E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis hartimi i fushatës elektorale të PD-së

12/02/2005  Specialistët e parë të Kompanisë amerikane të zgjedhjeve BG&R, prej dy ditësh ndodhen në Shqipëri dhe po zhvillojnë takime me drejtuesit më të lartë të PD-së. Takimet në zyrën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me katër ekspertët e kompanisë amerikane të zgjedhjeve, kanë filluar që në mesditën e së enjtes dhe kanë vazhduar dhe dje. Burime nga PD-ja shprehen se në takime ka marrë pjesë dhe koordinatori i KOP-it, Lulzim Basha, si dhe kryetari i FRPD-së, Sokol Olldashi. Të njëjtat burime shprehen se Basha dhe Olldashi do të jenë koordinatorët e punës mes PD-së dhe kompanisë amerikane për përgatitjen e fushatës elektorale. Tema e diskutimeve mes kreut të PD-së dhe specialistëve amerikanë është fokusuar te mënyra e përgatitjes së fushatës, infrastrukturës si dhe mënyrës së paraqitjes të programit të PD-së para elektoratit. Burimet shprehen se që prej këtij muaji specialistët e BG&R do të vendosen në Tiranë, ku do të ngrenë zyrat për instalimin e aparaturave. Fushata e PD-së është menduar që këtë herë të ketë stilin amerikan, që bazohet më shumë në mënyrën e zgjidhjes së problemeve dhe premtimet, sesa në akuzat ndaj kundërshtarit politik. Nga të njëjtat burime mësohet se specialistët e BG&R gjatë muajve shkurt, mars dhe prill, do të përqëndrohen më shumë në zhvillimin e sondazheve me qëllim mbajtjen nën kontroll të përqindjes të PD-së, si dhe të avantazheve të saj ndaj kundërshtarit. Më pas kompania do të mendojë dhe për hartimin e slloganit, paraqitjen e lidershipit para elektoratit, por edhe studimin e pikave të dobta të kundërshtarit. Gjithsesi, nga të njëjta burime mësohet se fushata nuk do të imitojë deri në detajet më të hollësishme fushatën elektorale amerikane. Kjo shikohet si e pamundur nga specialistët, jo vetëm për shkak të infrastrukturës, numrit të popullsisë, mënyrës së qeverisjes etj., por edhe për shkak të kulturave të ndryshme mes dy popujve. Megjithatë standardet, strategjia dhe mënyra e zhvillimit do të jetë e njëjta si fushata elektorale e Republikanëve gjatë zgjedhjeve të fundit Presidenciale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›