Ndalohen të miturit, akuzohen për disa vjedhje në Tiranë
Tiranë – Uniformat blu të Komisariatit të Policisë Nr. 3, kanë mundësuar identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve të mitur A. B, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe E. P, 14 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Kodër Kamëzë. Sipas policisë në ngarkim të tyre është bërë i mundur dokumentimi i disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë. Shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe me shtetasin Fabjan Loci, 21 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Paskuqan, i dënuar më parë për vjedhje, i cili është shpallur në kërkim, në kohë e vende të ndryshme kanë realizuar disa vjedhje. Kështu dyshohet se më 15 prill 2008, kanë vjedhur dyqanin e një shtetasi, ku kanë marrë 5000 lekë, një televizor dhe paketa cigare të llojeve të ndryshme. Ndërsa disa ditë më pas në rrugën “Gjergj Legisi”, kanë vjedhur lokalin e një shtetasi, ku kanë marrë një pajisje kuzhine dhe një aparat dixhit-alb. Po kështu uniformabt blu kanë si autorë të dyshuar po këta persona për vjedhjen më 2 korrik 2008 në rrugën “Don Bosko” të dyqanit të një shtetasi ku kanë marrë 2 komjutera dhe një ekspres apo dhe për ngjarjet në rrugën “Gjergj Legisi”, të vjedhjes së banesës së një shtetasit, ku kanë marrë dy ora dore dhe një celular. Janë këta persona që mendohet se më 21 gusht 2008, në rrugën “Don Bosko”, tek pallati i “Vizion +”, kanë marrë një sasi të konsiderueshme tuba bakri. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 bojlerë, 1 vinç dhe një sasi e konsiderueshme tuba plastike në dyqanin artikuj ndërtimi të shtetasit Xhevdet Mukës 43 - vjeç lindur në Gramsh dhe banues në Laprakë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale të “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
25 Gusht 2008