E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Opozita të shohë përtej axhendës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i është “ankuar” dje nënkryetarit të Parlamentit bullgar, Georgi Pirinski, i cili është anëtar i Partisë Socialiste, se homologët e tij shqiptarë nuk po japin kontributin e tyre për integrimin e Shqipërisë. Siç njofton zyra e shtypit e Parlamentit, Topalli ka theksuar se “si Kryetare e Kuvendit, do të kisha dashur shumë që edhe opozita të bëhej pjesë e këtyre proceseve të mëdha. Janë kohëra, kur opozita duhet të shohë përtej axhendës personale të dikujt e të marrë rolin e vet duke kontribuar në realizimin e aspiratave të shqiptarëve”. Në njoftimin në lidhje për takimin e zhvilluar dje në zyrën e kryeparlamentares nuk thuhet asnjë fjalë mbi qëndrimin e nënkryetarit të Parlamentit të Bullgarisë. Ndërkaq, po dje kreu i Kuvendit, Topalli, ka zhvilluar një takim me kardinalin Zenon Grocholevski, i cili po viziton Shqipërinë. Por takimi nuk është zhvilluar në zyrat e Kuvendit, por në mjediset e Nunciaturës Apostolike, Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë. “Vi me kënaqësi në Shqipëri të shoh zhvillimin dhe transformimet”, tha kardinali Grocholevski, duke shtuar se, zhvillimi i Shqipërisë në pak vite, është shumë i dukshëm. Kryetarja e Kuvendit në këtë takim kërkoi mbështetjen e Vatikanit për heqjen e vizave dhe anëtarësimin në BE. Kryetarja e Kuvendit dhe Kardinali Grocholevski biseduan mbi vlerën e rrallë të shqiptarëve, bashkëjetesën fetare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›