E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalesa tjetër, Damasku

12/02/2005  Udhëheqësi i fajkonjve të Uashingtonit nuk ka asnjë dyshim: nëse Siria do të vazhdojë të mbështesë revoltën në Irak, Bushi do të humbasë durimin. Dhe mund të vërë në shfrytëzim mjetet e fortë

Bashkë me David Frum, fjalimshkruesin e Presidentit që krijoi të famshmen shprehje “Boshti i së keqes”, Perle ka shkruar një libër me titull “Fundi i së keqes”, në të cilin shpjegon se si SHBA mund të fitojë luftën kundër terrorizmit: praktikisht, një manifest për politikën e administratës së Presidentit Bush në mandatin e tij të dytë

Në Uashington e quajnë “Princi i errësirës”, për shkak të vendosmërisë, me të cilën udhëheq grupin e fajkonjve që ndërmerr zgjedhjet më pak popullore të administratës së Bushit. Riçard Perle është shumë i matur: “Të flasësh për një pikë zhvillimi është e vështirë, sepse do të thotë që, pas zgjedhjeve në Irak, tashmë në atë vend gjërat shkojnë në një drejtim krejtësisht të ndryshëm nga ai i deritanishmi, gjë të cilën unë nuk e besoj”, thotë Perle. “Por, nga ana tjetër, sigurisht që është një pikë e rëndësishme ndryshimi për Presidentin Bush: tashmë ka një kredo shumë të madhe politike për të shpenzuar, edhe në politikën e jashtme, pas suksesit të zgjedhjeve të janarit. Vizioni i tij për botën u konfirmua si më i drejti dhe sot, procesi i transformimit të Lindjes së Mesme është përshpejtuar”.

Perle ka qenë një prej ideologëve kryesorë të këtij procesi. Ai ishte nënsekretar i Mbrojtjes në administratën e Reganit, ndërkohë, që në 1998, ai firmosi dokumentin që e bëri Klintonin të kthente ndryshimin e regjimit të Sadamit në prioritetin e politikës amerikane në Irak. Gjatë mandatit të parë të Bushit, Perle drejtoi Bordin e Politikave të Mbrojtjes, grupin e këshilltarëve të sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, një detyrë nga e cila dha dorëheqjen vitin e kaluar. Bashkë me David Frum, fjalimshkruesin e Presidentit që krijoi të famshmen shprehje “Boshti i së keqes”, Perle ka shkruar një libër me titull “Fundi i së keqes”, në të cilin shpjegon se si SHBA mund të fitojë luftën kundër terrorizmit: praktikisht, një manifest për politikën e administratës së Presidentit Bush në mandatin e tij të dytë.

Përse këmbëngulni që zgjedhjet në Irak kanë përshpejtuar procesin e transformimit të Lindjes së Mesme?

Sepse demokracia është infektuese. Mendoni ndikimin e zgjedhjeve mbi qytetarët sauditë, iranianë që kanë parë fqinjët e tyre të fitojnë një të drejtë, ajo e vetëvendosjes, që ata nuk e kanë. Më pas, mendoni sa nervozë duhet të jenë Princi Abdullah në Riad apo Hosni Mubarak në Kajro: zgjedhjet paraqesin një presion të fortë mbi fqinjët. Dhe heqin qafe nga shpatullat e Bush shumë prej atyre kritikëve që, duke parë ushtarët amerikanë që vdesin dhe sulmet terroriste, mendonin se vizioni i tij për botën nuk mund të kishte sukses. Tashmë është evidente që fitorja përbën një skenar të duartokitshëm.

Si mendoni, do ta përdorë Bushi këtë kredo?

Duke ruajtur kursin, domethënë duke përshpejtuar procesin e stërvitjes së ushtrisë. Gjë që do të lejojë irakenët të mbrohen vetë, të hartojnë një kushtetutë të re, dhe në fund të shkojnë drejt zgjedhjes së një presidenti të ri. Sot Presidenti ka provën që irakenët duan demokraci, pavarësisht se kishte nga ata që flisnin për paaftësinë e tyre për të jetuar në një vend të lirë.

Si do të sillet Presidenti amerikan përballë vendeve që mbështesin terroristët në Irak?

Nëse qeveria siriane do të vazhdojë të fshehë dhe mbështesë baathistët e Sadamit, që koordinojnë revoltën, mendoj se Presidenti Bush do ta humbasë durimin. Në atë pikë, gjithçka është e mundur. Nuk mendoj se do të nisim një sulm kundër Sirisë, por nuk mund të pranohet që qeveria e Bashar Assad të mbështesë kaq haptas rebelët.

Po Irani?

Në këtë rast ka më shumë opsione. Nuk besoj se Bushi ka besim në procesin diplomatik të nisur nga evropianët, por sigurisht që mendon se është e mundur të mbështeten grupet e shumtë opozitarë që lëvizin në brendësi të vendit. Iranianët po lëvizin me shumë inteligjencë: mbajnë disa strategji, përfshirë atë të mbështetjes së rebelëve. Por, sigurisht që zgjedhjet në Irak i kanë bërë ta rivlerësojnë situatën: parashikoj që do të përpiqen ta ndikojnë me mënyra më të buta qeverinë e Bagdadit.

A do ta ndihmojë suksesi i shiitëve strategjinë e tyre?

Shumë liderë shiitë në Irak janë të ndryshëm nga ata iranianë, duke nisur nga fakti që nuk kërkojnë të krijojnë një republikë islamike. Eshtë e vërtetë që suksesi shiit u krijon probleme shumë sunnitëve, por edhe në këtë pikë jam optimist. Rebelët nuk do ta përdornin terrorizmin nëse do të kishin me të vërtetë mbështetjen e sunnitëve, pjesa më e madhe e të cilëve kërkon të ketë një jetë normale. Ndikimi i zgjedhjeve është që tashmë rebelët janë shumë më të izoluar: tani që do t’u duhet të mbrojnë një qeveri të tyren, irakenët do të ofrojnë më shumë informacione në lidhje me terroristët.

Si ndikojnë zgjedhjet në numrin e trupave në Irak?

Në mënyrë vendimtare. Unë kam qenë gjithnjë i mendimit se shtimi i trupave vetëm sa rrit numrin e objektivave për terroristët. Problemi i vërtetë është identifikimi i armikut, dhe këtë mund ta bëjnë vetëm irakenët. Nëse trajnimi i tyre bëhet brenda afateve të parashikuar, me siguri që do të zvogëlohet numri i trupave.

Domethënë Bushi ka të drejtë për gjithçka?

Presidenti po demonstron një vizion strategjik, të cilit do t’ia vlerësojmë rezultatet reale vetëm kur ta shohim mandatin e tij me sytë e historisë. Kini parasysh vetëm këtë: të vetmet vende të botës, ku ka patur përparime demokratike, kanë qenë ato ku ndërhynë amerikanët: Afganistan e Irak. Zgjedhjet në Irak u japin besim edhe palestinezëve që besojnë në demokraci dhe duan paqe me Izraelin.

Ju konsideroheni si një prej eksponentëve të lartë neokonservatorë që prej vitesh nxisin demokracinë në Lindjen e Mesme: si i përjetoni këto momente?

Ai që po ndodh është një proces i gjatë: çdo hap përpara shoqërohet nga një hap i vockël pas. Nuk jam unë që ndihem me të vërtetë i shpërblyer sot. Eshtë Presidenti, që ka vijuar të besojë në vlerat e vetëqeverisjes edhe në momentet më të errët të ndërhyrjes në Irak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›