E Diel, 1 Nëntor 2026

Natanjahu: Do të jemi partnerë për paqen

Kryeministri i ardhshëm
i Izraelit, Beniamin Natanjahu,
deklaroi dje
se qeveria e tij do të negocionte
paqen me palestinezët,
por nuk përmendi opsionin e krijimit
të shtetit palestinez, që
mbështetet edhe nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. Në një
fjalim një ditë pas arritjes së krijimit
të një kabineti qeveritar me
bazë të gjerë dhe me pjesëmarrjen
e laburistëve, Natanjahu u
përqendrua në planet e tij për të
ndihmuar në rimëkëmbjen e
ekonomisë palestineze. Ai planifikon
që të prezantojë qeverinë e
re për marrjen e votës parlamentare
javën e ardhshme. Sipas një
mandati nga Presidenti izraelit,
Natanjahu ka kohë deri më 3 prill
për të formuar qeverinë e re.
"Nëse do të kemi një ekonomi palestineze
të fortë, ajo do të jetë një
bazë jashtëzakonisht e qëndrueshme
për paqen e ardhshme",
deklaroi Natanjahu në një
fjalim para një forumi biznesmenësh,
duke u zotuar që të
shfuqizonte disa pengesa në
rrugën e realizimit të planit të tij.
Autoriteti Palestinez dhe Shtetet
e Bashkuara të Amerikës i kanë
bërë thirrje prej kohësh Izraelit që
të lehtësojë shtrëngimet ndaj
palestinezëve, sidomos në pikat
e kalimit. "Mendoj se palestinezët
duhet ta kuptojnë se ata do të gjejnë
në qeverinë tonë një partner
për vendosjen e paqes, sigurisë
dhe zhvillimin e shpejtë të ekonomisë
palestineze", tha Natanjahu.
"Kjo do të thotë që unë do të
negocioj me Autoritetin Palestinez
për paqe", shtoi ai. I pyetur në
lidhje me komentet e Natanjahut,
një zëdhënës i Autoritetit
Palestinez tha se qeveria e ardhshme
e Izraelit duhet të zotohet pa
asnjë lloj mëdyshjeje për
zgjidhjen e çështjes me krijimin e
një shteti palestinez brenda një
kohe sa më të shkurtër. Pikërisht
për këtë çështje, Natanjahu nuk
është shprehur konkretisht, duke
e lënë të mjegullt këtë pikë shumë
të rëndësishme të bisedimeve të
paqes me palestinezët. Megjithatë,
sipas marrëveshjes së koalicionit
me laburistët e udhëhequr
nga ministri i Mbrojtjes, Ehud
Barak, Likud ka rënë dakord që të
respektojë të gjitha marrëveshjet
ndërkombëtare të Izraelit, një formulë
që përfshin edhe krijimin e
shtetit palestinez. Pranimi indirekt
i objektivit dhe formimi i një
koalicioni të gjerë qeveritar në të
cilin përfshihen edhe të majtët laburistë,
që janë edhe forca kryesore
në procesin e paqes me palestinezët,
mund t‘i sigurojnë Natanjahut
vazhdimësinë e mbështetjes
nga ana e administratës së
Presidentit amerikan, Obama.
Pritet që Natanjahu të përfundojë
koalicionin e tij gjatë ditëve
në vijim. Nuk përjashtohet ende
një mundësi e fundit, që koalicionit
qeveritar t‘i bashkohet
edhe partia e Kadimës e Livnit,
por kjo, sipas analistëve, ka
shumë pak të ngjarë që të
ndodhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›