Ndal punimeve pa cilesi ne rruge
Bashkia e Tiranës është e vendosur për ta shkëputur qytetin nga balta dhe pluhuri i trashëguar. Kështu ka deklaruar drejtori I punëve publike në Bashkinë e Tiranës, Rigels Balla, duke përfshirë investimet në të 47 rrugët e parashikuara në buxhetin e vitit 2012. Sipas tij nuk do të kolaudohet asnjë rrugë pa cilësi.
“Të njëjtën gjë kemi bërë dhe me rrugën “Thanas Ziko”. Disa ditë më parë u konstatua se punimet në këtë rrugë nga kompania “Sinder AB shpk & Klajger Konstuksion” nuk po kryheshin sipas kushteve teknike të parashikuara në projektin e zbatimit, dhe u pezulluan menjëherë këto punime duke i lënë detyrë firmës zbatuese që të bëhen edhe njëherë të gjitha punimet në këtë rrugë pa asnjë kosto shtesë për qytetarët e Tiranës, punime të cilat kanë nisur aktualisht.
Kjo praktikë e cila u zbatua për herë të parë në Bashkinë e Tiranës, edhe pse punimet e dikurshme pa cilësi në këtë qytet hasen kudo, do të vazhdojë në çdo punë publike që kontraktohet nga Bashkia e Tiranës”, vuri në dukje Balla.
Drejtori Balla shpreh keqardhjen që këshilltarët e PS jo vetëm nuk e përshëndetën këtë vendim, por frynë trumbetat politike.