Gërdeci, ushtria transport falas për MEICO-n
Dëshmitarët e akuzës po japin fakte të reja për abuzimet e bëra me transportimin e municioneve për demontim në Gërdec. Përveç humbjeve gjatë shitjes së municioneve me një çmim më të ulët se tregu, shteti shqiptar ka humbur edhe disa miliona lekë për transportin e tyre nga depot ushtarake për në vendin e demontimit. Gjatë seancës së djeshme, dy ushtarakë, të thirrur në cilësinë e dëshmitarëve, pohuan se ushtria shqiptare ka kryer transportin e municioneve në Gërdec për llogari të firmës MEICO me paratë e shtetit. Albert Gora, ish-shefi i Shtabit në Komandën Mbështetëse dhe Jonaq Prifti, ish-shef i furnizimit atje, deklaruan se megjithëse ushtria kishte mungesë rezervash karburanti, e kreu transportimin e municioneve në zbatim të urdhrave të dalë pas lidhjes së kontratës.
DëshmiaDëshmitari i parë i seancës së radhës ishte ish-shefi i shtabit në Komandën Mbështetëse, Albert Gora. Ai sqaroi pozicionin e tij dhe të Komandës Mbështetëse, në lidhje me ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec. Gora pohoi se Shtabi i Përgjithshëm nxori urdhrin nr.91, që bënte fjalë për të kontrolluar materialet përbërëse të municioneve, nëse ishin tunxh apo çelik. Me këtë proces është marrë Shahin Toçilla, i cili ka kontrolluar municionet për përmbajtjen e tyre. Më pas dëshmitari tha se “pas daljes së urdhrit nr.550 të ministrit të Mbrojtjes, i kemi nisur një shkresë Brigadës Logjistike dhe Policisë Ushtarake. E para do të bënte daljen e municioneve, ndërsa e dyta do të merrej me sigurinë e tyre gjatë transportit. Brigada Logjistike kishte grup depot dhe batalionin e transportit që njëkohësisht bënte dhe grafikun e lëvizjes së municioneve në drejtim të fabrikës së Gërdecit”. I pyetur nga prokuroria, nëse ishte njohur me ndonjë kontratë apo marrëveshje, ai u përgjigj: “Jam njohur me akt-marrëveshjen që solli MEICO për transportimin e municioneve. Në këtë kontratë specifikohej se, Komanda Mbështetëse duhej të bënte transportimin e municioneve. Ne bëmë një përllogaritje të shpenzimeve, të cilat na dolën rreth 75 milionë lekë të reja, vetëm për transportin. Duke parë që një nga problemet më shqetësuese për Komandën Mbështetëse ishte problemi i karburantit, naftës, sepse rezervat ishin të pakta, kërkuam që kjo shumë të na kompensohej në gazoil nga MEICO. Për këtë problem i drejtuam një shkresë Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Shtabi i Përgjithshëm na solli përgjigje duke na argumentuar se MEICO mund ta bënte transportin dhe në mënyrë private, por faktikisht transporti u bë me mjete ushtarake”. Sipas Gorës, Komanda Mbështetëse kishte kryer transportin e municioneve, sepse vetëm kjo ishte detyra e saj e përcaktuar edhe në akt-marrëveshje.
ProblemiJonaq Prifti, ish-shefi i furnizimit pranë Komandës Mbështetëse, ashtu si kolegu i tij, pohoi se reparti i tij kishte probleme me rezervat e karburantit. “Për këtë arsye, deklaroi ai, ne kemi bërë një kërkesë përpara se të zbardhej kjo kontratë që të na vinin në dispozicion rreth 500 mijë litra naftë”. Sipas Priftit, një tjetër problem serioz që u evidentua, ishte ai i municioneve të pademontueshme. “MEICO, tha Prifti, kërkonte që municionet të cilat ishin të dëmtuara, dhe nuk mund të përdoreshin për demontim, të ktheheshin mbrapa, pra të rimagazinoheshin në depot ushtarake. Kjo kërkesë nuk u pranua nga ana jonë. Për këtë problem iu drejtuam me një shkresë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i cili nuk na solli asnjë përgjigje për të na udhëzuar se si do të vepronim për rastin konkret”.
#