E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta Princi Ranieri

07/04/2005  Princi Albert do të marrë në duar drejtimin e Principatës

Pas disa ditësh në agoni, ka vdekur Princi i Monakos, Ranieri. Dje në mëngjes ka ardhur lajmi zyrtar i ndarjes nga jeta të Princit të Monakos.

Jeta

Një jetë si përrallë, por në të cilën kish lënë shenjë tragjedia. Duket si një roman historik jeta e Ranierit, sovranit të Monakos, njeriu që diti të përmbushë gjithë ëndrrat e tij, që nga reformat politike që arriti të iniciojë në vendin e vogël, por autoritar mes Italisë dhe Francës, e deri te dëshira, për t’u martuar me yllin më të shkëlqyeshëm të Hollywood, Grace Kelly, diva e madhe që për të hoqi dorë nga skena, por që gjeti vdekjen në gara në rrugët e Principatës.

Një enklavë e pasur, e lumtur përgjatë Bregut Blu mes Mentones dhe Nicës: 32 mijë banorë, parajsë e bankave (45) dhe vip-ave që shkojnë gjithnjë të pushojnë. Ishte kjo mbretëria e 81-vjeçarit Ranieri III, sovran i Montekarlos. Bir i Madhërisë së Saj, Princeshës Charlotte, Dukeshë e Valentinos dhe Princit Pierre Melchior, Kont i Polinjakut, princi Ranieri pasoi gjyshin e tij, Luigji II, më 9 maj 1949. Nuk kishte mbushur ende 26 vjeç.

Pesë vjetë më parë, e ëma kishte hequr dorë nga titulli për t’ia lënë atë të birit. I ri dhe i mbushur me ideale, Ranieri nis mbretërimin e tij mes projekteve, ëndrrave dhe ambicieve, të mëdha që më pas do t’i shihte të realizoheshin. Njëra në veçanti. Ishte prilli i 1956, kur sovrani u martua me Grace Patricia Kelly, aktore e madhe e Hollywood dhe një prej bukurive aristokrate të Filadelfias, në SHBA. Dasma e Princit e aktores bëjnë të ëndërrojë gjithë botën. Nga martesa e tyre lindën tre fëmijë: princesha Karolinë Luic Margaret, Princi Albert Aleksandër Luis Pierre dhe princesha Stefani Mari Elisabet. Megjithatë, jeta e lumtur e Ranierit II pësoi një ndërprerje tragjike më 14 shtator 1982, nga një aksident rrugor, ku humbi jetën e shoqja dhe mbeti e dëmtuar e bija.

Karriera ushtarake dhe akademike e Ranierit është e mbushur me suksese. Fillimisht ai studioi në Angli. Më pas shkon në Zvicër, ku frekuenton Kolegjinë e Kështjellës së Rosey. Më pas vijon studimet në Montpellier. Së fundi diplomohet në Paris për Shkenca Politike.

Më 17 dhjetor 1962, sovrani i dha një kushtetutë të re Principatës së tij: në 1993 arriti pranimin e Monakos si shtet anëtar i OKB; në 1997 feston 700 vjetët e jetës së Principatës dhe në 1999, 50 vitet e mbretërimit të tij. Pak muaj më vonë nisën edhe simptomat e para të sëmundjes...

Ishte 16 dhjetori 1999 kur Ranieri iu nënshtrua një operacioni. Ndërhyrja shkoi mirë dhe pavarësisht gjendjes së rëndë pas tij, Princi kaloi mirë. Por pak muaj më vonë, më 2 shkurt 2000, Ranieri duhet të rikthehet sërish në spital, ku i nënshtrohet një ndërhyrjeje shumë të vështirë kirurgjike, në qendrën kardiologjike të Montekarlos.

Një operacion shumë delikat, mbi të gjitha sepse tashmë sovrani e kish kaluar një të tillë me zemër të hapur, gjatë të cilit i ishin bërë dy by-passe. Gjatë të gjithë kësaj kohe, ai ka qenë vazhdimisht nën vëzhgimin e mjekëve të specializuar. Në natën mes 22 dhe 23 marsit, gjendja e tij u përkeqësua shumë dhe doktorët vendosën ta mbajnë në reanimacion. Vend ku qëndroi deri sa dha frymën e fundit mëngjesin e djeshëm, në 06.35.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›