E Diel, 1 Nëntor 2026

SëMUNDJET VDEKJEPRURëSE AKOMA PA ILAÇ...?

Sëmundje të ndryshme e
kanë shoqëruar njerëzimin
që nga fillimi i ekzistimit e
deri në ditët tona. Shumë prej tyre
janë vënë nën kontroll, disa janë
reduktuar plotësisht, por mbeten
akoma ato sëmundje, të cilat dinë
të jenë edhe më të rrezikshme kur
rikthehen pas një kurimi, sepse
organizmi i baktereve dhe i trupave
acelular si viruset, dita-ditës
fitojnë më shumë imunitet ndaj
ilaçeve.
Që nga vitet 1970, janë bërë të
njohura më shumë se 20 sëmundje,
të panjohura më parë, për të
cilat ende nuk është identifikuar
një trajtim i plotë dhe efektiv. Raste
të tilla vërehen në çdo vend të
botës. Shkenca e mjekësisë po
monitoron zhvillimin dhe po
përpiqet çdo ditë e më tepër ta
kufizojë përhapjen e këtyre
sëmundjeve, si dhe të zbulojë
vaksina e kura të reja, pa përmendur
këtu zhvillimet më të fundit
në progres, si inxhinieria gjenetike,
zbulimi i plotë i gjenomit
njerëzor (harta e gjeneve), manipulimet
cito-molekulare e deri
te nano-teknologjia, të cilat kontribuojnë
në ndihmë të mjekësisë.
Të njihemi pak më hollësisht
për disa nga sëmundjet më vdekjeprurëse
për njerëzimin:
HIV - Human
Immunodeficiency
Virus - AIDS
Virusi HIV u zbulua në vitin
1983. Ai është përgjegjës për
SIDA- n, sindromën e imuno-deficiences
së fituar. Kjo sëmundje
është identifikuar për herë të parë
te homoseksualët në Amerikë.
Që atëherë, përhapja e kësaj
sëmundjeje është bërë me virulente,
ndërmjet heteroseksualëve,
veçanërisht në Afrikë dhe
Azi. Ky virus shpërndahet
nëpërmjet gjakut dhe lëngjeve
trupore. Nuk ka kurë dhe as
vaksinë për të, por vlen të përmendet
fakti që një formë e re trajtimi
me ilaçe e quajtur "terapia
treshe", po jep rezultate inkurajuese.
Virusi H5N1 -
Avian Flu
Në maj të vitit 1997, ekspertët
botërorë të gripit u frikësuan se
mos po përhapej një epidemi e
madhe gripi, e një masiviteti të
tillë të paparë që nga koha e Gripit
Spanjoll të vitit 1918. Si shkak,
njihet një djalë 3-vjeçar në Hong-
Kong, të cilit i kish rënë gripi i pulave.
Normalisht, virusi i gripit pëson
ndryshime (mutacione) gjatë
kalimit nga shpendët te derrat e
më pas te njerëzit. Por ky tip kishte
kapërcyer barrierën e specieve,
duke sjellë një tip të ri virusi të
gripit, për të cilin organizmi i
njerëzve nuk ka rezistencë
natyrale. Për këtë tip gripi, nuk ka
kurë dhe as vaksinë.
Hepatiti C
Hepatiti C është infeksion viral
i mëlçisë, gjithashtu dhe një
shkak madhor në sjellen e kancerit
të mëlçisë, verdhëzës e vdekjes
nga helmimi i gjakut. Kjo
sëmundje u zbulua për herë të
parë në vitin 1989. Hepatiti C
përhapet nga kontakti direkt me
gjakun e njeriut, për shembull
nga transfuzionet e gjakut apo
nga kontakti seksual. Në mënyrë
globale, mendohet se janë mbi
170 milionë persona me këtë infeksion
kronik dhe çdo vit kësaj
armate i shtohen 4 milionë pacientë
të tjerë. Për Hepatitin C
nuk ka akoma vaksinë. Ndërsa
Hepatiti E është zbuluar në vitin
1988, ngjan me Hepatitin C,
përveç faktit se mund të transmetohet
nga ushqimet dhe ka më
pak shanse të jetë fatal.
HHV8 Virusi i
Sarkomës Kaposi -
Kanceri i lëkurës
Në vitin 1995, doktorët vunë
re lezione ngjyrë vishnje në të zezë
në lëkurën ose organet e
brendshme të të sëmurëve me
SIDA. Ishte një formë e re dhe e
rrallë e kancerit të lëkurës. Faktikisht
kjo vjen nga një variant i virusit
herpes dhe depërton tek ata
që kanë sistemin imunitar të dëmtuar
dhe mund të përhapet te
gjëndrat limfatike dhe mushkëritë
me pasoja fatale. E vetmja
tentativë ngelet kimioterapia, por
rezultatet janë të pakënaqshme.
Virusi NIPAH
(sëmundja e lakuriqit
të natës)
Ky virus e merr emrin nga vendi
i zbulimit të tij në Nipah, Malajzi,
në vitin 1999. Megjithëse ka
shkaktuar pak "shpërthime", aftësia
e tij për t‘u shndërruar dhe lëvizur
nëpërmjet kafshëve e njerëzve
dhe vdekshmëria e lartë, e bëjnë
këtë virus nga më të tmerrshmit e
sëmundjeve tashmë të zbuluara.
Mendohet se bartës është lakuriqi
i natës, por sëmundja është parë
edhe te derrat, qentë dhe macet.
Njerëzit e marrin këtë virus duke u
ushqyer me mishin e kafshës së
infektuar, ose nga gërvishtjet prej
lakuriqëve. Periudha e inkubacionit
është 4 deri në 18 ditë. Në
fillim duket si grip. Pastaj vazhdon
e prek trurin, duke sjellë konvulsione,
e më pas të infektuarin
mund ta shpjerë deri në gjendje
kome. Gjysma e të sëmurëve vdesin
sepse për këtë sëmundje nuk ka
ende një trajtim adekuat.
Escherichia Coli 0157:
H7 (diarre)
Ky variant i rrezikshëm i Escherichia
Coli u zbulua për herë
të parë në vitin 1982, pas një
shpërthimi të një diarreje të
tmerrshme me gjak, me origjinë
nga hamburgerët e kontaminuar.
Pas kësaj, shumica e infeksioneve
kanë ardhur nga ngrënia e
mishit të grirë, të pa gatuar plotësisht.
Të rriturit e shëndetshëm,
zakonisht e marrin veten, por
mund të jetë vdekjeprurëse për
fëmijët e vegjël dhe për të
moshuarit.
Virusi Guanarito
Në shtator të vitit 1989, doktorët
në Venezuelë filluan të vërenin
një sëmundje me ethe tepër
të larta në mesin e popullsisë së
një fshati. Shumë nga pacientët
u shtruan në spitale, sepse ethet
nuk pushonin, kishin dobësi të
përgjithshme, dehidrim dhe
hemorragji të brendshme. Mbi
100 raste janë konfirmuar dhe
rreth 1/3 e pacientëve vdiqën.
Mendohet se sëmundja përhapet
nga minjtë. Njohuritë për këtë virus
janë shumë minimale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›