policia, i mituri ka qenë me dajën e tij dhe një vajzë 11 vjeçe. Daja i tij ka ndaluar mjetin për të pirë ujë dhe e ka lënë atë, të parkuar buzë rrugës, pranë lumit. Ai ka shkuar për të pirë ujë, por i mituri ka filluar të luajë, duke ulur frenat e dorës. Menjëherë, mjeti ka rrëshqitur dhe dy fëmijët kanë bërtitur në pamundësi për të dalë nga mjeti. Mjeti ka rënë në ujë, ku vajza ka mundur të dalë jashtë dhe ka marrë vetëm disa dëmtime të vogla. Ndërsa i mituri është zhytur bashkë me mjetin. Daja i fëmijës ka shpejtuar për ta ndihmuar, por nuk ia ka arritur. Më pas janë njoftuar edhe banorët e zonës, por mjeti është zhdukur në lumë. Policia ka mbërritur vonë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur kërkimet që kanë zgjatur deri dje pasdite. Trupi i pajetë u dërgua në morgun e Tiranës dhe më vonë i është dorëzuar familjarëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›